BoldNews.al
“Eksperimenti” me Vetingu-n në Shqipëri ka vendosur në llogore të ndryshme ekspertët të strukturave ndërkombëtare me burokratët e Komisionit Europian, të cilët lëvruan dhe shpërndanë miliona euro fonde për projektin problematik të Reformës në Drejtësi.
Dy institucione të rëndësishme europiane të ekspertizës, ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias, kanë vënë në pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si po realizohet procesi i Vetingut në Shqipëri.
Ndërkohë që një tjetër organizëm kontinental, Gjykata e Strasburgut pritet që brenda pak muajve të japë vendimet e para për ankimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar.
Nga ana tjetër gjendet i pozicionuar Komisioni Europian, i cili, nëpërmjet zyrtarëve të tij në selinë qendrore në Bruksel apo përfaqësuesit në Tiranë, vijon t’i mëshojë suksesit të Vetingut, duke relativizuar mungesën thuajse dy-vjeçare të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë në Shqipëri.
Raporti i ODIHR-it, zgjedhjet dhe Vetingu
Zyra e OSBE-së për Demokratizimin e Institucioneve dhe Të Drejtat e Njeriut, i njohur më shumë me akronimin ODIHR, ishte struktura e parë europianë që vuri gishtin në “plagën” Veting.
Në raportin e vëzhgimit për votimet mono-partiake për pushtetin lokal të 30 Qershorit 2019, ODIHR rezervoi dyshime të forta për Vetingu-n, duke e cilësuar si një mjet presioni politik kundër gjyqtarëve.
“…Ndërkohë që gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor gëzojnë imunitet nga procedimet disiplinore gjatë të gjithë mandatit të tyre në Kolegj, ata janë subjekte të procesit në vijim të Vetingut, i cili mund të cënojë vazhdimësinë e detyrës dhe, në këtë mënyrë, të ndikojë potencialisht në pavarësinë e tyre…”, thuhet në faqen 22 të Raportit të ODIHR-it, të publikuar në 5 Shtator 2019.
Natyrisht, ODIHR-i nuk mund të fliste me detaje konkrete se cilët faktorë përbënin kërcënim të mundshëm për pavarësinë e gjyqtarëve, por është e qartë që referenca shkonte për eksponentë të lartë qeveritarë.
Shumica dërrmuese e zyrtarëve të Vetingut janë emëruar nga maxhoranca socialiste në pushtet, ndërkohë që qeveria i mban këto institucione nën kontroll apo i josh nëpërmjet buxhetit dhe benefiteve të tjera.
“Ndikimi potencial i vetingut në pavarësinë e Kolegjit Zgjedhor” u pa qartë kur trupa gjykuese i dha dritën jeshile një procesi votimi pa konkurencë, në përfundim të të cilit Partia Socialiste siguroi kontrollin 100 përqind mbi pushtetin lokal në Shqipëri.
“Shkundja” nga Venecia
Komisioni i Venecias, një strukturë ekspertize e Këshillit të Europës, ka dhënë argumenta më të zgjeruar për pikëpyetjet e tij për Vetingun, në një Opinion Paraprak, të kërkuar nga Parlamenti, pas krizës institucionale për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni i Venecias, e kishte parashikuar që në vitin 2015 se një kontroll radikal mbi sistemin e drejtësisë mund të cënonte funksionimin normal të këtij pushteti, si edhe mundësinë e kontrollit të tij nga Ekzekutivi.
Së fundi, Venecia ka evidentuar një seri elementësh, të cilat dëshmojnë për problematika thelbësore në zbatimin e procesit të Vetingu-t.
Ekspertët e Komisionit të Venecias sugjerojnë rihapjen e hetimit për rastet kur gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk u është dhënë afat i mjaftueshëm për të siguruar dokumentat e kërkuar për të justifikuar pasurinë e tyre.
“Në raste të arsyeshme, me afate shumë të ngurta për paraqitjen e dokumentave, kontrolli duhet të rihapet”, këshillon Komisioni i Venecias.
Një këshillë, e cila nëse merret në konsideratë, do të përkthehej në rihapjen e hetimit për rreth 80 përqind të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar gjatë procesit të Vetingut.
Komisioni Europian “ndërhyn” në Strasburg
Përkundër këtyre kritikave dhe dyshimeve, Komisioni Europian, organizmi që ka financuar pjesën më të madhe të Reformës në Drejtësi në Shqipëri, është i vendosur të mos tolerojë asnjë cedim në praktikën e deritanishme, pavarësisht problematikave të forta që ka pasur zbatimi në praktikë i Vetingut.
Në Nëntor 2019, Komisioni Europian i kërkoi Gjykatës së Strasburgut që të ndërhynte si “palë e interesuar” në rastet që po shqyrtohen nga ajo gjykatë, pas ankimeve të rreth 15 gjyqtarëve e prokurorëve shqiptarë të shkarkuar.
Në shkresën që i drejtonte Gjykatës së Strasburgut, Komisioni Europian kërkonte nga trupa gjykuese që të mos merrte në konsideratë ankimet e gjyqtarëve shqiptarë.
Komisioni Europian, megjithëse pranonte disa problematika në zbatimin në praktik të Vetingut, sërish kërkon që Gjykata e Strasburgut të mos ndërhyjë në thelbin e rivlerësimit kalimtar, duke e konsideruar si një masë të rëndësishme për pastrimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri nga paaftësia dhe korrupsioni.
Përtej këmbënguljes në “eksperimentin” shqiptar, Komisioni Europian nuk është i gatshëm që të aplikojë një praktikë të tillë në Maqedoninë e Veriut.
Përfaqësuesit zyrtarë të Brukselit në Shkup e kanë bërë të qartë që nuk përkrahin një proces Vetingu për gjyqësorin maqedonas, pasi nuk duan të kenë pasoja të ngjashme me ato që po ndodhin në Shqipëri.