Pse nuk mund t’i vë duart në fytyrë?
Mënyra kryesore e transmetimit të Coronavirusit të ri është nga stërklat e frymëmarrjes që mund të kalojnë nga një person tek tjetri përmes teshtitjes, kollës dhe kontakteve personale direkte, por edhe përmes duarve që, nëse nuk janë pastruar, mund të jenë të kontaminuara dhe të transmetojnë virusin te të tjerët përmes kontaktit të thjeshtë. Duart prekin gjithashtu gjithçka: nga dorezat e dyerve, te butonat e ashensorit, te citofonët, te çezmat në banjo. Edhe pse është ende e paqartë se sa shumë ngarkesa virale e koronavirusit të ri reziston në sipërfaqe, stërklat e sekrecioneve të frymëmarrjes nga duart e personave me Covid-19 mund të lihen në këto objekte. Kjo është arsyeja pse duart duhet të lahen para se të prekni fytyrën. Dhe kushdo që ha thonjtë duhet të bëjë një përpjekje për të hequr urgjentisht dorë nga ky zakon. Me dezinfektimin me bazë alkoolin etilik, ujin e oksigjenuar ose zbardhues, virusi eleminohet në një kohë të shkurtër.
Ç’duhet të bëj për sigurinë në vendet publike?
Po e mësojmë këto ditë: njerëzit duhet të mbajnë një distancë prej të paktën një metër nga njëri-tjetri, për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Vlen gjithmonë, edhe kur shkoni në supermarket, në zyrën postare, në farmaci. Ambientet publike që do të qëndrojnë të hapura duhet të garantojnë distancën e sigurisë prej një metri, dhe është mirë të siguroheni që kjo dispozitë është e garantuar. Nga pikëpamja shkencore, masa e duhur e sigurisë është pothuajse dyfish: 1.82 metra (që korrespondon me gjashtë këmbë): në këtë mënyrë është pothuajse e sigurt që asnjë prej stërklave të mukusit ose të pështymës që shpërndahen në ajër, nga ata që teshtijnë, kolliten dhe, në një masë më të vogël, që flasin, nuk arrijnë te njerëzit. Sidoqoftë, për arsye të fizibilitetit real, përcaktuesi i distancës është një kompromis i pranuar nga ekspertët.
Pse nuk mund të shtrëngoj as duart?
Eleminoni puthje, përqafime dhe shtrëngime duarsh. Këto janë masa që ndryshojnë zakonet e njerëzve, por është e rëndësishme të mbajmë atë distancë për të ruajtur veten dhe të tjerët: nëse personi i infektuar ka duar të kontaminuara, ai mund të transferojë virusin në duart e tjetrit që nga ana tjetër, mund të infektohet duke vendosur dorën në gojë, sy ose hundë. Duart padyshim që janë një rrugë indirekte e transmetimit të virusit. Sidoqoftë, është e drejtë të theksohet se meqë stërklat lëshohen nga subjekti simptomatik, përmes kollitjes ose teshtitjes, ka pasur një ulje të ngarkesës virale, duke filluar që nga minutat e para, gjë që bën infeksioni të jetë më pak efektiv.
Pse duhet të lani duart shpesh?
Eshtë përsëritur shumë herë, por larja e duarve mirë e mirë me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda ose përdorimi i një solucioni alkoolike të paktën 60%, është arma juaj personale më e mirë për të shmangur infeksionin. Duart duhet të lahen me kujdes, duke ndërthurur gishtat mes tyre dhe duke fërkuar pëllëmbët.
Pse duhet që dikush me temperaturë të qëndrojë në shtëpi?
Kushdo që ka temperaturë duhet të qëndrojë në shtëpi, dhe kjo duhet të zbatohet gjithmonë. Me temperaturë, kontaktet dhe jeta shoqërore duhet të shmangen, edhe nëse nuk keni qenë kurrë në zona në rrezik infeksioni të Coronavirusit ose nëse nuk keni qenë kurrë në kontakt me persona të mundshëm pozitivë. Kjo për shkak se një infeksion nuk mund të përjashtohet nga Covid-19 dhe sepse, qoftë edhe gripi nuk duhet të qarkullojë në këtë periudhë emergjence të madhe (edhe infeksion mund të çojë në komplikime). Për më tepër, megjithëse të rralla, bashkë-infeksionet mund të çojnë në një kurs klinik më kompleks.
A është transporti publik i rrezikshëm?
Të gjitha vendet veçanërisht të mbushura me njerëz mund të lehtësojnë transmetimin e virusit midis njerëzve. Transporti publik mund të bëhet një rrezik kur është shumë i populluar dhe, mesatarisht, shkalla e transmetimit të virusit është deri në gjashtë herë më e lartë në mesin e atyre që përdorin transportin publik. Rreziqett më të mëdha i kanë transportuesit që duhet të bëjnë udhëtime të gjata ose të kalojnë nëpër stacione të mbushura me njerëz. Prandaj, nëse është rreptësisht e domosdoshme, rekomandohet të udhëtoni jashtë kohës së pikut. Edhe në këtë rast zbatohen rregullat e higjenës personale: lani duart pasi të dilni nga mjetet dhe mos prekni fytyrën me duar. E mira është të zgjidhet të punuarit nga shtëpia.
A mund të qëndrojnë fëmijët me gjyshërit?
Eshtë parë që kategoria më e brishtë janë pikërisht të moshuarit, në veçanti ata që vuajnë nga patologji të ndryshme. Për këtë arsye, në këto ditë, është më mirë të shmangni vizitat tek të moshuarit në shtëpitë e tyre. Nëse është e nevojshme, veproni kështu duke rritur masat paraprake. Edhe nipërit e mbesat, në këtë periudhë, do të ishte më mirë nëse do t’u besoheshintë tjerëve dhe megjithatë ata mund të kalojnë kohë me gjyshërit e tyre në mjedise të hapura. Vetë të moshuarit duhet të shmangin takimin me njëri-tjetrin, veçanërisht në ambiente të mbyllura.
A mund të mbrohem me maskë?
Përdorimi i maskave është vetëm një nga masat e shumta që mund të zbatohen për të mbrojtur veten nga infeksioni Covid-19. Sidoqoftë, maskat janë efektive vetëm kur ato përdoren në kombinim me një larje të shpeshtë të duarve. Duhet mbajtur mend që këto pajisje duhet të zëvendësohen sa herë që hiqen. Kur hiqni maskën, duhet të bëhet duke filluar nga fijet elastike anësore, në mënyrë që të mos ndotni duart në rast kontakti me virusin.
Organizata Botërore e Shëndetit nuk rekomandon që e gjithë popullata të veshë maskë, përveç se kur ka simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes. Qëllimi i përdorimit të maskës nuk është pra të mbrohen ata që e mbajnë, por njerëzit përreth tyre. Sidoqoftë, ata që punojnë në kontakt të ngushtë me publikun (shoferët e taksive, punonjësit e zyrave publike) mund të marrin këtë masë paraprake të mëtejshme. / (Pierluigi Lopalco, profesor i Higjienës dhe mjekësisë parandaluese në Universitetin e Pizës) / Corriere della Sera – Bota.al