Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa, nuk beson se reforma në drejtësi do të sjellë ndonjë ndryshim të madh përveç propagandës së vetë politikës. Ai flet edhe për marrëveshjen FRD-PS duke thënë se mbetet ende në fazën e bashkëpunit lokal mes këtyre dy forcave politike.
Votimin e 21 korrikut Oketa nuk e quan konsensus real, ndërkohë që apelon për fillimin nga puna të reformës së re zgjedhore. Zyrtari i lartë i FRD-së flet për “Gazeta Shqiptare” edhe për marrëveshjen me PS-në, mungesën e bisedimeve për ngritjen e saj në nivel qendror dhe pse nuk po funksionon aleanca dypalëshe për zgjedhjet në Dibër. Pavarësisht kësaj, Oketa përjashton mundësinë e një koalicioni me PD-në, duke u shprehur mosbesues se atë e drejton Lulzim Basha, të cilit nuk i mirëpret deklaratën për krijimin e një qeverie teknike. Madje ai thotë se: “Midis shumë arsyeve pse kjo mazhorancë ndoshta nuk bie në zgjedhjet e 2017-ës, është vetë opozita”.
Z.Oketa, si e konsideroni procesin e reformës në drejtësi, që nisi me konsensus por nuk rezultoi i tillë për “vetting”-un?
Për të qenë tërësisht të saktë, reforma në drejtësi nuk nisi as me konsensus dhe as me një vullnet të qartë të partive parlamentare për ta miratuar atë. Mjafton të kujtojmë se si e ka zhvilluar aktivitetin e tij Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë dhe besoj se është e qartë se dëshira për konsensus pothuaj nuk ka ekzistuar. Votimi nga Kuvendi i Shqipërisë me votat e 140 deputetëve, nuk besoj se duhet përkthyer si një konsensus i vullnetshëm por më së shumti si një detyrim për shkak të angazhimit dhe presionit të partnerëve ndërkombëtarë. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, nuk morën 140 vota, por kishin më shumë konsensus. Ato kishin konsensusin e z.Berisha dhe z.Rama në funksion të llogarive politike të secilit prej tyre. Këtë radhë interesat e tyre politike nuk konvergonin, prandaj dhe konsensusi ishte mjaft i vështirë për t’u arritur. Qëndrimet e palëve lidhur me “vetting”-un, dëshmojnë se votimi i 21 korrikut nuk ka pasur një konsensus real.
A besoni se do të gjejë zbatim reforma në drejtësi, dhe sipas jush, kush janë palët e interesuara për ta zvarritur zbatimin e saj?
Nuk besoj se kjo reformë do të sjellë një ndryshim aq të madh sa propagandohet në raportin që politika ka me drejtësinë, por edhe në raportin që shoqëria shqiptare ka me politikën dhe institucionet e shtetit. Sot theksi në deklarimet politike vihet te fakti se nga kjo reformë rrezikojnë të shkojnë në burg disa politikanë të niveleve të larta, dhe këtu nuk kam asnjë kundërshtim që drejtësia të funksionojë edhe për ata, por pak dëgjohet të flitet nëse kjo reformë për shembull do të sjellë ndonjë zhvillim të ri në zgjidhjen sa më shpejt dhe sa më drejt të çështjeve që kanë të bëjnë me pronën. Nga ana tjetër, diskutimi për trajtim financiar të punonjësve të sistemit të drejtësisë në raporte disi të zhbalancuara qoftë me institucionet e tjera, por edhe me profesione të tjera, nuk besoj se është garancia se drejtësia do të funksionojë plotësisht. Duket sikur nga një republikë parlamentare, po kalojmë në një republikë gjyqësore, duke krijuar ndoshta përsëri një sistem të zhbalancuar. Nga ana tjetër, njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme, për pengimin e ecurisë normale të punës së këtij institucioni, deri në miratimin e paketës së plotë të reformës në drejtësi, tregon se ka ende shumë punë për të bërë. Megjithatë një reforme kaq të rëndësishme duhet t’i lihet kohë për të parë realisht efektet e saj.
Pas reformës në drejtësi, kërkohet fillimi i punës për reformën e re zgjedhore. Cilat janë kërkesat e FRD-së në këtë rast?
Reforma Zgjedhore është vlerësuar nga ne si FRD, si një reformë me të njëjtën rendësi si ajo e sistemit të drejtësisë. Është e paperceptueshme në një demokraci funksionale, që institucioni më i lartë i një republike parlamentare, në rastin e Shqipërisë, Kuvendi i saj, të jetë produkt i një ligji i cili nuk garanton barazinë e votës. Formula aktuale me proporcional rajonal e shkel këtë parim dhe minimalisht, gjëja e parë që duhet bërë është kthimi i saj në një formulë me korrektim kombëtar. Edhe sikur të mos i referohemi së drejtës kushtetuese të barazisë së votës, niveli mjeran i Kuvendit të sotëm është një arsye shumë e fortë për të korrigjuar Kodin Zgjedhor aktual. Nga ana tjetër, FRD-ja kërkon që administrimi i procesit zgjedhor të mos jetë partiak, por thjesht teknik. Çlirimi i procesit zgjedhor nga militantët partiakë do ta bënte edhe procesin e votimit, por dhe rezultatin, më të besueshëm dhe të pranueshëm nga të gjitha palët, dhe do t’i hiqte procesit zgjedhor parimin stalinist: “Qytetarët votojnë, partitë numërojnë”. Dhe e treta do të ishte kërkesa për lista të hapura, gjë e cila do ndikonte sadopak në demokratizimin e jetës së partive politike dhe do t’u jepte mundësi qytetarëve t’i zgjidhnin vetë përfaqësuesit e tyre, dhe jo thjesht të bëhen “noterë” të listave të mbyllura partiake, siç ndodh me kodin aktual.
Si po funksionon marrëveshja mes FRD-së dhe PS-së? Marrëveshja vazhdon të jetë vetëm në nivel lokal, apo është shtrirë edhe në nivel qendror me koalicionin e majtë?
Marrëveshja është në nivel lokal dhe nuk ka ndryshuar asgjë që nga hera e shkuar që është bërë kjo pyetje. Nuk ka asnjë diskutim për ta ngritur aktualisht këtë marrëveshje në nivel qendror. Ajo vazhdon të mbetet në nivel lokal dhe diku funksionon më mirë e diku më pak, por për ne shumë i rëndësishëm është qëndrimi që PS-ja do të mbajë në raport me reformën zgjedhore, gjërat e tjera janë të një rëndësie më të vogël.