Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj do të përballet të enjten më 5 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për Aliajn përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Etleda Çiftja dhe Xhensila Pine.
Petrit Aliaj e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtar në Delvinë dhe në Sarandë. Në vitin 2004, Aliaj u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me motivacionin “Për kryerjen e veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës”, ndërsa një vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë e riktheu atë në punë në vitin 2006.
Gjatë vitit 2005, Aliaj deklaroi se kishte punuar si avokat për kompanitë e vëllezërve Balili në Delvinë.
Pavarësisht trajektores së ndërlikuar të karrierës së tij, Aliaj u promovua në detyrë në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Vlorës. Në vitin 2015, ai u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij si dhe për deklarime të rreme. Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit, e cila vendosi të pushojë çështjen penale kundër tij.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Petrit Aliaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtari Aliaj deklaronte një shtëpi banimi të para viteve ’90 si dhe një sipërfaqe prej 712 m2 pa vlera monetare, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare kap vlerën e 20.4 milionë lekëve, duke shënuar rritje mesatare vjetore prej 1.5 milionë lekësh.
Pasuria llogaritet në 16.9 milionë lekë likuiditete bankare, 1.9 milionë lekë kursime të akumuluara në cash dhe automjete me vlerë rreth 1.5 milionë lekë. Gjyqtari Aliaj deklaron gjithashtu pronësinë mbi 5 apartamente, një njësie prej 106 m2 dhe 78 m2 garazhe të përfituara përmes një kontrate sipërmarrjeje.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 114.9 milionë lekë. Paga nga funksioni i gjyqtarit zë vetëm 11% të të ardhurave, ndërsa pagat e familjarëve përbëjnë rreth 67% të të ardhurave. Gjyqtari Aliaj deklaron gjithashtu rreth 3% të totalit nga avokatia, 3% nga dhurimet në cash dhe 8% të të ardhurave nga shitja e pasurive të patundshme.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 13 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, dy prej tyre rezultuan me probleme.
Gjyqtari Petrit Aliaj rezulton me pamjaftueshmëri burimesh financiare në vlerat 1.1 milionë lekë në vitin 2008 dhe 1.6 milionë lekë në vitin 2012.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilët lidhen me kontratën e sipërmarrjes për dhënien e një sipërfaqeje trualli për ndërtim si dhe huamarrjet në vlera të larta përgjatë periudhës deklaruese.
Më konkretisht në vitin 2010, gjyqtari Aliaj ka dhënë për ndërtim sipërfaqen e truallit që e deklaronte prej vitit 2003, pa deklaruar detajet e kontratës së sipërmarrjes. Përmes një kontrate shkëmbimi në vitin 2017, ai deklaron se ka përfituar bashkë me bashkëshorten pronësinë mbi 5 apartamente, një njësi shërbimi prej 106 m2 dhe garazhe me sipërfaqe 78m2.
Të ardhurat e vajzës që jeton dhe punon në SHBA përbëjnë zërin kryesor të të ardhurave familjare. Megjithatë, gjyqtari Aliaj i ka deklaruar ato përgjithësisht bruto dhe jo vlerat neto sipas kërkesave të ligjit.
Nga viti 2003, subjekti dhe familjarët e tij kanë marrë hua tek të tretët në vlera të konsiderueshme. Në vitin 2003, subjekti i rivlerësimit ka deklaruar një hua prej 25 milionë lekësh ( është e paqartë nëse janë shënuar si lekë të vjetra apo të reja), ndërsa në vitet në vazhdim ka deklaruar edhe huamarrjet prej 48 mijë dollarësh dhe 25 mijë eurosh.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017 /Reporter.al/