“‘Fantazmat e kuqe’ vijojnë të shfaqen ende në shoqërinë shqiptare”, tha kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, duke folur në aktivitetin me temë: “Persekutimi i shqiptarëve të Çamërisë përgjatë regjimit komunist”.
Ndërsa shtoi se një shoqëri që nuk shkëputet nga e kaluara nuk ecën dot përpara, ai theksoi se sistemi komunist ende nuk është dënuar.
“Ka qenë një fill i kuq që ka shoqëruar çdo anëtarë të Shoqatës Çamëria, do të thosha dy të tilla. E para ishte persekutimi, shpërngulja, gjenocidi që ka ndodhur gjatë viteve 1913 -1950 nga programimi i shtetit grek dhe por edhe gjithë persekutimi në këtë fill të kuq komunist që na ka ndjekur dhe po na ndjek vazhdimisht. Që në fillesat e saj kemi vazhdimisht ndjerë tradhtinë, harresën, stigmatizimin që ka ndodhur mbi anëtarët e shoqatës Çamëria nga regjimi komunist i kohës.
Ishte pikërisht zona e Konispolit, që ka ndjerë persekutimet më të mëdha deri në vitet 1960 ku e gjithë elita çame u persekutuan. Jemi i vetmi vend që kemi vuajtur prej 50 vjetësh një regjim që ishte jo vetëm diktatorial por që i zhveshi shqiptarët nga gjithçka. I zhveshi nga besimi në zot, i zhveshi nga ekonomia, i zhveshi nga çdo lloje gjëje tjetër për të cilën ne ishim krenarë. Ne jemi sot i vetmi vend që kemi vuajtur 50 vjet nga regjimi më gjakatarë në të gjithë Evropën Lindore, ne sot si shoqëri nuk e kemi dënuar akoma atë sistem.
Sigurisht nuk është e mundur që një shoqëri e cila nuk di të shkëputet nga kaluara e saj, ta njohë, ta dënojë dhe sigurisht që të ketë një të ardhme dhe rrugëtim të saj”, tha Idrizi.
Në vijim ai shtoi se “fantazmat e kuqe” na shfaqen herë pas here dhe sot në shoqërinë shqiptare.
“Është e pamundur se si institucionet shqiptare nuk kanë një dokument relevant për dënimin e atij sistemi. Si shoqëri asnjëherë nuk jemi ndarë nga e kaluara, për të dënuar sistemin komunist, që ishte i vendosur në mënyrë jo të natyrshme sepse na vinte nga Rusia Sovjetike. E implementuar sigurisht për të mbajtur pushtetin një diktator si Enver Hoxha”, tha ai.
Kreu i PDIU-së u shpreh se shoqërisë shqiptare i mungon ligji për memorien historike të komunizmit duke shtuar se flitet shumë pak në shkolla për historinë e komunizmit.
“Do doja të kthehesha pak tek ajo që ka ndodhur me shqiptarët e Çamërisë. Të gjithë ne e kemi ndjerë diskriminimin.
Ajo që i mungon shoqërisë shqiptare është ligji për memorien historike të komunizmit. Shumë pak flitet në shkollat shqiptare për regjimin diktatorial dhe komunizmin. Po kaq pak flitet për historinë e Çamërisë.
Duhet t’i shpjegojmë fëmijëve tanë se çfarë ka qenë ai regjim diktatorial dhe çdo të thotë që filli i kuq ta shoqërojë akoma edhe sot shoqërinë shqiptare”, theksoi Idrizi.