A keni vënë re në tregjet shqiptare një perime të re që ngjan si një dardhë por ka shijen e kungullit?
Kjo perime mban emrin Kajota, por ndryshe njihet edhe si perimja dardhë. Në treg e gjeni me emra si Patate Deti apo Kungull me Gjemba.
Kjo perime është pjesë e familjes botanike që përfshin edhe trangullin dhe kungujt.
Bima e kësaj perimeje kërkon një tokë të lagësht por me një sistem kullimi të mirë dhe një mot të ngrohtë.
Në habitatin e tyre natyral, kjo bimë hardhi arrin edhe të kapërcejë pemët e larta dhe të rritet krah tyre.
Nëpër ferma, rritja e bimës së Kajotës është më e kontrolluar. Hardhitë e kajotës çelin lule të bardha të vogla që pllenohen nga bletët.
Perimet dardhë piqen dhe janë gati për t’u mbledhur 30 ditë pas pllenimit. Çdo bimë mund të prodhojë deri në 150 kokrra në një stinë.
Kokrrat e kajotës kanë një ngjyrë të gjelbër të çelët ose të verdhë. Në disa raste, lëkura e tyre është e lëmuar dhe në disa raste me gjemba.
Tuli i Kajotës është i bardhë dhe përmban një bërthamë të bardhë në formë vezore. Shija e kajotës është relativisht e ëmbël, madje mund të krahasohet me kungullin.
Vlerat shëndetësore të Kajotës
– Ashtu si edhe kungulli, Kajota është një nga perimet që përmbajnë pak kalori: 16 kalori në 100 gramë. Kjo perime nuk përmban yndyrna të ngopura apo kolesterol. Megjithatë ajo është e pasur me fibër dietike, minerale dhe vitamina.
Duke qenë se është një perime me pak kalori dhe e pasur me fibër, rekomandohet shpesh për ata që duan të ulin nivelin e kolesterolit dhe të mbajnë peshën nën kontroll.
– Kajota është një burim i pasur i kompleksit të vitaminës B, dhe folatit. Në 100 gramë të kësaj perime gjeni 23% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminave. Ndikimi dhe roli i folatit para dhe gjatë shtatzanisë është i jashtëzakonshëm.
– Dardhat Kajote janë një burim i mirë i vitaminës C dhe i kompleksit të vitaminës B si thiamina, riboflavina, dhe minerale si hekuri, mangani, fosfori, zinku dhe bakri.
Përzgjedhja e kajotës dhe ruajtja
Zgjidhni gjithmonë kokrrat e një madhësie mesatare, me ngjyrë të freskët si ajo e mollës jeshile dhe të forta.
Kokrrat me një përmasë të madhe kanë lëkurë dhe tul më të fortë që nuk shijon shumë.
Shmangni furnizimet me kokrra të vjetra dhe kini kujdes për lëkurën e kajotës që ajo mos të jetë e nxirë, e gërvishtur, e çarë.
Në shtëpi, ruajini në një qese letre në frigorifer për deri në 3 javë. Kokrrat e mëdha dhe ato të vjetra prishen shpejt, ndaj nuk duhet t’i konsumoni me vonesë.
Përgatitja dhe servirja
Kajotat mund të përdoren në sallata të ndryshme siç është ajo e lakrës.
Lajeni kajotën mirë me ujë të bollshëm. Fërkojeni nëse lëkura është shumë e ndotur. Prisni bishtin dhe fundin e saj.
Nëse keni kokrra të freksëta dhe të vogla nuk duhet hequr lëkura, por kokrrat e mëdha duhen qëruar.
Në momentin e qërimit, kokrrat e mëdha lëshojnë një lëng që mund të shkaktojë irritimin e lëkurës. Mbani doreza dhe përdorni ujë të rrjedhshëm.
Priteni dardhën në copa dhe shtojeni në sallatat që kombinohen me lakër, panxhar, pastinak, fruta deti, kërpudha, qepë, misër, djathë dhe fruta./AgroWeb.org