Nga Boldnews.al
Rreth 6 muaj pasi i shpëtuan një atentati të organizuar, Prokuroria e Durrësit dërgon për gjykim Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhia, të akuzuar për “armëmbajtje pa leje”, pasi policia u gjeti armë pa leje.
Dy të akuzuarit, së bashku me mikun e tyre, Plarent Dervishaj, ishin në bordin e një automjeti tip “Range Rover”, kur, mesditën e 20 Qershorit 2019 u gjendën në breshërinë e kallashnikovë nga dy persona të maskuar dhe të paidentifikuar.
Si pasojë e sulmit, mbeti i plagosur shtetasi Bashkim Haxhia, ndërsa dy të tjerët shpëtuan pa dëmtime. Policia, e cila shkoi menjëherë në vendngjarje, zbuloi se i plagosuri Haxhia kishte një pistoletë dhe 6 fishekë.
Për këtë arsye, ndaj tij u vendos arrestimi në ambjentet e spitalit, ku gjendej për kurim. Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit, në përfundim të hetimeve për “armëmbajtje”, ka marrë të pandehur edhe personin tjetër që ishte në automjet, Julian Meçaj.
Çështja sapo është regjistruar në Gjykatën e Durrësit dhe ajo është në statusin “Përpunim”, gjë e cila do të thotë se ende nuk është caktuar se kur do të nisë procesi gjyqësor.
Ngjarja, për të cilën akuzohen Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhia, është një ndër më të rëndat të ndodhura gjatë vitit 2019.
Sipas informacionit zyrtar të Policisë në atë kohë, rezulton se: “Më datë 20.06.2019, rreth orës 13:20, në lagjen 17/1 Durrës, në rrethana ende të paqarta janë plagosur dyshohet me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, shtetasit J.M.,36 vjeç, dhe P.D.,47 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Durrësit. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”.
Burime nga vendngjarja deklaruan se ndaj tre personave që ishin objektiv i atentatit janë qëlluar mbi 40 plumba kallashnikovi.