Avokati Ledoi Braho e quajti “një hakmarrje me dirigjimin e kryeministrit” procedimin e prokurorisë së Tiranës për ish-deputetin Ervin Salianji dhe gazetarin Jetmir Olldashi, për çështjen “Geron Xhafaj”.
“Është bërë një hetim ka 1 vit e gjysmë, është bërë gjykim themeli, për herë të parë kërkohet një masë e tillë dënimi. Ndërkohë Geron Xhafaj po vuan dënimin në Itali, që këtu duket ndryshimi, hakmarrja që bëhet me një procedim penal nga prokurori, që nisi me dirigjimin e kryeministrit, se ishte ai që foli për një aktor, për një akt-ekspertimi dhe prokuroria e ndoqi”.
Kush e pagoi Alizotin?
Braho tha se e vetmja provë e prokurorisë në pretencën që paraqiti një ditë më parë janë deklarimet e Fredi Alizotit. “Si rrallë here prokuroria mbështetet te dëshmia e një personi që është i bashkëpandehur, një person i dënuar më parë disa herë”, tha avokati në studion e “A2”.
Duke u ndaluar te akuza e prokurorisë se ish-deputeti Salianji i ka ofruar para Fredi Alizotit për të realizuar audio-përgjimin fiktiv, avokati sqaroi se pse kjo hipotezë e akuzës bie.
“Prokuroria ka kërkuar të thirren dëshmitarë drejtuesi dhe zv/drejtuesi i Policisë së Fierit. Ata kanë pranuar se i kanë dhënë para Alizotit, por jo qëllimin. Kanë thënë se i kanë dhënë para të qëndronte në hotel, etj, por s’është kjo detyra e Policisë së Shtetit. Kanë përfshirë dhe ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafajn duke thënë se detyra i është caktuar nga ‘shefi i madh’”.
Avokati tha se nga përgjimet del se personat që i kanë dhënë para Alizotit janë drejtuesit e policisë dhe deputeti i PS Taulant Balla: “I janë dhënë para për të bërë deklaratë të rremë”.
Dëshmia e Alizotit që rrëzon prokurorinë
Duke u ndaluar te dëshmia e Alizotiut, avokati shpjegon se si ajo rrëzon vetë akuzën e prokurorisë që është bazuar në dëshminë e të pandehurit.
“Alizoti pranon se nuk e ka takuar as Salianjit as gazetarit Olldashi. Akti i ekspertimit thotë motamo se ‘zëri i Alizotit është i ngjashëm me atë të Geron Xhafajt dhe të dy janë të ngjashëm me zërin e audio-regjistrimit’. Akti thotë që biseda është bërë në këmbë se lëviz këndi i zërit, kurse Alizoti thotë që kemi qenë ulur”.
“Gjykata si prokuroria”
Braho tha se si prokuroria, ashtu dhe gjykata po punojnë nën urdhrat e pushtetit.
Kërkesat nga ana jonë, tha Braho, për të thërritur në gjyq një sërë dëshmitarësh, si Ramën, Geron Xhafajn apo Taulant Ballën, janë rrëzuar.
I pyetur për vendimin e gjykatës, Braho tha se “pritshmëria politike është e njëjta që prisnim nga prokuroria, që s’ka asnjë provë ku e mbështet akuzën”.
“Shpresoj që gjykatësi të reflektojë në kohë”, deklaroi avokati.