Pas dy muajsh shtyrje, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dëgjoi të mërkurën drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, njëkohësisht kandidate për një vend në Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK.
Trupa gjykuese që hetoi çështjen, e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Etleda Çiftja, bëri me dije se Jella ishte hetuar në të tre kriteret dhe ishte rihetuar pas një informacioni të ardhur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe disa denoncimeve në media.
Në seancë u bë me dije se ndaj Jellës ishin bërë hetime të thelluara mbi pasurinë dhe një sërë personash të lidhur, figurën e saj dhe të bashkëshortit si dhe mbi profesionalizmin. Relatorja vuri në dukje kalimin e barrës së provës mbi një apartament në Durrës dhe po ashtu edhe për shtëpinë e prindërve të bashkëshortit në Peqin.
Barrë prove po ashtu i ishte kaluar Jellës edhe mbi figurën e bashkëshortit –gjithashtu prokuror, për të cilin ishin kryer një sërë verifikimesh në Itali. Po ashtu, Jellës i ishin hetuar pas denoncimeve në media një sërë çështjesh. KPK bëri me dije se 20 dosje ishin marrë në shqyrtim pas denoncimeve në dy portale.
Nga relatimi rezultoi se Jella ishte rihetuar kryesisht mbi qëndrimin e saj si drejtuese e Prokurorisë së Durrësit sa i përket hetimeve ndaj drejtuesve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për pronat në bregdetin e Durrësit dhe vonimin me disa ditë të ekzekutimit të urdhër-ndalimit të kërkuar nga një prej prokurorëve për një drejtues të lartë të ASHK-së.
Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs, siç doli në seancë, kishte vizituar prokurorinë e Durrësit në kërkim të informacioneve mbi këtë çështje. Jacobs ishte aktiv në seancë, ndërsa akuzoi Jellën për “punë të dobët” në një rast hetimi që ajo kishte ndjekur si prokurore dhe po ashtu vuri në dukje se kishte “mjegull mbi apartamentin” dhe qasje kontradiktore të saj nga pozicioni i drejtueses në dy çështje, që sipas tij linin dyshime se ishte favorizuar i pandehuri.
Jella sqaroi në seancë qëndrimet e saj sa i përket pasurisë, duke shpjeguar se ajo ishte vendosur me burime të ligjshme. Ajo solli një seri fotosh që i ishin kërkuar nga KPK. Ndërkohë, ajo mohoi akuzat e Jacobs dhe dha shpjegim për qëndrimet e saj në çështjet e përmendura. Jella tha se vonesa e pretenduar për çështjen e pronave justifikohej me faktin se në prokurori kishte njëkohësisht dy hetime për çështjen dhe se ajo kishte synuar të rakordonte prokurorët, duke i dhënë prioritet hetimit proaktiv që sipas saj rezultoi i sukseshëm.
Anita Jella është një ndër 15 prokurorët e zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK dhe procesi i vetingut është hallka e fundit që i duhet për t’u emëruar në këtë post.
Përballja me Jacobs
Më 4 tetor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shtyjë seancën e parë dëgjimore për drejtuesen e prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, pas gjetjeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Në të njëjtën ditë në Durrës, gjykata e faktit vendosi masë sigurie me burg për drejtuesin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Liridon Pulaj. Po ashtu, masë sigurie u vendos edhe ndaj një punonjëseje të ASHK-së.
Prokurori i çështjes, Arjan Ndoja u sulmua në atë moment publikisht nga zv.kryeministri Erjon Braçe për lidhje me krimin e organizuar. Ndoja më vonë u sulmua në një atentat, në të cilin mbeti i vrarë shoferi i tij, ndërsa ishte në makinë me një person të skeduar prej policisë dhe të proceduar penalisht. Këshilli i Lartë i Prokurorisë madje kërkoi hetimin disiplinor ndaj Ndojës bazuar mbi këtë kontakt.
Disa javë pas arrestimit të Pulës, më 22 tetor, me kërkesë të prokurorit tjetër të Durrësit Afrim Shehu, gjykata urdhëron masa sigurie me burg për 9 ish-zyrtarë të ASHK-së dhe disa persona të tjerë të akuzuar për përvetësim pronash publike. Dosjet i referohen një sërë pronash në zonën e lakmuar të Kepit të Rodonit. 68 mijë metra katrorë tokë dyshohej se ishin përvetësuar përmes falsifikimeve.
Përplasja në prokurorinë e Durrësit mbi këto dy dosje u rikthye në skenë të mërkurën, kur drejtuesja Jella u përball me pyetjet e vëzhguesit ndërkombëtar Theo Jacobs. Nga marrja në pyetje e Jacobs dhe gjetjet e KPK-së u bë e qartë se dy hetimet ishin përplasur në zyrën e Jellës dhe kjo e fundit, siç shpjegoi në seancë, i kishte dhënë prioritet hetimit të nisur nga Shehu.
Jacobs tha se kjo kishte vonuar arrestimin, edhe pse siç doli nga procedura, prokurori që duket se është Ndoja, kishte refuzuar të ndiqte këshillën e Jellës dhe kishte dërguar për masë sigurimi dosjen ndaj Liridon Pulës. Jacobs tha se qëndrimi i prokurores kishte favorizuar të pandehurin dhe se masa e sigurisë ishte pranuar në gjykatë.
Jella e kundërshtoi këtë pretendim të vëzhguesit ndërkombëtar. Ajo tha se ditën që kishte nisur kjo çështje, ajo ishte duke u marrë me vetingun dhe se kërkesa nga prokurori i kishte mbërritur në limit të orarit zyrtar dhe se ia kishte përcjellë atë zëvendësdrejtuesit. Jella vuri në dukje se kishte qenë ky i fundit që e kishte informuar se personat për të cilët kërkohej ndalimi, ishin pjesë e një hetimi proaktiv të nisur tashmë nga Prokuroria e Durrësit.
Ajo shpjegoi se në këtë rast kishte kërkuar një mbledhje të prokurorëve për t’u rakorduar. Mbledhja ishte caktuar të hënën, por në të ishte paraqitur vetëm një nga prokurorët. Jella tha se nuk ishin mbajtur shënime në mbledhje, gjë për të cilën u kritikua nga Jacobs, por që sipas saj ishte praktikë pune në prokurori.
Ajo tha se provë ishte raporti i prokurorit tjetër me e-mail mbi dosjen që ai kishte në hetim dhe mesazhet dërguar prokurorit, që nuk u paraqit nga sekretaria e prokurorisë. Pas këtij raporti, Jella kishte nxjerrë një udhëzim për prokurorin, që siç kuptoi BIRN është Arjan Ndoja, për të mos proceduar me arrestimin. Ky i fundit, siç tha Jacobs, kishte vendosur ta “dërgonte në ferr” udhëzimin dhe kishte vijuar me kërkesën për të dërguar në gjykatë masën e sigurisë, e cila ishte sigluar nga Jella.
Jella vuri në dukje se udhëzimi nuk ishte detyrues, se arrestimi nuk ishte vonuar pa arsye dhe se ajo kishte kërkuar takimin e prokurorëve në bazë të funksionit për të rakorduar hetimet, pasi ndërkohë vijonte një hetim proaktiv ndaj të njëjtëve zyrtarë.
Jella tha se ky procedim i dytë penal, që i referohet arrestimit të 17 zyrtarëve dhe punonjësve të Kadastrës rezultoi i sukseshëm, ndërsa vuri në dukje se masa e sigurisë ndaj zyrtarit të kërkuar nga Ndoja ishte ndryshuar nga Apeli, duke i dhënë asaj të drejtë për mungesën e provave në atë moment.
Por me gjuhë plot ngjyra, Jacobs e përdori qëndrimin aktiv të Jellës në këtë rast si kontradiktë me një hetim tjetër, në të cilin ajo nuk kishte ndërhyrë, duke vënë në dukje kompetencat.
Sipas Jacobs, hetimi kishte përfunduar në Durrës pas shpalljes së moskomptencës nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte të bënte me gjyqtaren e Tiranës me inicialet Z.S. Prokurori i çështjes- tha Jacobs kishte dërguar çështjen për pushim në gjykatë, por kjo e kishte kthyer pas për rihetim, duke i dhënë një goditje prokurorit të çështjes, por edhe vetë zyrës së prokurorisë që drejtohej nga Jella.
Ai po ashtu vuri në dukje se hetimet në Durrës ishin bërë vetëm për një person civil, ndërsa nuk ishte ngritur çështje ndaj gjyqtares. Ai tha se Jella në këtë rast kishte qenë pasive, duke thënë se nuk mund të ndërhynte në çështjen e prokurorit konkret. “Ju duhet të sqaroni se pse ishit aktive në një rast dhe pse fshiheni pas kompetencave në rastin tjetër,” tha Jacobs, ndërsa shtoi se i krijohej përshtypja që në të dy rastet përfitonin të dyshuarit.
Jella pranoi se nuk kishte ndërhyrë në këtë rast. Ajo bëri me dije se çështja ishte nisur nga Krimet e Rënda dhe se trasferimi për kompetencë në Durrës nënkuptonte se nuk kishte prova ndaj gjyqtares dhe mund të konsiderohej si vendim mosfillimi. “Hetimi i gjyqtarëve bëhet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda,” tha Jella, ndërsa shpjegoi se sidoqoftë në Durrës ishin kryer hetime të përgjithshme që mund të shkonin edhe në këtë drejtim, por se nuk mund të ngrihej çështje ndaj gjyqtares. Megjithatë ajo tha se nuk kishte pasur asnjë mundësi ndërhyrjeje në dosje.
Jella tha se nuk justifikohej me kompetencat, por shpjegoi se në të dy rastet udhëzimet e saj nuk ishin urdhëruese dhe prokurorët s’kishin pse i merrnin parasysh. Ajo tha se nuk mund të ndalonte asnjë prokuror të pushonte një çështje, qoftë kjo edhe për vrasje dhe pretendoi se kjo ishte një mangësi e ligjit.
Jella dhe Jacobs u përballën po ashtu mbi një dosje që vetë prokurorja kishte hetuar. Dosja kishte të bënte me hetimin e një personi të akuzuar për dhunë në familje. Rezultonte se ai ishte ndaluar nga policia me një sasi pluhuri që ishte dyshuar drogë, por që kishte rezultuar paracetamol dhe qetësues. Jacobs tha se analizat e urinës kishin zbuluar që personi në fjalë ishte përdorues i drogës dhe se kishte gënjyer prokuroren, kur kishte deklaruar se nuk e përdorte drogë prej 8 muajsh.
Jacobs tha se si prokuror që kishte hetuar çështje të drogës për disa vite vendimi i Jellës për të mos ballafaquar analizën me dëshminë ishte një punë e dobët. Ai tha se ndërsa ishte e vërtet që paracetamoli nuk ishte i ndaluar, një prokuror duhej të dinte që ai përdorej për të shtuar sasinë e heroinës dhe se duhej të kishte ngritur dyshimet se mund të ishte edhe shpërndarës.
Ai tha se Jella minimalisht duhej të kishte pyetur personin në fjalë për gënjeshtrën mbi përdorimin dhe më pas të kishte hetuar pasurinë e tij, për të parë nëse ai kishte apo jo të ardhura për të blerë drogë dhe ku e siguronte atë.
Jella tha se e vlerësonte qëndrimin e Jacobs, por pretendoi se Kodi Penal nuk e lejonte atë të mbante në masë sigurie me burg personin, pasi ai nuk u kap me drogë dhe fakti që ishte përdorues nuk ishte vepër penale.
Jacobs ndërhyri i revoltuar, duke thënë se nuk i interesonte që personi në fjalë të qëndronte në burg dhe se kishte parë raste skandaloze kur personat mbaheshin në burg për pak gramë hashash për 2 vjet, por se kërkonte të kuptonte pse Jella nuk kishte vijuar hetimet dhe minimalisht marrjen në pyetje për gënjeshtrën.
Jella u përgjigj duke ripohuar qëndrimin e saj dhe shtoi në arsyetim se nuk kishte vend për hetime të tjera, pasi hetimi kishte qenë i hapur dhe jo pro aktiv dhe nuk e kishte gjykuar se ndjekja e mëtejshme e çështjes do ishte produktive.
Hetimi i pasurisë
Ngjashëm Jacobs u duk dyshues mbi një sërë veprimesh që a i quajti të mjegullta mbi apartamentin e Jellës në Durrës. Jacobs i kërkoi ashtu si KPK Jellës shpjegime mbi këtë apartament.
KPK tha se nga hetimi rezultoi që banesa ishte porositur në vitin 2011, por në vitin 2016 ishte bërë një shkëmbim banese me vëllanë e bashkëshortit dhe se ishte hequr dorë nga banesa e parë. Sipas KPK-së, kishte mungesë dokumentacioni për të provuar një pagesë prej 15 mijë eurosh si këst i parë dhe kishte dyshime se pse ende nuk ishte paguar kësti i fundit prej 12,900 eurosh. Po ashtu dyshime dolën edhe nga fakti se Jella kishte jetuar në banesë që prej vitit 2011, por pagesa e dritave kishte filluar në vitin 2014.
Megjithatë, KPK tha se nga hetimet kishte rezultuar se Jella kishte pasur burime të ligjshme për këtë pasuri.
Jella shpjegoi se shkëmbimi i pasurisë me vëllanë e bashkëshorit ishte bërë pasi ky i fundit kishte vendosur të tërhiqej nga blerja e apartamentit. Nga shpjegimet rezultoi se kunati i prokurores kishte nënshkruar kontratë një vit më herët me kompaninë, por më pas ishte tërhequr. Jella tha se fillimisht ishin vendosur në këtë banesë në vitin 2011, pasi ajo kishte qenë gati dhe se pasi ishte kuptuar që kunati nuk e donte më apartamentin, ishte kërkuar menjëherë shkëmbimi.
Jella vuri në dukje se shkëmbimi ishte vonuar deri në vitin 2016, për shkak se kompania e ndërtimit nuk kishte shlyer ende kunatin. Ajo megjithatë tha se e gjithë kjo ishte një marrëdhënie besimi në gjini dhe se ajo nuk kishte prishur kontratën e parë për të siguruar që vëllai i bashkëshortit do merrte pas paratë nga kompania. Ajo sqaroi se pagesat për OSHEE për tre vjet ishin bërë nga kompania, pasi pallati ishte furnizuar prej sahatit të kantierit.
Jella shpjegoi sipas saj edhe mungesën e dokumentacionit, por tha se çdo gjë ishte cituar në kontratën e porosisë dhe se pagesa ishte kryer pak para se të nënshkruhej ajo. Ajo tha se paratë ishin marrë cash nga kursimet e saj të deklaruara deri në atë moment dhe se ishin burime të ligjshme.
Nga procesi i marrjes në pyetje të Jellës dhe dialogu me Jacobs rezultoi se banesa ishte dëmtuar nga tërmeti i fundit. Jella ndërkohë i tha KPK-së se kishte sjellë foto që provonin se ajo nuk ishte pronare e apartamentit tjetër, i cili i ishte kthyer kompanisë. Ajo po ashtu shpjegoi dyshimet e ngritura nga KPK mbi vlerën e një prone të familjes së bashkëshortit në Peqin. Shtëpia sipas KPK-së ishte vlerësuar nga një bankë që kishte dhënë kredi për të shoqin dhe vëllain e tij, njëherë në vlerën 50 mijë euro dhe në një rast tjetër 110 mijë euro.
KPK bëri me dije po ashtu disa denoncime ndaj Jellës dhe të shoqit, të cilat ishin hetuar. Sipas KPK-së ishte hetuar edhe mundësia që bashkëshorti i Jellës të kishte pasur një emër tjetër në Itali. KPK tha se çifti, që të dy prokurorë, kishin bashkëpunuar në këtë pikë dhe se nuk ishin provuar dyshimet e pretenduara në denoncim.
Jella i cilësoi denoncimet dashakeqe dhe pretendoi se po hetonin privatisht për të kuptuar kush fshihej pas tyre. Vendimi për Jellën do të njoftohet më 10 dhjetor në orën 11.50. /BIRN/