Specialitët në Shqipëri mendojnë se pasojat e rënda pas tërmetit të 26 Nëntorit në një pjesë të konsiderueshme të territorit, kanë si shkak përveç tërmetit edhe faktorin njerëzor. Gjeologë, inxhnjerë dhe urbanistë konstatojnë se dëmet u shumfishuan si rrjedhojë e ndërtimeve në zona të rrezikshme, pa kriter pa planifikim, me cilësi të dobët jashtë kushteve teknike, për të cilat prej vitesh i kanë tërhequr vëmendjen autoriteteve por pa rezultat. Ligjet për kontrollin e ndërtimeve dhe të cilësisë së tyre ekzistojnë por në mjaft raste ato nuk janë zbatuar thonë ekspertët. Ata shprehen se tërmeti zbuloi të gjitha defektet e ndërtimeve në 3 dekada në Shqipëri.
Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri që shkaktoi 51 viktima, afro 900 të plagosur dhe dëmtoi sipas të dhënavë paraprake 7900 pallate dhe banesa zbuloi një sërë problemesh që lidhen me planifikimin e territorit, ndërtimet pa leje, projekimet dhe zbatimin e kushteve teknike të ndërtimit. Specialistë të fushës së gjeologjisë, urbanistikës dhe ixhinjërisë rendisin si shkak të kësaj katastrofe krah tërmetit edhe faktorin njerëzor.
“Janë disa faktorë. Faktor është tërmeti. Faktor është gjeologjia. Faktor është cilësia e materilave të ndërtimit. Faktor është çimetoja, hekuri dhe mënyra se si përgatiten materialet” – thotë Fitim Bello Inxhinier ndërtimi.
Specialistët mendojnë se ajo që ndodhi në Durrës është rrjedhojë e ndëertimeve me leje dhe pa leje në zona të cilësuara të rrezikshme për ndërtime si në zonën e kënetës dhe në atë të plazhit.
“Është ndërtuar sipas njohjeve. Tani miku është shoqëruar dhe me ca vlera monetare, sepse nuk është vetëm mik. Problemi është që
gjithë ai plazh që menduan autoritetet për t’a zhvilluar në zonë të banuar ku e kanë planin?”- shprehet Luljeta Bozo, Pedagoge në fushën e Gjeoteknikës.
Urbanistët mendojnë se zhvillimi i territorit në Shqipëri ka ardhur i paplanifikuar dhe se i është dhënë më shumë rëndësi lejeve të ndërtimit se sa planifikimit të territorit.
“Kjo ka sjellë që niveli i korrupsionit të jetë i lartë, në shumë dimensione. Jo vetëm korrupsioni në kuptimin e mitmarrjes që njohim, por dhe të trafiqeve politike dhe marrëdhënieve të dyshimta ose të diskutueshme, si përsa i përket moralit ashtu edhe përsa i përket ligjit” – thotë Gent Kaprata, specialist urbanist.
Ekspertët ngrenë shqetësimin për mënyrën se si është ndërtuar, kriteret e dhënies së lejeve të ndërtimit, zbatimin e projekteve, kontrollin e cilësisë së punimeve gjatë ndërtimit të godinave disa katëshe që u rrëzuan ose mbetën të dëmtuara rëndë nga tërmeti.
“Një pjesë e mirë e atyre që janë dëmtuar kanë qenë për mungesë projekti, mungesë të respektimit të rregullave elementare të zbatimit të projektit, për mungesë të materialeve të përshtatshme, të gjiutha, janë bashkuar tw gjitha. Por mbi të gjitha është për mungesë projekti. Kur them projekti, kam parasysh se duhet të njohësh truallin. Si mund të bësh 4 kate dhe të shtosh dhe 4 të tjera. Themeli mban vetëm 4, kush do t’i mbajë 4 të tjerat. Hotel Palma në Durrës edhe pa tërmet do ishte shëmbur”. shprehet Luljeta Bozo Pedagoge në fushën e Gjeoteknikës.
Ekspertët sqarojnë se ekzistojnë të gjitha ligjet, që parashikojnë kontrolle që nga marrja e lejës së zhvillimit dhe deri në dorëzimin e godinës së ndërtuar tek autortetet lokale, që përfshijnë projektin, studimin gjeologjik dhe sizmik, kontrollin e supervizorit në cdo hap të
zbatimit të projektit, kontrollin e ekperteve të pushtetit vendor, kryerjen e analizave të cilësisë së betonit dhe hekurit dhe deri tek certifikimi final ai që quhet kolaudimi, pa të cilin objekti nuk mund të merret në dorëzim nga bashkia. Por cfarë ka ndodhur dhe përse godina si ato në Durrës që parashikohet të përballojnë një tërmet i shkallës 8 sipas Rihterit u rrëzuan me 6.4?
“Ato që janë ndërtuar mirë i provoi tërmeti. Tani janë 4 godina, 3 prishen 1 nuk prishet. Çdo të thotë kjo? Ky që nuk është prishur është ndërtuar mirë. Të tjerët kanë ndërtuar keq”- pohon Fitim Bello, Inxhinier ndërtimi.
Pedagoja e fushës së gjeologjisë Luljeta Bozo nënvizon disa problem të evidentuara ndër vite, në fushën e ndërtimit në Shqipëri, të cilat tërmeti i zbuloi tërësisht.
“A është zbatuar projekti pikë për pikë, apo ata që e zbatojnë janë futur në presionin e investitorit i cili do të kursejë sa më shumë. Nuk kanë bërë prova, jo të gjithë kanë bërë prova edhe për betonin edhe për hekurin edhe për çimenton. E fillojmë që nga themeli. U hodh themeli. Ku i ke provat që ke realizuar themelin? Duhet të kesh marrë kubikë betoni, të kësh marrë hekurin t’a kesh dërguar në laborator, të kesh çertifikatat e cilësisë që vërtetojnë që ti e ke patur në cilësinë e duhur këtë matërial që ke përdorur. Kjo herë është bërë dhe herë jo. Këtu munon hallka. Është supervizori por ai në shumë raste blihet ose paguhet nga investitori. Investitori ka interes të mbarojë shpejt”- shprehet Luljeta Bozo Pedagoge në fushën e Gjeoteknikës
Një nga problemet që doli në pah pas lekundjeve të forta të tërmetit të 26 nëntorit lidhet me ndërtimet pa leje, të cilat llogariten mbi 300 mijë, me
një rritje vit pas viti në tre dekadat e fundit. Ekspertë të fushës jurdike vërejnë se këto ndërtime e thelluan dëmin njerëzor dhe material.
“Ndërtimi pa leje është si të ta marrë mendja. Pa supervizor, Mundohen të kurosejnë sa më shumë. Pas ndërtimeve pa leje, kjo politikë ky shtet kishte shansin t’i çonte në një skaner sizmik gjeologjik këto ndërtime, që për efekte elektorale i legalizoi. Ti ja kthen fizikisht objektin këtij njeriu, por ti s’mund t’i kthesh një banesë të pabanueshme nesër”- pohon Genc Gjokutaj avokat për çështjet penale.
Specialist të fushës së ndërtimit shohin problem edhe tani gjatë procësit të inpektimit të godinave të dëmtuara.
“ Lëri të lirë specialistët. Shkon atje dhe thua, ky pallat bën dhe ky nuk bën. Me ç’të drejtë? Ku e ke proçesverbalin? Ku janë analizat? Dalin dhe thonë se pamë 50 pallate, Ku i pe ti 50 pallate. Ku janë dokumentat. Për mendimin tim ka shumë vend për përmirësime”- thotë Fitim Bello Inxhinier ndërtimi
Ndërkohë prokuroritë e rrethit të Durrësit dhe Tiranës dy qytetet më të prekura nga tërmeti kanë nisur hetime prej disa ditësh në ,lidhje me ndërtesat e dëmtuara. Avokati Genc Gjokutaj vëren se hetimi po shoqërohet me zhdukjen e provave.
“Një pallat, gjysëm i shembur është prova mbi të cilën ekspertët do të konkludojnë dhe duhet t’i thonë shtetit, ti nuk do vazhdosh më në këtë formë. Të gjitha ndërtesat e dëmtuara duhet të inspektohen, të dalin përgjegjësit dhe pastaj të shëmben”- argumenton Genc Gjokutaj avokat për çështjet penale.
Specialistët prej kohësh kanë ngritur shqetësime mbi cilësinë dhe ndërtimet pa kriter në të gjithë vendin. Ata herë pas here kanë pralajmëruar autoritetet mbi pasojat, por thirrjet e tyre nuk janë dëgjuar. Në të gjitha rastet, ajo që vihet re është mungesa e theksuar e rolit të shtetit për të kryer funksionin kryesor atë të sigurisë së banorëve Edhe në komentet e fundit të drejtuesve të shtetit, kritikat kryesore janë drejtuar ndaj ndërtuesve duke lënë jashtë zyrtarët për abuzimet e shumta që dyshohet se kanë bërë, në një kohë kur përgjegjësia mund të jetë ë barabartë. /VOA/