Nga Boldnews.al
Është dita që eksperti të flasë, është koha që specialisti i emergjencës të nxjerrë trupat nga rrënojat e objekteve të shembura nga tërmeti, është koha e solidarizimit, është momenti për të gjetur forcë në mposhtje të dhimbjes, por është koha, pikërisht tani e jo më vonë, që politikanë delirantë të kyçin gojën, të mbledhin atë mendje të shpërndarë çmendurisht. E sot, në Ditën e Flamurit, në 107-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë kryeministri ynë kërcënon, ka marrë fuqi të “mbinatyrshme” edhe nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Paralajmëroj për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtezakonshme, do jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nese vazhdojnë me lajme të rreme që hapin panik! Në këtë situatë të jashtëzakonshme, ku duhet matur çdo fjalë është e patolerueshme që të publikohen sharlatanizma delirantësh vendas a të huaj apo të shtrembërohen, sipas avazit të zakonshëm, prononcimet e shpjegimet e arsyeshme të ekspertëve! STOP DHE STOP TANI! MENJËHERË!!!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Media në tërësi ka dy ditë që kyç gojën, raporton për mbi 40 viktima që shkaktoi tërmeti, mbi 650 të plagosur, më shumë se 2000 të pastrehë dhe ankthin që nuk po ndahet. Sheh paudhësitë e një qeverie, e sërish bën mënjanë, shmang një lajm, mbulon një të vërtetë edhe duke shkelur parimet për të cilën ajo ekziston: raportimin e së vërtetës. Jo pa qëllim; respektohet dhimbja njerëzore e të gjithëve.
Por Rama kërcënon, madje me ultimatum! Sërish media do bëjë një hap pas, po për hir të dhimbjes, edhe pse po me aq dhimbje shohim kolegët tanë që rendin pas politikejve me orë të gjata nëpër studio të lëvizshme qokash mbi rrënoja, që mbajnë veshur xhup “moncler” që kushton 1500 euro dhe pas shpinës është një zjarrfikës shqiptar me një xheketë të falur. Këto shfaqje të shpifura i shohim, e sërish heshtje, ulje kokë e kthim koke aty ku është tragjedia, që populli i varfër e ndjen me fort se kushdo këtë gjëmë të natyrës.
E kaluam përciptash edhe një deklaratë të gjatë, fort të pisët të kryeministrit që gjeti “shkakun” se përse bie tërmeti. “Nuk i shkon as kësaj tryeze dhe as formimit dhe besimeve tona që të flasim për supersticione, por unë do të doja të thosha që, kjo nuk është fakt, nuk është as ndjesi, por është nevojë për ta thënë që ka shumë gam-gam në këtë vend, që sikur ndjell të keqen. Ka shumë gam-gam dhe gamgamistët na kanë përfshirë të gjithëve në gam-gam dhe kanë gamgamosur shpirtin e njerëzve të zakonshëm, duke i kthyer në skllevër të gamgamit,” tha Rama.
Zotnia kryeministër e “zbuloi” shkakun e fatkeqësisë natyrore që sipas tij vjen edhe nga “konfliktet politike e publike”. Por Zoti ia mbajti atë kokërr gruri që të mos vijonte më tej… sepse i kishte të gjitha mundësitë që të thonte se nëse kritikon qeverinë ndjell të keqen…
Po kjo deklaratë e kryeministrit a është dizinformim i qëllimshëm, a është sharlatanizëm dhe përhapje të pavërtetave që “shkaktojnë panik”, (për më shumë dënohen me ligjin pas shpalljes së gjendjeve të jashtëzakonshme). A mos Rama duhet të nisë nga vetja? Nuk kërcënohet në ditën e dytë të zisë kombëtare dhe në ditën e përkujtimit të 107-vjetorit të Pavarësisë, ku edhe aty nuk e hoqi zakonin e vjetër me tuta veshur, por të paktën këtë herë ishin “klasike”.
Flamurin sot po e mbajnë njerëzit e thjeshtë dhe qytetarët e mirë që heqin kafshatën e tyre dhe e dërgojnë në ndihmë të të prekurve, efektivët e forcave zjarrfikëse, të policisë, të ushtrisë që janë të keqpaguar, të patrajnuar, të paveshur, por edhe të pangrenë. Ashtu mbi rrënoja shpëtojnë jetë, por edhe vriten në shpirt që shohin kolegët e ardhur nga jashtë, madje edhe vellezërit Kosovarë, që shpërblehen për mundin, trajnohen e trajtohen mirë, u japin mjete logjistike dhe janë të denjë për të përballuar çdo fatkeqësi të natyrës.
E ka davanë e humbit. Flamurin sot e ka tjetërkush, është populli, qytetaria këtu e andej kufirit që po solidarizohet pafundësisht. Ramës i ka mbetur në duar vetëm shkopi i flamurit që edhe atë po e përdor si mjet “dhune” kundër mediave që nuk i vijnë pas avazit dhe si bëjnë elozhe deri në lëpirje si disa të tjerë, që shkulin studiot dhe bëjnë spektakël mbi rrënoja tërmetesh, që thërrasin kryeministrin për minuta të tëra dhe bishtnojnë ekspertin, qytetarin, hallexhiun që në mos pas humbur jetë i ka mbetur nën rronoja e vetmja pasuri; çatia mbi krye!
Meqë flamurin ta kanë marë këto ditë dhe te ka mbetur vetëm shkopi dhe kjo gjë të bën të mos ndihesh rehat, gjeji vendin dhe “fshihe” në një vend të padukshëm dhe me siguri do jesh rehat, do gjesh paqen e munguar.