Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama njoftoi mëngjesin e së Mërkurës se Këshilli i Ministrave do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në qarkun e Tiranës dhe Durrësit për 30 ditë, si pasojë e tërmetit të fuqishëm, shoqëruar me tragjedi njerëzore, ndodhur duke u gdhirë 25 Nëntori.
Vendosja e Gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të fatkeqësive natyrore bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në ligjin “Për Mbrojtjen civile”, i miratuar vetëm pak muaj më parë.
Gjendja e jashtëzakonshme shoqërohet me masa të jashtëzakonshme për të risjellë normalitetin, parashikimin për kompensimet e dëmeve, si edhe kufizimet të disa të drejtave civile, përfshirë lëvizjen, qëndrimin pranë zonave të rrezikut, por edhe aktivitetet politike me ndikim të rëndësishëm.
Kryeministri Rama deklaroi se gjendja e jashtëzakonshme do të vendoset në qarkun e Durrësit, në të cilin përfshihen zonat më të prekura nga tërmeti, Durrësit dhe Kruja. Ndërkohë, megjithëse tërmeti tmerroi edhe banorët në Tiranë, dëmet në kryeqytet janë të vogla, krahasuar me ato të Durrësit dhe Krujës.
Ndaj, vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme në Tiranë nuk duket se ka lidhje me pasojat e tërmetit, por ngjan më shumë si një “lëvizje politike” e kryeministrit, për të minimizuar sa të mundet kritikat e natyrës politike, që mund të vijnë ndaj tij për shkak të administrimit të dobët të situatës me pasojat e tërmetit.
Masat e jashtëzakonshme, Durrësi
Ligji “Për Mbrojtjen Civile”, i miratuar rreth 3 muaj më parë, është një material i bazuar në dokumentat ndërkombëtarë për katastrofat natyrore, ku përfshihen edhe tërmetet. Ligji duket se ka të parashikuar të gjithë mekanizmat për parandalimin, aq sa është e mundur, menaxhimin e krizave, mjetet që do të realizohet mbrojtja civile dhe kompensimi i dëmeve.
Por, përtej parashikimeve ligjore, zbatimi i ligjit në praktikë ishte shumë larg teorisë. Shteti shqiptar nuk ka kapacitetet minimale për të menaxhuar situatën me efikasitet dhe për të minimizuar dëmet në jetët njerëzore.
Kjo u konstatua në terren, në qytetin e Durrësit, në zonën e njohur si Këneta në këtë qytet dhe në Thumanë të Krujës. Fuqitë minimale për përballimin e krizës u pranuan edhe nga kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e qeverisë, mëngjesin e së Mërkurës.
Ndërkohë që situata në terren po agravohet ora-orës, për shkak se disa persona gjenden prej më shumë se se 30 orësh nën rrënoja, tashmë qeveria duhet të miratojë Vendimin përkatës, në të cilin të parashikohen edhe kompensimet e dëmeve për familjet e prekura.
Ligji “Për Mbrojtjen civile” parashikon që qeveria, nëpërmjet një Vendimi të posaçëm, parashikon, ndër të tjera, edhe masën e kompensimit për dëmet. Kushdo që flet me siguri se kompensimi do të jetë 100 përqind, duhet të mbajë në vëmendje se ligji ‘Për Mbrojtjen Civile” nuk e shpreh në mënyrë taksative këtë shifër.
Në nenin 41 të ligjit 49/2019, parashikohet, ndër të tjera se: “Masa e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe pasuritë dhe subjektet që kompensohen miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Gjithësesi, vendosja në lëvizje e mekanizimit të “gjendjes së jashtëzakonshme” krijon premisat që qeveria të përgjigjet, në bazë të mundësive të saj, për të kompensuar dëmet strukturore nga tërmeti (shtëpi, apartamente, biznese, etj.).
Ndërkohë, pritet që më e ndërlikuar të jetë kompensimi për jetët e humbura të njerëzve nën rrënoja. Për ata persona, të cilët fatkeqësisht humbën jetën, dhe që kanë pasur sigurim jete, shpërblimin e dëmin për familjarët paguhet nga kompanitë e sigurimeve.
Por, me shumë mundësi, pjesa më e madhe, në mos të gjithë personat që humbën jetën, nuk kanë pasur sigurim jetese. Ndaj, qeveria do të duhet të vendosë në lëvizje mekanizmat humanitarë për dëmshpërblim për jetët e humbura.
Masat e jashtëzakonshme, Tiranë
Qeveria pritet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme edhe në qarkun e Tiranës. Nëpërmjet këtij mekanizmi, qeveria duhet të kompensojë dëmet infrastrukturore të shkaktuara nga tërmeti i datës 25 Nëntor 2019.
Por, ky mekanizëm, sidomos për Tiranën, nuk përfshin rreth 1800 banesa, të cilat presin rehabilitimin pas tërmetit të Shtatorit 2019.
“Gjendja e jashtëzakonshme” për Tiranën, më shumë se sa për dëmet e natyrës, po aplikohet për “kufizimin” e lirive politike.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon se “Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Zgjedhjet vendore mund të bëhen vetëm aty ku nuk zbatohen masat e jashtëzakonshme”.
Shqipëria, megjithë krizën e rëndë politike, nuk duket se ka në plan, të paktën në 30 ditët e ardhshme, për të zhvilluar zgjedhje vendore apo për të zgjedhur një President të ri. Por, brenda këtij 30-ditori ekzistonte një mundësi, teorike, për thirrjen e një referendumi popullor.
Presidenti Ilir Meta deklaroi pak ditë më parë se, në Ditën e Rinisë, në 8 Dhjetor, do të shpaloste idenë e tij për referendum për mbrojtjen e demokracisë.