Nga Boldnews.al
Zonja ia ka parë hairin këtij vendi. Karriera e Mimi Kodhelit ndriti kur në Bashkinë Tiranë erdhi Edi Rama. E mori si krahun e djathtë të tij, i dha benefitet e duhura, i besoi shumëçka dhe kur iu fut politikës së madhe, e bëri deputete dhe njëkohësisht edhe Ministre të Mbrojtjes në mandatin e parë 2013-2017.
Kjo është Shqipëria e bukur, fantastike, e jetës së lumtur, të udhëtimeve jashtë vendit me taksat e të vobektëve qytetarë dhe pasurisë që të vjen vetëm nga politika dhe pushteti. Ende jeni në dilemë se ky vend nuk bëhet dhe është i pajetueshëm? E keni shumë gabim, sidomos ju rinia, dëgjoni Mimi Kodhelin…! “Shqipëria është vendi më i bukur ku mund të rrijnë e të jetojnë të rinjtë. Jashtë je një robot, punë, shtëpi dhe gjumë. Nuk ka kafe, miq dhe shokë, ka vetem punë”-u shpreh sot Kodheli, e ftuar në emisionin e mëngjesit në “RTV Ora”.
Kjo është Shqipëria e kafeneve, e qejfit, ku punëtori quhet i marrë, ndërsa dallaveraxhiu, perversi, politkejtë e korruptuar dhe rinia pa shqisë reagimi, cilësohen elitë. Akoma nuk e besoni këtë? Vijojmë me Mimin tonë, gruashtruar, zëbindës dhe me vizion të “madh” prej një Rilindasje të vërtetë. “Cilësia e jetesës eshtë më e mirë apo shërbimet publike (jashtë vendit), por nuk gjeni një vend që ka një orë larg liqenin, një orë larg detin apo malin, një hap kafen apo shokun tuaj, nuk ka vend më të dashur se Shqipëria. Ne kemi një mënyrë të jetuari që shumëçka nga bota perëndimore na rri ngushtë dhe ndryshe. Mendoj që ky është një vend që ja vlen mundi”, shprehet më tej deputetja.
Këtë sheh Mimi, kështu e gjykon ajo. Po sot kafenetë po zbrazen, studentët rendin rrugëve për një punë, qoftë edhe si kamerierë në kafenëtë ku rri Mimi politikane, nëpunësi Rilindas, trafikanti i drogës që shpesh është edhe “pronar lokali”. Sot nuk ka punë, por shtyrje kohe dhe gjumë, aq sa mund të flejë një njeri në depresion nga mungesa e të ardhurave, borxhet nëpër dyqanet e lagjeve, kredia që ia marr frymën çdo ditë, taksat e shtuara të bashkisë dhe qeverisë.
Po, vendi ynë ka vijë të gjatë bregdetare, liqene, lumenj, lëndina, padyshim edhe shumë kafene. Po sot Mimi gati e fton rininë të mos largohet, të jetojë këtu, sepse atje jashtë vendit punë e gjumë ka.
Shumë të rinj nuk njohin një palë pushime një javore as në bregdetin tonë. Nuk kanë të ardhura, janë të papunë, ose në rastin më të mirë nëse me stërmundim e gjejnë një të tillë paguhen pak. Vetëm për të mbajtur familjen dhe veten me ushqimin e përditshëm dhe për të paguar tarifën e shtrenjtë të ujit, energjisë, apo ilaçet e prindërve.
Mimi mendon për veten. Sigurisht bota jashtë i rri ngushtë për të jetuar gjatë, por i rri kaq bukur për të kaluar pushimet jashtë vendit, të kalohet nata në hotele me pese yje, me familjet dhe miqtë, të vendit apo të huaj, dhe vërtetë ia “vlen mundi”, sipas Mimit tonë.
Bota e politikanëve shqiptarë është kjo pjesa e qendrës së Tiranës, e Bllokut, e seminareve, e panaireve të natyrës “Shqipëria punon tokën”, e botës televizive ku shfaqen femra të bukura dhe politikanë të veshur shtrenjt.
Po Shqipërinë tjetër e njeh zonja deputete? Atë Shqipëri ku moshataret e saj në fshat nuk dinë çështë një ditë pushim, që kafenë që ka provuar është ajo turke në ndonjë vaki apo shtëpi. Nuk dinë as çfarë është një krem kundër rudhës, por fytyrën e “pudrosin” çdo ditë me djersë duke punuar tokën me krahë dhe lot për fëmijët që kanë larg. Ata fëmijë që atje nga shkojnë bëjnë vetëm punë dhe gjumë…, pa qejfet e kafeneve, pa shëtitjen buzë detit, pa përdoruar makinat e shtrenjta të ardhura nga trafiku, korrupsioni, krimi, vjedhja dhe mitmarrja.