Kryetari i PD-së, Lulzim Basha zbardhi temat e diskutimit gjatë takimit të krerëve të opozitës me kreun e shtetit Ilir Meta, më herët gjatë kësaj të marte.
Basha foli për “prova tronditëse” pas takimit, ndërsa shtoi se çështja e dytë që u diskutua është “domosdoshmëria për zgjidhjen e krizës politike”.
Basha tha se Rama ka refuzuar disa herë dialogun me opozitën me ndërmjetësim ndërkombëtar.
“Prej më shumë se tre muajsh kjo detyrë është shtruar edhe nga institucionet ndërkombëtare, në veçanti nga fuqia më e madhe europiane Gjermania përmes mocionit të përbashkët të Bundestagut, është shtruar po kështu nga partnerët tani strategjikë. Prej më shumë se dy muajsh opozita ka shprehur gatishmërinë e saj për të kontribuuar përmes një dialogu transparent për një reformë zgjedhore dhe zbatimin e kësaj reforme zgjedhore siç e kërkon Bundestagu. Prej më shumë se katër muajsh Edi Rama ka refuzuar dialogun me ndërmjetësimin ndërkombëtar të ofruar të paktën në katër raste nga institucionet ndërkombëtare, në një tentativë për të mbuluar krizën e thellë politike në të cilën ndodhet vendi. Shtyrja e afatit të komisionit të reformës zgjedhore është një tjetër përpjekje për ti hedhur hi syve shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar. Opozita e bashkuar as nuk ka kërkuar as nuk kërkon dhe as mbështet shtyrjen për kalendat greke të reformës zgjedhore”, deklaroi në një prononcim për gazetarët.
Reforma zgjedhore
Lidhur me Reformën Zgjedhore, deklaroi se: “javën e ardhshme, opozita e bashkuar do të konkretizojë produktin e saj që është dokumenti strategjik për reformën zgjedhore në amendamente përkatëse me të gjitha ligjet për ndërhyrjet e nevojshme për këto ligje”.
“Pra propozimin e plotë për reformën zgjedhore, ndërkohë nga ana tjetër kemi pasur refuzim të dialogut kushtëzim të dialogut dhe sabotim të reformës zgjedhore. Ky është një film i parë e i stërparë. Qeveria vepron në kundërshtim me interesin e shqiptarëve dhe pastaj kërkon që t’ia hedhë fajin opozitës. Në s’mund ta pranojmë këtë. Për opozitën, propozimet do të jenë gati jo më vonë se sa fillimi i dhjetorit”, shtoi.
“Zgjedhje të parakohshme”
Kryetari i opozitës deklaroi se rruga e vetme për daljen nga kriza që ka kapluar vendin janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhore në të njëjtën ditë.
“Për opozitën dhe shqiptarët nuk ka dhe s’mund të ketë asnjë alibi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet vendore kushtetuese në të njëjtën ditë si rrugëdalje nga e vetme nga kriza. Nuk i mungon Shqipërisë dhe shqiptarëve asgjë në krahasim me Maqedoninë e veriut e cila u viktimizua për shkak të dështimit të Ramës me negociatat dhe prapëseprapë lidershipi politik atje mori përgjegjësitë që i takojnë, vendi shkon drejt zgjedhjeve parlamentare me një qeveri kujdestare për të garantuar votën dhe një proces normal politik. Ndaj dhe ne do vazhdojmë të insistojmë në këtë proces të pandryshueshëm të opozitës dhe do marrim të gjitha hapat e nevojshme si opozitë, duke u bërë thirrje dhe qytetarëve shqiptarë të cilët janë në shumicë numerike për zgjedhje të pakohshme parlamentare, për zgjidhjen e kësaj krize që po shkatërron ekonominë e vendit, që po shkatërron shpresën e shqiptarëve, për të marrë pastaj të gjithë bashkë hapat e nevojshme që i takojnë një shoqëria të civilizuar nëqoftëse përballet me një qeveri autokratike të paligjshme që pengon shprehjen e vullnetit të popullit përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Basha.