Kuvendi zhvillon sot seancën plenare të rradhës ku do të votohet edhe për zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në listën e dërguar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, janë renditur: Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Besnik Muçi.
Besnik Muçi u përzgjodh nga Presidenti Ilir Meta më 5 nëntor të këtij viti. Një ditë më parë, Presidenti i Republikës, përmes një letre drejtuar deputetëve u kërkon që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën.
Presidenti thekson se vetëm Kushtetuta ndan përgjegjësitë dhe radhën e ushtrimit të përgjegjësive nga secili institucion, ndërsa ka publikuar edhe letrën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi për këtë çështje mjaft të rëndësishme.
“Është e domosdoshme që këtë letër ta lexojnë me durim dhe kujdes, të gjithë deputetët përpara se të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”, apelon Meta.
Në letrën që Meta i ka drejtuar Ruçit dy ditë më parë ai shprehet se siç del qartë nga informacioni i përcjellë nga KED-ja, rezulton se Kryetari i KED-së, në të njëjtën datë 08.10.2019, ka realizuar procesin administrativ të dërgimit të listave pranë Presidentit të Republikës për plotësimin e 2 (dy) vakancave njëherazi.
“Nuk rezulton që KED-ja, në mënyrë kolegjiale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili sipas nenit 226 pika 2/e, të ligjit nr.115/2016, ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjellë ato organit të emërtesës”, shkruan Meta ndër të tjera në letrën drejtuar Kryeparlamentarit.
Në vijim, duke cituar Kushtetutën, Meta shkruan “Neni 179 pika 2 përcakton: “anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
Kuvendi më pas do të votojë si më poshtë këto projektligje:
Projektligji “Per aderimin e Republikes se Shqiperise ne Komisionin Nderkombetar per Eksplorimin Shkencor ne Detin Mesdhe”
Projektligji “Per faljen e gjobave te vendosura nga Autoriteti Kombetar i Ushqimit ndaj operatoreve te biznesit ushqimor”
Projektvendim “Per zgjedhjen e anetarit te Gjykates Kushtetuese (vakance e plote, shpallur nga Kuvendi i Republikes se Shqiperise ne daten 12 shkurt 2018)
Projektvendim “Per zgjedhjen e anetarit te Gjykates Kushtetuese (vakance e plote, shpallur nga Kuvendi i Republikes se Shqiperise ne daten 4 mars 2019)
Projektvendim “Per zgjedhjen e Komisionerit per Mbikeqyrjen e Sherbimit Civil”
Njoftim/miratimi i kalendarit 3 javor te punimeve te Kuvendit per periudhen 25 nentor- 13 dhjetor 2019
Njoftim/miratimi i kalendarit te veçante te shqyrtimit te projektligjit te buxhetit dhe te projektligjeve financiare qe kane lidhje me te
Per votim: Projektligji “Per aderimin e Republikes se Shqiperise ne Konventen Nderkombetare per Luften Kunder Falsifikimit te Monedhes”
Diskutime per çeshtje jashte rendit te dites.