Ai është një “playboy” që jeton mes femrave dhe makinave luksoze, gjithmonë dallon nga të tjerët, por në mënyrë të pashpjegueshme, për 30 vite ka arritur t’i shpëtojë autoriteteve italiane.
Ai është Matteo Messina Denaro, njeriu që konsiderohet të jetë “capo dei capi” i mafias siciliane dhe që dikur ka qenë në listën e 10 personave më të kërkuar në botë, bashkë me El Chapo-n dhe pasuesin e Osama Bin Laden.
I lënë në harresë për një periudhë të gjatë, emri i tij u rishfaq gjatë gjyqit të një miliarderi muajin e kaluar, i cili u burgos për faktin se kishte ndihmuar me disa biznesmenë të tjerë për financimin e aktiviteteve të 57-vjeçarit Denaro, të njohur edhe si Diabolik në Itali, sipas një personazhi të filmave të animuar.
Bosi i bosëve është akuzuar edhe për përfshirjen në vrasjen e një gruaje shtatzënë, mbytjen dhe zhdukjen me acid të një fëmije. Në total, mbi të rëndojnë akuzat për 50 vrasje. Sipas raportimeve në Itali, dikur është mburrur para të tjerëve: “Kam mbushur i vetëm një varrezë”.
Si djali i një bosi mafioz me ndikim në Costa Nostra, Francesco Messina Denaro-s, Diabolik mësoi të përdorte pistoletën në moshën 14-vjeçare, ndërsa vrasjen e parë e kreu kur ishte 18 vjeç. i veshur shpesh me Armani, një prej viktimave të para të tij ka qenë pronari i një hoteli i cili kundërshtonte marrëdhënien e tij me recepsionisten.
Në vitin 1993, pasi ekzekutoi bosin kundërshtar Vincenzo Milazzo, ai mbyti me duar të dashurën e tij shtatzënë. Gjithashtu, autoritetet italiane besojnë se ka qenë i përfshirë në grabitjen dhe vrasjen e 11-vjeçarit, Giuseppe di Matteo, të cilin e mbajti peng për dy vite, në përpjekje për të ndaluar babain e tij që të dëshmonte në gjyq kundër mafias.
Kur shteti italian nisi të godiste organizatën e tij në fillim të viteve 1990, Denaro u shndërrua në një “ushtar” të devotshëm në luftën kundër autoriteteve. Ai besohet se ka luajtur rol edhe në vrasjen e prokurorit Giovani Falconte, pasi ishte njeriu që monitoronte lëvizjet e tij, para se makina e tij të hidhej në erë në vitin 1992. Bashkë me vrasësin brutal Giovanni Brusca, ai besohet të ketë ndihmuar në atentate me bombë në Firence, Milano dhe Romë, ku dhjetëra vetë mbetën të vrarë.
Edhe pse në arrati, Denaro ruajti autoritetin brenda mafias dhe pas arrestimeve të pasuesve të Toto Riina-s, Leoluca Bagarella dhe Bernardo Provenzano, mori drejtimin e Cosa Nostra. Kur Provenzano ishte ende i lirë, e mori në patronazh Denaro-n dhe e quante nip.
Edhe pse konsiderohet si “i fundit i Mohikanëve” i “shkollës së vjetër” mafioze, Denaro shihet si njeriu që diti të përshtatë një prej organizatave kriminale më të vjetra në Itali, me botën moderne. Fillimisht duke bashkuar klanet e përçarë rreth Trapanit, prej edhe nga vjen, e më pas duke u bërë personalisht si urë lidhëse mes mafias dhe karteleve kolumbianë të drogës.
Duke kopjuar në një farë mënyrë Pablo Escobar-in, Denaro shihet në Sicili si një hero i popullit. “Në qytet dëgjon vetëm se mafia të gjen punë dhe shteti ta merr”, tha për “The Guardian” Francesco Garofalo, pjesëtar i grupit anti-mafia “Libera”. “Ka njerëz këtu që e duan ta bëjnë Kryebashkiak”.
Megjithatë, ai çimentoi vendin e tij në “fronin” e mafias vetëm në vitin 2017, pasi kishin vdekur Bernardo Provenzano dhe Toto Riina. Policia italiane ka ngritur një strukturë të posaçme për kapjen e tij, të quajtur “Catturandi”. Në vitin 2017, një grup prej 200 policësh nisi të kontrollonte imtësisht shpellat dhe bunkerët rreth qytezës Castelvetrano, vendlindjes së tij pranë Trapanit, pasi mendohet se ai qëndron i fshehur pikërisht aty.
Deri tani, përpjekjet kanë dështuar dhe sipas BBC, pasuria e tij personale ka arritur në mbi 3,5 miliardë dollarë. Edhe pse Cosa Nostra ka humbur ndikimin që ka pasur në shoqërinë siciliane deri 20 vite më parë, prania e mafias në ishull dhe gjithë Italinë ndihet ende, çka bën që autoritetet të mos dorëzohen në kapjen e bosit të bosëve.