Efektivë të policisë kanë shoqëruar disa banorë të “Unazës së Re” në kryeqytet, mëngjesin e sotëm.
Shoqërimet, siç bëjnë me dije burime nga PD, që kanë mbështetur protestat e banorëve, dyshohet se kanë lidhje pikërisht me protestat e banorëve që organizohet çdo ditë, prej më shumë se një viti.
Në pamjet që janë marrë nga kamera e një lokali në zonë, shihet shoqërimi i Skënder Dodës, një prej banorëve të zonës.
Ndërkohë, është paralajmëruar protestë në zonë.
“Banorët e Unazës së Re njoftuan se janë shoqëruar në polici disa nga zërat kryesorë të protestës. Edhe në këto momente policia është atje, ndërsa gratë po mblidhen tek vendi i protestës”, thuhet në një reagim zyrtar nga zyra e shtypit pranë Partisë Demokratike.
Banorët e Unazës së Re protestojnë prej kohësh duke kundërshtuar shembjen e banesave të tyre, siç e parashikon projekti për rikonstruktimin e rrugës nga sheshi “Shqiponja” te mbikalimi pranë “Pallatit me Shigjeta”. Ata kërkojnë rrëzimin e projektit që e cilësojnë korruptiv.














