Avokati John Azzarello në Nju Xhersi deklaroi para gjykatës federale se klienti i tij, William Argeos – i dënuar për kontribut të paligjshëm elektoral, kishte punuar për llogari të Edi Ramës në vitin 2012, kur 80 mijë dollarë pagesë besohet se i dhanë Ramës mundësinë e një fotoje me Obamën. Zyra e kryeministrit në Tiranë i quajti deklaratat “përgojim që nuk meriton të komentohet”.
William Argeros, një amerikan 61 vjeçar që pranoi se ka kontribuuar në mënyrë të paligjshme me 80 mijë dollarë për llogari të një politikani të huaj në fushatën presidenciale amerikane të vitit 2012, u dënua me katër muaj burg në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara të hënën më 30 shtator, pasi kishte pranuar fajin në vitin 2016.
Sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”, avokati i Argeros, John Azzarello deklaroi para gjykatës se “klienti i tij po vepronte për llogari të Edi Ramës”, në atë kohë kryetar i opozitës dhe kandidat për kryeministër i Shqipërisë, i cili sipas tij donte një foto me Obamën.
Rama nuk u lejua të merrte pjesë në takimin për mbledhjen e fondeve, por pati mundësi të bëjë një foto me ish-presidentin Obama. Argeros shpërtheu në lot para vendimit dhe i tha gjyqtares, “unë jam i turpëruar dhe marr përgjegjësi të plotë për çfarë kam bërë,” shkroi Associated Press.
BIRN nuk arriti të kontaktojë me avokatin Azzarello.
Ndërsa zëdhënësi i kryeministrit, Endri Fuga e cilësoi deklaratën e avokatit amerikan si “përgojim që nuk meriton koment”.
“Kjo është një histori e vjetër dhe e stërqartë për sa i takon kryeministrit dhe s’kemi asnjë interes të merremi me kush thotë çfarë! Çdo përgojim i tij për çështje lekësh në këtë rast apo në çdo rast, meriton keqardhje po jo koment,” tha Fuga për BIRN.
Rama vizioi Shtetet e Bashkuara në tetor 2012, pak para zgjedhjeve presidenciale amerikane të nëntorit të atij viti. Fotoja që ai pati me Obamën gjatë një takimi për mbledhje fondesh u reklamua gjatë fushatës elektorale të vitit 2013 në Shqipëri.
Sipas marrëveshjes së pranimit të fajësisë së dorëzuar në gjyq në vitin 2016, Argeros pranoi se në shtator 2012 ai lehtësoi transferimin e 80 mijë dollarëve nga një burim i huaj tek Bilal Shehu- një qytetar amerikan me banim në Nju Xhersi. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, Shehu i dorëzoi paratë në komitetin e autorizuar të ngritjes së fondeve-në përpjekje për të fshehur origjinën e parave si dhe për të mundësuar pjesmarrjen e një shtetasi të huaj në aktivitetin e datës 8 tetor 2012 në San Francisko.
Argeros pranoi gjithashtu se u kishte dhënë këshilla individëve të huaj mbi mënyrën e transferimit të parave si dhe të dorëzimit të tyre në komitetin e mbledhjes së fondeve. Ligjet federale u ndalojnë shtetasve të huaj të bëjnë donacione për kandidatët amerikanë apo komitetet e ngritjes së fondeve gjatë fushatave elektorale.
William Argeros është personi i dytë që pranon fajin lidhur me donacionin e paligjshëm të 80 mijë dollarëve, që dyshohet se u pagua për realizimin e një fotografie të presidentit amerikan, Barack Obama me kryeministrin Edi Rama, asokohe në opozitë. Në 29 qershor, Bilal Shehu pranoi gjithashtu fajësinë në transferimin e 80 mijë dollarëve nga një burim i huaj drejt komitetit të mbledhjes së fondeve për fushatën presidenciale të vitit 2012 dhe u dënua me kusht./BIRN/