Tregim/ Nga Ilir Kalemaj
Një shi që binte paprerë prej tre ditësh i kishte hequr dhe ato pak energji me të cilat mundohej të karikonte veten ato ditë të zbrazëta shtatori. Muaj i praptë ky!- mendoi me vete. As muaj pushimesh, as pune.
Priste në fakt të fillonte vitin e fundit për mjekësi të përgjithshme, por gjithcka i dukej e kotë, e zbrazët. Pushime nuk mund të thuhej se kishte bërë, se nuk e linte stresi i atyre dy provimeve që kishte lënë për sezon, plus një lëndë për përmisim. Nga ana tjetër, nuk mund të gënjente veten me idenë që kishte lexuar pasi e dinte se ishte vetëm për të hedhur lumin.
Ishte në atë zonën e ndërmjetme, si titulli i atij filmit anglisht ‘the twilight zone’. Nuk e kënaqte as e sotmja, nuk priste kurrgjë as nga e nesërmja. E shkuara…, pfff, akoma më keq, i dukej se fëmijëria dhe më pas adoloshenca kishin mbaruar aq shpejt sa nuk kishte arritur as të rregjistronte ndonjë moment të rrallë për të mbajtur mend. E kishte kaluar kohën mbi libra, ndërsa tani që miqtë e vetë, ata më të ngushtët, mbylleshin në librari, atij i qe shuar prej kohësh ajo dëshirë. Gjithnjë kundra rrymës!- qeshi hidhur me vete.
Por si mund të jesh me rrymën në këtë dreq vendi, ku ka marrë ferra uratën prej kohësh? Ja për shembull kjo kurvë shkolle që po bënte, të studiosh gjashtë vjet dhe për cfarë? Nuk kishte as mik, as lekë dhe as mesatare për të shpresuar për të kapur ndonjë specializim nga ato që kanë bukë, kirurgji jo dhe jo, po as për okulistikë, nefrologji apo endokrinologji nuk mund të shpresonte. Maksimumi mjek i përgjithshëm në ndonjë qytezë të humbur, nga ato me gri permanente ku natët ngrysen me gotën e konjakut para dhe muhabete pa bukë si meze.
Të ikte ndoshta? Ta provonte fatin andej matanë? Ja thonë që tani do liberalizoheshin dhe ato vizat e uruara…, eh sa kohë kishte që e dëgjontë këtë refren. Po ku të shkonte? Kishte dëgjuar që një krizë…, jo flamë…, jo murtajë më saktë, po përhapej anembanë botës. Nuk kishte punë për vendasit, e c`mund të bënte ai si refugjat. Vetëm do shkëputej nga profesioni dhe s`do mund t`i rikthehej dot më. I thonë gjashtë vjet të hedhura në kosh.
Shtëpia i ishte bërë e padurueshme. Këshillat i dukeshin si anicirë që mezi i kapërdinte. Prindërit ishin njerëz të thjeshtë, të shkolluar, por me mjete modeste jetese. Vetë me paraqitje mesatare, i veshur në mënyrë të rëndomtë, pa një dyshkë në xhep. Vështirë se mund të impresonoje ndonjë sot me këto të dhëna.
Thonë që dashuria të ndryshon jetën, i jep ngjyrë realitetit, i jep tonalitet jetës, i jep pafundësi momentit. Thonë, thonë, shumë gjëra thonë, por si të vesh deri aty këtë nuk para e thotë kush. Ishte lodhur me receta, formula të gatshme, të thata, moralistike. A mund të më thotë kush nisi të mendonte, se si arrihet dashuria, si prishet kjo monotoni e të shtyrit të ditëve, që i ngjasin njëra-tjetrës si dy pika uji, kur je pa pare, pa makinë, pa shtëpi tënden, pa humor mbi të gjitha? Edhe konviktoret e vrasin lart tani, shpresa për të qëndruar në Tiranë, mund të bënte ndonjë edhe të jepej, por donte unazën në gisht në fillim…, ishte kthyer gjithcka në biznes.
Dhe ashtu pa kuptuar, nisi të tymoste hashash me një grup leshgjatësh, nga ata që u kishte ngelur ora prapa nja dy dekada te hard roku dhe muzika metal. Por as kjo nuk po e ngushëllonte. Kur i ri-kthehej punës dhe mundohej t`i shtrohej leximit, e bënte me aq përtesë sa s`kalonte gjatë, e hidhte librin përtokë dhe vërviste ndonjë teke gurmazit, ndërsa kur shpenzonte orë mbi stolat e fshehur në gjysëm-errësirë, duke tymosur në përpjekje për t`u ikur realitetit, ndjente një si pangë në gjoks.
Ishte pesha e fajit që po linte kohën më të cmuar, vitet më energjikë t`i kalonin kësisoj. Muhabete idiote, biseda të marrësh, barcaleta pa kuptim të cilat kishin për qëllim vetëm të vrisnin kohën. Kohën e kalonte kryesisht te ‘Killing the time’, në një nga kryqëzimet e Tiranës së re. Ishte një nga baret tek i cili mblidheshin shpesh, si një shenjues aspak i rastësishëm me logjikën me të cilën fillonte dhe mbaronte dita aso kohe.
Ishte kurioz si natyrë, dikur i kujtohej sesi shpesh e humbiste ndjenjën e kohës, zhytur mes atyre pak librave në raftet e bibliotekës së varfër që kishin, ku thuajse i kishte mësuar përmendësh, literaturë mediokre, me tek-tuk ndonjë përjashtim të rrallë dhe që u ishin zverdhur faqet nga koha. Tashmë ajo dëshirë i dukej e vdekur e pakallur, por asgjë tjetër nuk po e zëvendësonte.
Nisi të shkruante, një përpjekje e trishtë për katharsis të munguar…, të hidhte në letër disa poezi të cilat shpesh përfundonin copë e cikë në koshin aty pranë. Ndonjëherë i dukej se mbytej nga mbipesha e ideve, turbullohej nga kundërshtia e tyre, herë të tjera i dukej vetja bosh, mbyllur në burgun e vetmisë së brendshme, me një ndjesi të largët nga gjithcka që e rrethonte.
Të shkruarit i dukej se fillonte aty ku mbaron të jetuarit, apo më saktë ku kënaqësitë e të jetuarit gjenden në purgatorin e Dantes, në një zonë të vagullt, amorfe, eksituese dhe paralizuese njëkohësisht. Ej, dreq o punë, të shkruash a mos të shkruash- përsëriste me vete si në jerm dhe tentonte të largonte retë e mendimeve me retë e duhanit dhe avujt e konjakut të lirë të vendit. Një Hamlet i modernitetit të ndrydhur të rinisë shqiptare, ja c`i dukej vetja në momente deliri që zgjasnin si meteorë të vegjël mes kumteve të trishtimit.
***
Një mjek i panisur, befas i transformuar në një shkrimtar të dështuar, me perspektivën e një refugjati në tentativë, një skicë e kohëve kalimtare të tranzicionit të pambarimtë. Welcome to Albanian reality!