Nga Boldnews.al
Prokurori Altin Dumani, i renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi trupa e Vetingut konstatoi se ai kishte burime të ligjshme për dy apartamente dhe një zyrë në Tiranë.
Në vendimin e zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, rezulton se prokurori Altin Dumani i ka krijuar pasuritë nga të ardhurat e familjes së tij, por edhe ndihmesave të dhëna nga të afërmit e bashkëshortes.
Altin Dumani rezulton se ka në pronësi të tij një apartament në kompleksin “Dinamo”, me sipërfaqe 127 m2, të marrë me kontratë porosie të vitit 2006, me vlerë 50 mijë euro; një zyrë në zonën pranë Kopshtit Zoologjik, të marrë me kontratë porosie të vitit 2009, me sipërfaqe 28 m2, me vlerë 28 mijë euro; si edhe një apartament tjetër, në zonën e Yzberishtit, me sipërfaqe 75 m2, blerë në vitin 2015, me vlerë 41 mijë euro.
Të tre këto pasuri, prokurori Dumani i ka dhënë me qera gjatë viteve të fundit dhe ai jeton në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes, të cilët, nga ana e tyre, e kanë krijuar këtë pasuri me të ardhurat ndër vite, si edhe me ndihmën e një pastori, të identifikuar në vendimin e KPK-së me inicialet G.B.
Po ashtu, ndihmesë për ndërtimin e shtëpisë së prindërve të bashkëshortes së subjektit, sipas deklarimeve të tij, kanë qenë edhe “fondet e Kishave në Angli”.
Për pasuritë në emër të tij, në formë direkte apo indirekte, subjekti Dumani është ndihmuar nga familjarët e bashkëshortes së tij.
Apartamenti tek kompleksi “Dinamo”
Prokurori Altin Dumani dhe bashkëshortja e tij, Alketa, në vitin 2006, kanë porositur një apartament me sipërfaqe 127.5 m2 në zonën e njohur si kompleksi “Dinamo”, në Tiranë. Për këtë apartament, subjekti ka paguar 50 mijë euro me këste deri në vitin 2008. Si burim për blerjen e këtij apartamenti kanë shërbyer kursimet familjare në vlerën 9 mijë euro, si edhe një kredi e butë në shumën 5 milionë lekë të reja.
Në bazë të llogarive të realizuara nga Komisioni i Vetingut, vlera e këtij apartamenti është rreth 390 euro/m2. Në vendimin e zbardhur, duket se KPK ka pasur dyshime për çmimin e ulët me të cilin është blerë ky apartament, referuar zonën se ku ndodhet.
Në Udhëzimin e Këshillit të Ministrave për kostot mesatare të ndërtimit të vitit 2006, vlera mesatare e shitjes së apartamenteve në tregun e lirë në Tiranë ishte 79.165 lekë, një çmim dukshëm më i lartë se sa ai me të cilin subjekti Altin Dumani kishte blerë apartamentin në kompleksin “Dinamo”.
Për këtë arsye, KPK ka kërkuar shpjegime nga prokurori. Subjekti Altin Dumani ka shpjeguar se apartamenti është blerë në një pallat të ndërtuar nga kompania e ndërtimit që është në pronësi të djalit të xhaxhait të bashkëshortes.
Në këtë mënyrë, subjekti ka lënë të kuptohet se çmimi i apartamentit është si rrjedhojë e marrëdhënies së posaçme që ekziston ndërmjet bashkëshortes së tij dhe ndërtuesit.
Pasi ka marrë këtë shpjegim, KPK ka vlerësuar se vlera e blerjes së apartamentit nga subjekti Dumani nuk duhet t’i referohet çmimit mesatar të shitjes në treg të lirë, por atyre të ndërtimit.
Në të njëjtin Udhëzim të Këshillit të Ministrave, KPK ka konstatuar se çmimi mesatar për ndërtimet në Tiranë, në vitin 2006, ishte 28.860 lekë/m2, pra, më i ulët se sa ai që kishte porositur apartamentin prokurori Altin Dumani.
Duke i qëndruar kësaj reference, pra kostos së ndërtimit, trupa e Vetingut nuk kishte më dyshime për çmimin e ulët të blerjes së apartamentit, duke vlerësuar se subjekti Dumani e justifikon blerjen e tij me burime të ligjshme.
Zyra pranë Kopshtit Zoologjik
Në maj 2009, subjekti Altin Dumani ka marrë me kontratë porosie një ambjent shërbimi (zyrë) pranë zonës së Kopshtit Zoologjik në Tiranë, me sipërfaqe 28 m2, me vlerë 28 mijë euro.
Për këtë pasuri, KPK ka konstatuar se subjekti Dumani ka pasur burime të mjaftueshme për pagesën. Sipas vendimit të KPK-së, për këtë pronë, prokurori ka paguar dy këste- njërin 20 mijë euro dhe një tjetër 8 mijë euro.
Në të njëjtin vit me blerjen e kësaj zyre, subjekti Altin Dumani ka vendosur të jetojë në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes, pa qira. Ndërkohë, ai jep me qira pronat e tij, apartamentin në kompleksin ‘Dinamo” dhe zyrën pranë Kopshtit Zoologjik.
Apartamenti në Yzberisht
Prej vitit 2009 e në vijim, subjekti Altin Dumani ka jetuar pa qira në shtëpinë e vjehrrit, ndërkohë që ka fituar të ardhura nga qiratë e apartamentit dhe zyrës. Këto të ardhura, si edhe të tjera të fituara nga punësimi i tij dhe i bashkëshortes, i kanë krijuar mundësinë për të blerë një tjetër apartament.
Në vitin 2015, subjekti Dumani dhe bashkëshortja e tij blejnë një apartament me sipërfaqe 75 m2, në zonën e Yzberishtit. Vlera e këtij apartamenti është 41 mijë euro.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar se prokurori Dumani e ka paguar të gjithë vlerën e apartamentit (41 mijë euro), duke përdorur depozitat bankare dhe kursimet e krijuara ndër vite nga qeratë dhe pagat.
Pra, edhe në blerjen e këtij apartamenti, subjekti Dumani rezulton që është ndihmuar nga familjarët e bashkëshortes, tek të cilët ka qëndruar pa qira.
Shtëpia e vjehrrit
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka konsideruar prindërit e bashkëshortes si “persona të lidhur” me subjektin, për shkak të bashkëjetesës së tyre. Në këtë kuadër, KPK ka kryer verifikime mbi ligjshmërinë e burimit financiar që u ka shërbyer prindërve të bashkëshortes për ndërtimin e shtëpisë, ku jeton prej 10 vitesh subjekti Altin Dumani.
Komisioni konstatoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar në deklaratën “Vetting” apartamentin që ka në përdorim, dhe as burimin e krijimit. Por, këtë pasuri subjekti e ka deklaruar si adresë banimi në deklaratat periodike vjetore dhe në deklaratën “Vetting”.
Lidhur me këtë fakt, subjekti është pyetur nga Komisioni, i cili ka kthyer përgjigje. Bazuar në përgjigjen e subjektit dhe provat shkresore, rezultoi se pasuria apartament që subjekti ka pasur në përdorim është e regjistruar dhe në pronësi në emër të prindërve të bashkëshortes së subjektit.
Kjo pasuri është ndërtuar në vitin 2001 dhe aplikimi për legalizim është bërë në vitin 2005, fakt i cili provon ndërtimin e plotë të kësaj pasurie të paluajtshme.
Subjekti i rivlerësimit, bazuar dhe në deklaratat vjetore periodike të dorëzuara në ILDKPKI, ka filluar ta përdorë këtë pasuri të paluajtshme që prej vitit 2009. Gjithashtu, Komisioni konstatoi se kjo pasuri është ndërtuar me të ardhurat e ligjshme të prindërve të bashkëshortes, nga kontributi i pastorit G. B, si dhe nga fondet e kishave në Angli
Në vendimin e zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk jepen detaje mbi veprimet verifikuese që ka zhvilluar trupa gjyqësore për pasurinë e “personave të lidhur”-prindërit e bashkëshortes së prokurorit Dumani.
Gjithashtu, nuk është publike asnjë e dhënë për rolin e pastorit G.B., raportet e tij me prindërit e bashkëshortes, kontributin financiar të dhënë prej tij apo të “Kishave në Angli”.