Një foto e një fëmije 7 vjeçar, që qëndron pranë shtratit të prindërve të sëmurë në spitalin e Korçës, është publikuar në rrjet nga gazetari Denis Dyrnjaja, i cili shkruan se “nuk ka traumë më të madhe për një fëmijë aq të vogël, vetëm 7 vjeç, të shohë prindërit në atë gjendje, ndërkohë që ai ngjan thuajse si jetim”.
“Nuk ka dramë më të madhe të shohësh njerëz të vuajnë për shërbime bazike shëndetësore. Por edhe nëse nuk janë bazike çfarë dreqin duhet rilindja urbane kur njerëzit nuk gjejnë dot shërbim e zgjidhje për jetën dhe shëndetin?!”, vijon postimin gazetari
Pak ditë më parë, Fax News ka transmetuar historinë e familjes Skerma nga fshati Poloskë i Devollit
Të mposhtur nga sëmundja dhe vështirësitë ekonomike, familja Skerma ka rrëfyer për Fax News historinë e tyre të trishtë. Mes lotësh ata tregojnë se i vetmi peng është djali i tyre 7-vjeçar ndërkohë që shpresa e vetme për ta mbetet ndihma e shqiptarëve.
Postimi i plotë i Dyrnjaja:
Trishtim që vret!
Kjo foto vjen nga Spitali i Korçës. Janë dy prindërit e sëmurë të këtij 7 vjeçari që iu rri në kokë prej disa ditësh. Instinkti, fëmijën e çon pranë nënës. Nuk ka traumë më të madhe për një fëmijë aq të vogël, vetëm 7 vjeç, të shohë prindërit në atë gjendje, ndërkohë që ai ngjan thuajse si jetim.
Nuk ka dramë më të madhe të shohësh njerëz të vuajnë për shërbime bazike shëndetësore. Por edhe nëse nuk janë bazike çfarë dreqin duhet rilindja urbane kur njerëzit nuk gjejnë dot shërbim e zgjidhje për jetën dhe shëndetin?! Të ndërtojmë spitale e të paguajmë mjekët e infermierët që po ikin pa ndalshëm jashtë se këtu ska perspektivë.
Të blihen aparatura shëndetësore dhe të mbushen spitalet me ilaçe dhe pajisje. Të ngremë shpresën që po vdes çdo ditë se është rrënuar në atë pikë sa duket një vend dhe shoqëri pa kthim dhe në depresion. Të gjithëve na dhimbset shpirti për prindërit, por përfytyroni një çast një fëmijë 7 vjeç që ka nevojë çdo çast, çdo ditë për ta dhe ata janë të pamundur. Po mirë shteti, po këto shoqatat dhe komunitetet fetare pse heshtin?! Ku janë, ku struken?! Çfarë është ky lloj amorfi shoqëror kjo indiferencë sociale?!
Gjithçka ekziston vetëm për festa. Gjithçka për fasadë. Çfarë është kjo mungesë solidariteti, dhembshurie e njerëzillëku?! Nderim për mjekët e Korçës nëse po bëjnë maksimumin në ndihmë të këtyre njerëzve fatkeq. Shpresa nis nga jeta. Kthejuni njerëzve shpresën, sepse së pari është shpresa në agoni që dergjet shtretërve të spitaleve, shtëpive të jetimëve e azileve, është shpresa e munguar në sytë e jetimëve dhe të varfërve. Dhe shpresa nuk vjen as me fjalë, as me propagandë. Shpresa vjen me ndërgjegje.
Thirrini asaj për një herë të vetme në emër të jetës së këtyre njerëzve fatkeq që kemi në shtëpitë tona në shoqërinë tonë. Nëse ka vullnet ka dhe shpresë, nëse ka shpresë ka besim ka të ardhshme.