Nga Boldnews.al
Kryeministri i vendit Edi Rama është kthyer në krekomunal që pastron mbetjet, kryetatimor që sheh kopunët për kafe, makiato dhe ujë pa gaz, shef i përzgjedhjes së trajnerëve të Kombëtares së Futbollit, “vozitës” matrapiku që prish ndonjë objekt pa leje, e gjithçka tjetër. Mjafton ti shkruash në Facebook dhe Edi Rama, që në kohën e lirë ndonjëherë bëhet edhe kryeministër, të zgjidh punë.
Ditën e sotme Rama gjeti momentin që ti përgjigjej shqetësimit të çdo qytetari, kryesisht ata që ankoheshin për mbetjet në zonat turistike. Ai zgjodhi njërin prej mesazheve qytetare për të treguar se pas ankimit të tij, nja dy thasë me mbetje Rama kishte dhënë urdhër që të largoheshin.
Një tjetër ankohet për leshtërikët në det, edhe këtu Rama ndërhyri, u dha xhevap qytetarëve Fejsbuksa dhe i la edhe pa “bukën e mendjes”. Koment pas komenti e reagim pas reagimi kryeministri niste edhe foto që tregonin se pasi qytetarët iu ankuan atij, komunalët e bashkive pastruan ca pirgje të vogla me mbetje.
Kryeministri është edhe ministër i jashtëm, edhe kryepolic, edhe kryeprokuror dhe gjithçka tjetër, ku ka vënën në rresht çdo institucion të pavarur. Për të humbur gjurmët zbret poshtë në bazë, gjen disa qytetarë që merren me Facebookun e tij dhe në fund tenton të bëhet sa për imazh edhe ai “popull”, sikur shqetësohet me shqetësimet e tyre.
Po edhe të zgjidh ndonjë punë, sigurisht pasi një drejtor i madh, apo ca zyrtarucë të Rilindjes e kanë degdisur qytetarin nga sytë këmbët, duke i mohuar një të drejtë. Dhe në fund ai merr lëvdatat, ai mohon përgjegjësinë kur ca ministra, drejtorë të mëdhenj, apo deputetë e kryebashkiakë iu zbulohet e kaluara e errët si trafikantë droge apo shfrytëzues prostitucioni.
Kur sot duhet të kishte ndonjë koment për dosjen e bujshme 184, e shkërmoqur nga zonja 69-she, e zgjedhur prej tij në Parlament, Rama merret me “hallet e përditshme”; si pastrimi, gjelbërimi, pluhuri, apo ndonjë gropë në rrugë. Është edhe krekomunal… Eh cfarë u bën në telefon kryebashkiakëve të tij kokëunjur në përjetësi dhe Rilindas që në frymën e fundit. Ata me vrap dërgojnë ca punëtorë të shkretë bark pa mbushur që të pastrojnë një pirg me mbetje vetëm se kryeministri nga kjo “pastron imazhin” e tij.
“Eshtë shumë shqetësues fakti që kryeministri merret me probleme të tilla. Janë 2 mundësi; ose Shqipëria ka marrë fund si administratë publike, ose kryeministri kërkon popullaritet”-komenton një qytetar.
“Ka edhe një mundësi të tretë në fakt, që Shqipëria ndotet nga bijtë e saj, të cilët i hedhin plehrat pa pikën e turpit ku të munden, çka nuk bën vaki në vendet që jetojnë me turizëm! Sepse që ta marresh vesh ti vëlla, bregdeti i Francës nuk mbahet pastër nga ndonjë ushtri pastruesit dhe as nga administrata, po nga njerëzit, që qysh të vegjël kanë mësuar se patriotizmi nuk është të bërtasësh për flamurin, po të mos hedhesh plehrat rrugëve e të paguash taksat. Kuptove? Sa për popullaritetin, faleminderit shumë, po do preferoja të mos merresha hiç me këtë punë, po secili të bënte detyrën e tij ndaj atdheut, duke mos e ndotur minimalisht!”-shkruan kryeministri në kundërpërgjigje.
Ai ia arriti qëllimit, pasi të shohesh komente të tjera janë për “ibret” sikurse mund ta konsideronte vetë kryeministri, por të paktën ata janë votues dhe Rama prej tyre mbahet. “Je i math”-shkruan njëri, “Faleminderit zoti kryeministër që merresh me hallet tona”-komenton tjetri, “merresh me hallet e popullit, zoti të rujt”-uron Fajsbuksi tjetër. E koment pas komenti, reagim pas reagimi në fund del se kryeministri Edi Rama i bën të gjitha.
Në fakt kur thotë se bën gjithçka, nuk bën asgjë. Të vetmen që ka bërë me shumë sukses, është se ka kapur deri në “tredhje institucionale” Parlamentin, Ekzekutivin, Drejtësinë dhe një pjesë të medias së madhe në vend.
Dhe një shqetësim të fundit, që me siguri ai do e zgjidhë. Qytetarët mund të ankohen se: “Komshija që banon një kat më lart, bërtet shumë natën…”. Kemi kryeministrin e gatshëm, jo se do shkojë vetë, po pse jo ndonjë polic bashkiak edhe ta dërgon tek dera: “me urdhër të kryeministrit mos bërtit kaq shumë zonjë, qejfi bëhet edhe pa zhurmë”… Faleminderit kryeministër që na zgjidh hallet!