Dosja 184/ Të gjitha shkeljet ligjore, piramida e përgjegjësisë, Marku-Prela-Braho

Nga Boldnews.al

Ajo që ka ndodhur së fundmi me dosjen “184” është një lojë politike, e shëmtuar dhe pa asnjë fije takti, e realizuar me duart e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku dhe me përdorimin e prokurorit të çështjes, Klodian Braho, nën dirigjimin e shefes së tij, Donika Prela.

Prokuroria e Përgjithshme u detyrua të jepte një sqarim publik për vendimin e Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila vendosi të heqë dorë nga hetimi i dyshimeve për vjedhjen e votave në Dibër, ku rezultojnë të përfshirë edhe zyrtarë shumë të lartë politikë dhe shtetërorë të maxhorancës socialiste.

Reagimi i zyrës së Arta Markut erdhi vetëm pasi media zbuloi “sekretin” e saj, të cilin ishte munduar ta mbante të fshehtë për rreth një muaj.

Deklarata e Arta Markut për rolin e saj të drejtëpërdrejtë në transferimin e dosjes “184” nga Krimet e Rënda drejt Prokurorisë së Dibrës, më shumë se sa justifikim, dëshmon për një implikim të Kryeprokurores së Përkohshme në një prej skandaleve më të rënda të drejtësisë shqiptare në vitet e fundit.

“Moskompetenca”, amnisti për pushtetarët
Për të kuptuar qartësisht se çfarë ka ndodhur, së pari duhet shpjeguar se çfarë ndodh me “shpalljen e moskompetencës”, së nënshkruar nga prokurori Klodian Braho.

Në dosjen “184”, sidomos pas publikimit të përgjimeve në revistën gjermane “Bild”, rezultoi se zyrtarë të lartë qeveritarë, ndër të cilët Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, Xhemal Qefalia, Pjerin Ndreu, Saimir Tahiri dhe të tjerë funksionarë lokalë e drejtues policorë, dyshohet se u përfshinë në një operacion për “tjetërsimin” e votës në zgjedhjet lokale të Dibrës, në qershorin e vitit 2016.

Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të një kallëzimi të Partisë Demokratike, regjistroi procedimin penal, ndër të tjera, edhe me dyshimet për funksionimin e një “grupi të strukturuar kriminal”, vepër penale për të cilën kompetencën e ka ajo prokurori.

Me shpalljen e mos-kompetencës lëndore, Prokuroria për Krime të Rënda praktikisht rrëzoi dyshimet për “grup të strukturuar”, gjë që do të thotë nxori nga hetimi zyrtarët e nivelit të lartë.

Kjo më lart është pasoja, pra shërbimi që drejtuesit më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare i bën zyrtarëve të lartë të maxhorancës socialiste.

Por, për të arritur në këtë pasojë, zinxhiri drejtues i prokurorisë, përfshirë Arta Markun, Donika Prelën dhe Klodian Brahon, kanë shkelur një seri normash proceduriale dhe ligjore. Janë ato “detajet” e vogla, të cilat Arta Marku nuk ka mundur t’i justifikojë në deklaratën e saj publike.

Shkeljet e prokurorit Braho
Prokurori Klodian Braho ka pasur detyrën më delikate. Si prokuror i çështjes, ai kishte “detyrimin” që pas një zvarritjeje gati 3-vjeçare të hetimit të dosjes “184”, të shpallte mos-kompetencën, pavarësisht se publiku shqiptar dëgjoi përgjimet e zyrtarëve të lartë, të regjistruar në kuadër të kësaj dosjeje, të publikuara nga revista “Bild”.

Në përfundim të veprimeve hetimore, prokurori Braho ka konkluduar se nuk ekzistojnë elementët e veprës penale të “grupit të strukturuar kriminal”. Për këtë arsye, ai ka shpallur mos-kompetencën, duke ia kaluar aktet prokurorisë së Dibrës për vijimin e hetimeve për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve”, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Praktikisht, prokurori Braho ka vendosur “pushimin e çështjes” për grup të strukturuar kriminal. Por, këtë pushim e ka bërë pa një akt formal, duke shmangur në këtë mënyrë kontrollin e gjykatës, si edhe njoftimin e kallëzuesit (Partinë Demokratike).

Neni 328 i Kodit të Procedurës Penale kërkon që prokurori të njoftojë kallëzuesin brenda 5 ditëve për “pushimin e çështjes”, ku, në rastin konkret, ka ardhur si pasojë e ndryshimit të cilësimit juridik të veprës penale.

Por, ky detyrim ligjor është shmangur nga prokurori Braho me një veprim të qëllimshëm. Ai nuk ka njoftuar për vendimin e tij kallëzuesin, Partinë Demokratike, duke i hequr mundësinë që subjekti kallëzues të ankimonte vendimin në gjykatë.

Me një ankim të mundshëm nga kallëzuesi, vendimmarrja e prokurorit do t’i ishte nënshtruar kontrollit gjyqësor nga gjyqtari paraprak.

Gjithashtu, vetë prokurori, për rastin e “pushimit të çështjes”, duhet të kishte kërkuar konfirmimin e gjykatës, pranë të cilës ai ushtron detyrën, në rastin konkret, në Gjykatën për Krime të Rënda. Por, edhe ky veprim nuk rezulton të jetë kryer nga prokurori i çështjes, Klodian Braho.

Është e paqartë nëse prokurori, gjatë hetimeve, ka kryer aktin formal të “regjistrimit të personave” të dyshuar. Nëse e ka kryer këtë veprim procedurial, atëherë “pushimi i çështjes” ishte domosdoshmëri për t’iu paraqitur gjykatës, si edhe të njoftoheshin personat që mund të kenë pasur të regjistruar emrin në regjistrin e veprave penale të Prokurorisë për Krime të Rënda.

LEXO EDHE  FOTO/ Veliaj si Enveri, ja si po i përdor fëmijët e kopshteve për arritjet e partisë...

Të gjitha këto neglizhenca krijojnë dyshimet e forta se prokurori Klodian Braho është munduar të shmangë kontrollin gjyqësor dhe të gjithë rastin ta kalojë në heshtje të plotë, ndoshta i bindur që vendimmarrja e tij nuk ishte e mbështetur në provat e mbledhura gjatë hetimit.

Shkeljet e Donika Prelës
Në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme nuk përmendet aspak roli i drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela. E, megjithatë, edhe ajo ka një rol thelbësor në këtë skandal të drejtësisë shqiptare.

Kodi i Procedurës Penale i ka dhënë prokurorit të çështjes atributet e plota për hetimin. Por, nga ana tjetër, drejtuesi i Prokurorisë ka mundësinë që të diskutojë vendimmarrjen me prokurorin e çështjes dhe, kur e vlerëson, mund të japë udhëzime jo-detyruese për veprime konkrete hetimore.

Në rastin konkret, duket qartë që Donika Prela nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të tillë. Ajo duket që është pajtuar me vendimmarrjen e prokurorit, i cili, siç u shpjegua më lart, ka shmangur një seri elementësh procedurialë.

Super-shkeljet e Arta Markut
Natyrisht, në piramidën e shkeljeve, jo vetëm për shkak të postit të lart, por edhe të mjeteve ligjore në dispozicion, qëndron Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku.

Në deklaratën e shpërndarë për media nga zyra e saj, Marku është munduar që të gjithë “përgjegjësinë” ta kaloj tek prokurori i çështjes, Klodian Braho. Aty gjenden të shpjeguara ece-jaket e dosjes “184” nga Krimet e Rënda, në Dibër, në Prokurorinë e Përgjithshme e më tej, sërish në Dibër, me firmën përfundimtare të Arta Markut.

Sipas deklaratës së Markut, “ndryshimi i cilësimit juridik, si dhe çdo veprim tjetër që lidhet me një çështje konkrete është atribut i prokurorit të çështjes dhe çdo prokuror, në ushtrimin e funksioneve të tij është i pavarur (neni 25, pika 2 e K. Pr. Penale)”.

Marku është munduar të heqë përgjegjësitë nga vetja, duke vijuar: “Prokurori i Përgjithshëm, pavarësisht se, sipas nenit 89, pika 2 të K. Pr. Penale, duke qenë prokurori më i lartë, ka për detyrë të zgjidhë mosmarrëveshjet në fazën e hetimit paraprak mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, nuk e ka kompetencën që të shfuqizojë aktet, urdhrat apo vendimet e prokurorit të çështjes (neni 148/b i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe neni 38, i ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”)”.

Kryeprokurorja e Përkohshme ka dhënë edhe orientimin se rasti mund të zgjidhej në gjykatë: “Duhet theksuar se çdo vendimmarrje e prokurorit, qoftë edhe ajo për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale, kontrollohet nga gjykata, e cila përpara se të fillojë shqyrtimin e kërkesave të prokurorit, verifikon nëse e ka kompetencën lëndore apo tokësore për gjykimin e çështjes”.

I gjithë argumenti i mësipërm i Arta Markut, çalon ndjeshëm. Sipas shpjegimeve të saj, Kryeprokurorja e Përkohshme e ka vendosur veten në një rol “noteri”. Pra, ajo pretendon se nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e prokurorit, duke mos sqaruar se për çfarë arsyeje ligjvënësi e ka përcaktuar Prokurorin e Përgjithshëm si organin kompetent për shqyrtimin dhe vendimmarrjen e rasteve të konfliktit të kompetencave ndërmjet prokurorive.

Neni 89/2 i Kodit të Procedurës Penale, të cilit i referohet edhe Arta Marku në deklaratën publike, parashikon se: “Mosmarrëveshjet në fazën e hetimit paraprak mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, zgjidhen nga prokurori më i lartë”. Deri në krijimin e Strukturës së Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) edhe Prokuroria për Krime të Rënda vijon të jetë pjesë e “juridiksionit të përgjithshëm”.

Pra, neni i mësipërm i jep të gjitha atributet prokurorit më të lartë (Prokurorit të Përgjithshëm) që të shqyrtojë tërësisht rastin e konfliktit të kompetencave.

Me shqyrtim tërësor, do të thotë që Arta Marku ka pasur mundësinë ligjore që të shqyrtojë të gjithë aktet e dosjes hetimore “184”, të vlerësonte provat, përgjimet, pyetjet e personave dhe çdo dokument tjetër që gjendej në fashikujt e hetuar nga Klodian Braho. Në vijim, Arta Marku duhet të dilte me një përfundim, bazuar në provat e dosjes, për të përcaktuar se kujt prokurorie i takonte vijimi i hetimit-Prokurorisë për Krime të Rënda apo asaj të Dibrës.

Por, siç rezulton nga deklarata publike, Arta Marku nuk ka analizuar asnjë element nga dosja hetimore. Ajo është mjaftuar vetëm me faktin që prokurori i çështjes, Braho, ka vendosur që dosja duhet të shkojë në Dibër dhe, referuar “pavarësisë së prokurorit”, Marku nuk ka analizuar asnjë detaj, duke mos përmbushur detyrimet e saj ligjore.

Dyshimet e forta janë që Marku, nëpërmjet këtyre “neglizhencave” proceduriale, ka shprehur pajtimin e saj, në mos ka qenë në krye të operacionit, për të shpëtuar Ulsi Manjën, Damian Gjiknurin dhe një radhë zyrtarësh të maxhorancës nga hetimi i këtij rasti, i cili, me shumë mundësi, do të ishte një ndër dosjet më të rëndësishme të SPAK-ut.