Kryeministri Edi Rama e quajti “zgëqe” godinën e Teatrit Kombëtar dhe i qëndroi shembjes së TK-së, siç e parashikon ligji i miratuar në Kuvend nga mazhoranca.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Rama tha se debati për shembjen ose ajo të teatrit, “duhet të ishte ezauruar 20 vite më parë”. Shefi i qeverisë sqaroi se nuk do të presë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për të proceduar me shembjen e godinës.
Rama pranoi se ligji i mazhorancës parashikon që një sipërfaqe toke ti jepet kompanisë private FUSHA që ka fituar tenderin. Por, sipas tij, është një “tokë pa vlerë”, që do i jepet vlerë duke ndërtuar një teatër të ri.
“Zhvillimet e Teatrit Kombëtar janë shumë të vjetra, më vjen sinqerisht keq që vazhdon një debat për një teme që duhet të ishte ezauruar në këndvështrimin tim 20 vjet më parë. Ka shumë njerëz që ngatërrojnë muret me historinë, historinë me nostalgjinë, por dua të them se së pari nëse ka një njeri po edhe një forcë qeverisëse që në krahasim me gjithkënd tjetër, s’mund të akuzohet për mungesë vëmendje apo ndjeshmërie ndaj trashëgimisë kulturuare, ky jam unë dhe kjo është forca jonë qeverisëse”, tha Rama. “Godina e teatrit s’është një çështje verbërie apo indiferencë, një çështje realiteti, është një godinë e ndërtuar nga ushtria italiane me materiale të përkohshme për argëtim pas pune. S’ka qenë plan për teatër. Ka mbetur si ajo fjala, një gjë e përkohshme mbetet gjithë jetën. Është e degraduar në kushtet kur s’mund të restaurohet”, shtoi.
“Do na kushtonte më pak se godina e re që ta ndërtonim motamo”, tha Rama, por sipas tij kjo nuk është mënyra e duhur, sepse që në fillim të ndërtimit të godinës, nuk ka pasur një plan për ndërtim teatri.
Duke u ndaluar te akuzat po i jep pronë publike kompanisë që fitoi tenderin e dyshimtë, Rama e pranoi, por shtoi se “është një tokë pa vlerë, me ferra”, ndërkohë që “vlera është teatri i ri”
Pse nuk e bën muze? “Muzeun do e kemi brenda godinës së re të teatrit, çështja është politike, mediokritet dhe kapu pas asgjësë për të bërë zhurmë. S’kemi asnjë interes që të bëjmë zhurmë në rast se s’kemi bindjen që e ardhmja ndërtohet sot dhe sot s’mund të bëjmë diçka që mund të mos i vleje të ardhshmes”, tha Rama. /BN/