Gjatë tre muajve të fundit një numër i panjohur shqetësonte deputetin e PS-së Alfred Peza. Ndër mesazhet që numri i panjohur i dëgonte Pezës kishte të bënte me një kërkesë llogarie që ky i fundit kishte braktisur Peqinin.
I panjohuri nuk kursente as ironinë, duke i pohuar anëtarit të Parlamentit se do të ftonte deputetin tjetër, Ben Blushin, të shkruante një libër për ç’kishte bërë deputeti Peza në Peqin.
Kjo situatë bëri që deputeti Peza të ngrite një padi në organet e Policisë duke e kallëzuar numrin e panjohur.
IDENTIFIKIMI
Për llogari të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë e Tiranës janë administruar një sërë SMS¬sh të mbërritura në numrin celular në përdorim të deputetit. Dërguesi i tyre ishte një numër që përfundonte me “004”.
Veprimet e mëtejshme hetimore kanë zbuluar shumë shpejt dërguesin e tyre. Ka mjaftuar informacioni i mbërritur nga kompania celulare, së cilës i përkiste numri që bezdiste deputetin, për të zbuluar emrin në të cilën ishte regjistruar numri. Sipas të dhënave, numri i përkiste shtetasit Roland Uruçi, 45 vjeç, fermer, nga fshati Përparim i njësisë administrative Peqin. I pyetur për llogari të hetimit, fermeri Uruçi ka pranuar faktin dhe ka dhënë deklarime të hollësishme. Më 18 prill, Roland Uruçi është dërguar si i pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Uruçi u gjykua pa masë sigurimi. Më 4 korrik 2016 ai u deklarua i fajshëm nga gjykata për akuzën e ngritur ndaj tij dhe u dënua me 120 mijë lekë gjobë. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Sipas vendimit, detyrimi përfundimtar i 80 mijë lekëve të rinj duhet të shlyhet prej tij brenda katër muajsh, pasi vendimi të marrë formë të prerë. Në masën e dënimit, gjykata ka mbajtur parasysh qëndrimin pohues dhe pendues të të pandehurit si gjatë hetimit paraprak, po ashtu edhe gjatë gjykimit të çështjes.
MESAZHET
“Panorama” ka siguruar një kopje të vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Tiranës ndaj Roland Uruçit, ku zbardhen edhe disa nga SMS¬të e dërguara prej tij në numrin e deputetit Peza. “Kemi ftuar Ben Blushin të bëjë një libër për të bërat e tua në Peqin” dhe “Ta vuri Dash Sula drunë, përse nuk vjen në Peqin?” janë vetëm dy nga dhjetëra mesazhet, që i kanë shkaktuar shqetësim deputetit deri në pikën që ai ka kallëzuar faktin në organet e rendit. SMS¬te “Kemi ftuar Ben Blushin të bëjë një libër për të bërat e tua në Peqin” “Qëkur arrite në Peqin dhe u zhduke pa lënë gjurmë” “Po mir Prenga është përjashtuar nga PS, po ty pse të përjashtuan nga Peqini?” “Të vuri Dash Sula drunë, perse nuk vjen në Peqin?”. “Dashin po e shohim çdo javë, po ti ku humbe, të ka dalë emri te të humburit”