Ditën e nesërme datë 21 korrik 2019, Ukraina do të mbajë Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare. Edhe këto zgjedhje do të vëzhgohen prej Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të organizuar nga Rrjeti Europian i Organizatave Vëzhguese të Zgjedhjeve (ENEMO), mision i cili pason dy Misionet e mëparshme të Vëzhgimit të Zgjedhjeve Presidenciale të 31 Marsit dhe 21 Prillit të këtij viti.
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) si një ndër organizatat më me eksperiencë në vëzhgimin e proceseve zgjedhore në vend, është anëtare e rrjetit ENEMO prej vitit 2009, ndërkohë që prej vitit 2005, për dy mandate rradhazi është anëtare e Sekretariatit drejtues të Rrjetit.
Në zbatim të strategjisë së organizatës dhe në kuadër të programit për “Monitorimin dhe përmirësimin e integritetit të proceseve zgjedhore”, KRIIK mbetet i angazhuar maksimalisht për të kontribuar në këto Misione Ndërkombëtare Vëzhgimi, ndër të tjera, edhe si një mundësi më shumë për të rritur e forcuar kapacitetet e stafit dhe të aktivistëve të vet, apo edhe të organizatave partnere me të cilat KRIIK bashkëpunon prej vitesh.
Së fundmi, pas Misioneve të Suksesshme të Vëzhgimit nga ENEMO në Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare të 8 Dhjetorit 2018 në Armeni, Zgjedhjet Parlamentare të 24 Shkurtit 2019 në Moldavi dhe Zgjedhjet Presidenciale të 31 Marsit dhe 21 prillit 2019 në Ukrainë, në të cilat KRIIK ka angazhuar aktivistë të vet si vëzhgues afatshkurtër, afatgjatë, pjesë të misioneve drejtuese e deri si Drejtues Misioni, edhe në Misionin aktual për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të 21 Korrikut 2019, KRIIK kontribuon me 8 aktivistë të vet, një prej të cilëve i angazhuar me Ekipin Qendror të Misionit, 3 si vëzhgues afatgjatë dhe 4 si vëzhgues afatshkurtër.
Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të 21 korrikut 2019 në Ukrainë është i përbërë nga një Ekip Qendror prej 12 ekspertësh, 40 vëzhgues afatgjatë dhe 76 vëzhgues afatshkurtër, të deleguar nga 15 organizata anëtare të ENEMO.
Ditën e nesërme, vëzhguesit afatshkurtër do të vëzhgojnë ecurinë e ditës së zgjedhjeve duke u fokusuar në procesin e hapjes së qendrave të votimit, ecurinë e procesit të votimit, të numërimit të votave dhe tabelimit të rezultateve, si dhe në procesin e marrjes në dorëzim të materialeve zgjedhore nga Komisionet Zgjedhore të Distrikteve.
Të dhënat e mbledhura gjatë vëzhgimit ditën e nesërme, do të transmetohen në kohë reale me anë të aplikacionit për smartphone ODK Collect dhe platformës KoboToolbox, metodologji e cila përdoret nga ENEMO për herë të katërt, duke krijuar tanimë një traditë të qëndrueshme në transmetimin e të dhënave në kohë reale gjatë ditës së vëzhgimit.
Lidhur me periudhën parazgjedhore, më datën 14 korrik 2019, Misioni publikoi Raportin e Ndërmjetëm të tij, në të cilin ENEMO vlerësonte se kuadri ligjor aktual në Ukrainë garanton parakushtet kryesore për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike.
Megjithatë, ENEMO vlerëson se afatet ligjore tepër të ngushta, paqartësitë e konsiderueshme që lidhen me regjistrimin e kandidatëve dhe afatet e shkurtra për fushatën zgjedhore kanë krijuar një mjedis sfidues. Sipas ENEMO, megjithëse zgjedhjet janë, në përgjithësi, konkuruese, mungesa e rregullave gjithëpërfshirëse për fushatën zgjedhore krijon hapësirë që kandidatët të anashkalojnë parimet e fushatës së ndershme dhe të transparencës. [për më shumë shih Raportin I të Ndërmjetëm të Monitorimit (në anglisht): http://enemo.eu/uploads/file-manager/FirstInterimReport-EarlyParliamentaryElectionsUkraine2019.pdf ].
Zgjedhjet e parakohshme të së dielës do të monitorohen edhe nga Misione të tjera Ndërkombëtare vëzhgimi si: OSBE/ODIHR, Asamblea Parlamentare e NATO-s, Instituti Demokratik Amerikan (NDI), Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), CANADEM, etj.
Zgjedhjet e rregullta Parlamentare ishin planifikuar të mbaheshin në tetor 2019, por Presidenti i sapozgjedhur i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, menjëherë pas kryerjes së betimit dhe marrjes së detyrës në 20 Maj 2019, vendosi shpërndarjen e Parlamentit dhe caktoi ditën e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare në 21 Korrik 2019.
Zgjedhjet e nesërme mbahen për të zgjedhur 424 deputetë në Parlamentin e Ukrainës, nga 450 deputetë në total të tij. Kjo pasi zgjedhjet nuk do të mbahen në 26 zona zgjedhore, në Krime, e cila është aneksuar nga Rusia që në Mars 2014, si dhe në disa pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, në lindje të vendit, të cilat nuk janë nën kontrollin e qeverisë Ukrainase si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm atje.
225 deputetë do të zgjidhen nën një sistem proporcional dhe 199 nën një sistem maxhoritar, në po kaq zona zgjedhore. Në këto zgjedhje 22 parti politike janë regjistruar për të marrë pjesë, ndërsa në total janë regjistruar rreth 6000 kandidatë.
Zgjedhjet e 21 korrikut 2019 konsiderohen si shumë të rëndësishme për Ukrainën. Bazuar në rezultatet e sondazheve, ato duket se do të konsolidojnë akoma më tepër pushtetin e presidentit të zgjedhur në 21 prill 2019, Zelensky, partia e të cilit, “Shërbëtori i Popullit”, e quajtur sipas serialit televiziv që e bëri Zelensky-n të famshëm dhe e katapultoi në majat e mbështetjes popullore, duket se do të fitojë bindshëm, ndoshta edhe duke arritur të ketë më tepër se gjysmën e mandateve parlamentare. Nëse kjo ndodh, kjo do të sjellë një ndryshim radikal në politikën e Ukrainës, duke zbehur akoma më shumë fuqinë e partive tradicionale.
President Zelensky erdhi në pushtet me kartën e anti-korrupsionit dhe mbështetja e më shumë se treçerekut të zgjedhësve ndaj tij në Zgjedhjet e 21 Prillit 2019 u pa si një tregues shumë domethënës i lodhjes së Ukrainasve, veçanërisht të rinjve, me korrupsionin, retorikën politike boshe, stanjacionin ekonomik dhe social të vendit dhe mungesën e perspektivës.
Rritja e pushtetit të Zelensky-t shihet me entuziazëm nga shumë aktorë dhe me skepticizëm nga shumë të tjerë. Ndërsa erdhi në pushtet si një fytyrë e re, që premtoi shumë, ai edhe është akuzuar se mund të jetë një kukull në duart e oligarkëve Ukrainas dhe se mund të mos jetë personi i duhur për t’i bërë ballë presionit në rritje të Federatës Ruse. Muajt në vazhdim do të tregojnë më tepër për rrugën që qeverisja e Zelensky-t dhe e partisë së tij do të marrë, pasi ai të ketë marrë pushtetin në Parlamentin Ukrainas.
Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit ENEMO do të publikojë gjetjet paraprake mbi procesin zgjedhor në një Konferencë për Shtyp, që do të mbahet në datë 23 korrik 2019 në Kiev, në orën 11:30,që mund të ndiqet live në faqen e internetit: http://www.enemo.eu/en/home/ ose në facebook në: https://www.facebook.com/enemo.network/.