Nga Minushe Lazaj*
8 Marsi, më shumë se një shekull më parë, kulmoj me përcaktimin e disa të drejtave për gratë. Me kalimin e viteve figura e gruas ka pësuar një evoluim relativ.
Pyetja që mund t’ju lind: Pse po shkruaj?
Sepse tek ne, kjo datë, vjen si rrufe në qiellin e pastër. Trumbetohet, për një ditë, në gjithë mediat vizive e rrjete sociale, suksesi, barazia, gëzimi, buqetat me lule. Pikërisht kjo me duket farsë. Ato mesazhe urimi, ato dhurata (për ata që mundin) seç fshehin një nënqeshje cinike. . . E me tej, në ditët që vijnë, heshtet ose dëgjojmë lajme të zymta për “heroinat”, “ princeshat” , “fisniket” e datës 8.
Në një të shkuar jo të largët, por ende sot, skepticizmi ndaj saj veç është reduktuar. Ajo dikur ka qenë e detyruar të qëndronte në shtëpi, të kujdesej për shtëpinë dhe familjen. Për rrjedhoj nuk arsimohej ose arsimohej deri në një nivel të caktuar dhe nuk formohej për një jetë profesionale dhe sociale përvecse brënda kontureve të shtëpisë.
Sot kanë ndryshuar pozitat dhe kushtet. Kohët kanë ndryshuar dhe krahas kësaj edhe pozita dhe roli shoqëror e social i gruas ka marrë ngjyrime të tjera. Femra bashkëkohore ka marrë përsipër disa role. Rolin e bashkëshortes, të nënës, të nëpunëses, bijës, motrës, mikes, amvisës etj. Ajo sot është më e arsimuar, punon dhe përgatitet për t’i dal zot vetes, nuk nguron që të pretendoj çfarë dëshiron dhe gjykon se meriton. Formon dhe kujdeset për familjen, shoqërinë etj.
Emancipimi i gruas nuk është thjesht i nevojshëm por përbën domosdoshmëri. Sikurse Gandi shprehet “Të arsimosh një mashkull do të thotë të arsimosh një person, të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri”. Në një gjykim të ftohtë dhe reflektues kushdo mund të arrijë në këtë konkluzion se gruaja është shtylla kurrizore e shoqërisë. Përpos faktit që të sjellë në jetë është pika kyçe e edukimit të fëmijës, brezave. E për rrjedhojë sa më i shëndetshëm të jetë ky edukim aq më e arsimuar, e edukuar dhe e formuar lipset të jetë vet gruaj, nëna.
Për hir të së vërtetës, në një nivel të konsiderueshëm femra ndeshet me paragjykime nga më të ndryshmet, për këtë arsye shkruaj në paragrafin e parë që “evoluimi është relativ”. Një nga këto është paragjykimi se nuk mund të jetë e suksesshme edhe në familje edhe në karrierë, duke e justifikuar madje edhe me proverbin popullor “nuk mbahen dy kunguj nën një sqetull”. Sipas këtyre, doemos femra u dashka të zgjedhë njërën, ose familjen ose karrierën, ndryshe nga një burrë që s’ka nevojë të zgjedh por mund t’i ketë të dyja. E pse ndodh kjo? Sepse ka kush kujdeset për familjen, ndërkohë që burri bën karriere, është gruaja ajo. Nuk mendoj se është kusht e sigurisht fakte e raste reale ma shtojnë këtë bindje. Ka me qindra mijëra raste që provojnë se një femër mund të jetë e sukseshme edhe në familje edhe në karrierë. Zonja me familje të shkëlqyera, nëna shembullore e paralelisht ato i gjenë mësuese, mjeke, avokate, ekonomiste, gjyqtare, politikane, artiste etj.
Ky model ofron shembullin e duhur, në ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme. Duke pasur parasysh këto, lehtë të vjen ndërmend e ashtuquajtura “gruaja e hekurt” Margaret Thatcher me shprehjen e saj: “Nëse dëshiron të flitet për diçka, pyet një mashkull; nëse dëshiron që diçka të bëhet, pyet një femër”.
Femra për nga natyra është e fortë, e po ti referohemi edhe literaturës fetare vet Zoti e ndërtoi aq të fortë saqë e ngarkoi me misionin e riprodhimit. Stereotipet janë ato që e klasifikojnë dhe e konsiderojnë atë të dobët. Me këto stereotipe janë të veshur ajo pjesë e shoqërisë që ashtu iu leverdis ta klasifikojnë, qoftë femra apo meshkuj në varësi të kushteve dhe interesit të caktuar. Ambicia e çdo femre për të qënë e suksesshme në të dy boshtet kryesore të jetës, kërkon të japësh një luftë të madhe në vorbullën e një shoqërie maskiliste, kjo është rruga e vështirë por me rezultatet më të bukura për krenarinë e saj dhe për rregullsinë, shëndetin dhe mbarëvajtjen e një shoqërie.
Por çdo e mirë e ka një të keqe pas. Kështu edhe modernizimi, emancipimi i shoqërisë, evoluimi i tenologjisë ka edhe anën tjetër të medaljes, efektet negative edhe në rolin e gruas. Sot bie në sy edhe femra ekstravagante, ajo që e merr fare lehtë jetën, e shkompleksuar deri në banalitet. Ato që kanë zgjedhur rrugën e lehtë në ndërtimin e jetës. Prioritetet e këtyre janë moda, palestra, manikyr-pedikyr, hamamet, argëtimi kafeve e restoranteve me biseda boshe, pa kumt jeta, e parajsës së rreme dhe që s’mund të ketë një happy end.
Më thelbesorja në reflektimin tim. . . Dalëngadalë po zbehet amësia. Kalon në rend të dytë, tretë apo edhe të katërt në axhendën e tyre. Kjo mund të ndodh si pasojë e kushteve të vështira ekonomike, papunësia, synimi për karrierë, por më e keqja është për rastet kur shtyhet se prishen linjat e trupit!? Sa gëzim e pozitivitet përçon një nënë e re që shtyn karrocën me bebin që gugat në të. Çfarë ngrohtësie kur shef gjyshet që kanë për dore mbesën a nipin. Po zbehen këto gëzime esenciale. Po humbim femijët, shoqëria plaket, bota tretet. Vendi fëmijës është zëvendësuar nga qeni, macja, ndonjë kafshe tjetër apo laptopi magjik.
Kjo kritikë nuk do të thotë aspak se jam kundra kurimit të femrës, ambicieve të tyre, zgjedhjes që bëjnë, përkundrazi. Duke qënë vet femër, mbështes çdo lëvizje që jetën e femrës e bëjnë më të bukur, më të plotë apo kuptimplotë. Por duhet qartësuar kufiri i vlerës dhe antivlerës, kulturës dhe antikulturës, emancipimit dhe tejkalimit. Diku janë ngatërruar konceptet midis vleres dhe antipodit të saj. Diku . . . , në kryqëzimet e pafundme të modernitetit.
Që s’duhet t’na pengojë për të kujtuar misionin se : Jemi këtu çdo ditë pavarësisht muajit, pavarësisht datës.
Gëzuar 8 Marsin!
*Autorja është studiuese e Shkencave Politike