Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka dalë kundër kryeministrit Edi Rama, lidhur me idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa e ka cilësuar një ide të shekullit të 19, që propozohet për të zgjidhur sfidat e shekullit të 21.
Në një intervistë për gazetën e njohur austriake, Der Standard, Bushati ka folur për shumë tema, po është ndalur në vecanti, në atë që e cilëson si “zgjidhje magjike”, ndryshimi i kufinjve.
Ai e konsideron se ajo shkon kundër frymës së integrimit europian dhe zgjerimit të BE.
Pjesë nga Intervista:
Bisedoi: Adelheid Woelfl, Der Standard
A mendoni se Shqipërinë e ka dëmtuar për çështjen e negociatave të anëtarësimit, fakti që kryeministri Edi Rama ka mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë?
Ballkani ka kaluar nëpër faza të ndryshme, ka pasur luftra dhe konflikte ndëretnike, kemi pasur Marrëveshjen e Dejtonit, ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, kemi qenë në gatishmëri për menaxhimin e krizave. Më pas, kemi njohur metodat dhe parimet europiane për shkak të angazhimit të BE dhe për shkak të bashkëpunimit rajonal. Por gjatë dy viteve të fundit, sidomos vitin e shkuar, na janë ofruar të ashtuquajturat ‘zgjidhje magjike’ nga shekulli i 19-të, për të zgjidhur sfidat e shekullit të 21-të. Dy dekadat e fundit kishin të bënin me bashkëpunimin rajonal dhe procesin e pranimit në BE të Ballkanit Perëndimor, mbi të gjitha që qytetarët të bëheshin qytetarë evropianë dhe armiqtë e dikurshëm të ktheheshin në fqinj të mirë, duke u përpjekur të zgjidhur të gjitha këto mosmarrëveshje. Megjithatë, fakti se ky shkëmbim territoresh po diskutohet tani në qendër të Europës në shekullin e 21-të, tregon një hap pas, një lloj ‘rruge të shkurtër’, që në mënyrë cinike po paraqitet si alternativë për pranimin në BE.
Çfarë do të thotë ky zhvillim për të gjithë Europën?
Para pak kohësh, dhjetë vende ish-komuniste kanë festuar 15-vjetorin e pranimit në BE si një tejkalimin i historisë dhe gjeografisë. Procesi i ribashkimit të kontinentit megjithatë nuk ka përfunduar akoma. Dhe me këtë retorikë të ndryshimeve kufitare në Ballkani, po përjetojmë të kundërtën. Sepse kjo ide ka të bëjë me rishkrimin e historisë përmes gjeografisë dhe hartografisë. Kjo është një situatë paradoksale, ku nga njëra anë Europa feston këtë 15-vjetor, por pastaj në vend që të shkojmë në atë drejtim, diskutimi kryesor në Ballkan është që të shkruajmë historinë me gjeografi. Imagjinojeni se çfarë mesazhi është ky për brezat e rinj në Ballkan.
A u mor kjo ide e shkëmbimit të territoreve në diskutim tani, për shkak se administrata amerikane e Donald Trump, në veçanti këshilltari për sigurinë, John Bolton, kërkoi një zgjidhje të tillë.
Është e vështirë të përcaktohet se kush është babai i kësaj ideje. Eshtë një ide shumë e vjetër, e cila vjen nga nacionalisti serb, Dobrica Çosiç.
Po, e dimë se këto ide nuk vijnë nga forcat pro-evropiane, por nga forca të prapambetura në Serbi. Pati edhe një fushatë marketingu të menaxhuar keq për këtë çështje. Autoritetet në Serbi dhe Kosovë e bënë këtë temë të dialogut të normalizimit. Por vetë ideja nuk u diskutua kurrë zyrtarisht në formatin rajonal apo evropian. Kjo ide lundroi rreth…
… dhe pas saj qëndronin shumë lobistë.
Po, ka pasur shumë konfuzion. Por ka disa procese që nuk mund të injorohen: ka pasur ndërhyrje të NATO-s në Kosovë, më pas erdhi Procesi i Vjenës dhe Paketa e Ahtisaarit, më pas erdhi Deklarata e Pavarësisë së Kosovës dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi për shpalljen e pavarësisë. Ekzistojnë parimet e Grupit të Kontaktit që përjashtojnë ndryshimet kufitare. Dialogu i normalizimit u transferua më pas nga OKB drejt BE-së. Por tani ka mosmarrëveshje për këtë debatin e shkëmbimit të territoreve, që do të thotë mbi të gjitha normalizim.
Dhe retorika është bërë më e ashpër prej atëherë. Gazetat po përdorin gjuhën e urrejtjes ndaj grupit tjetër etnik.
Retorika është zhvendosur në mënyrë të rrezikshme nga qytetarët në drejtim të territoreve.
… dhe ju madje u desh të largoheni nga detyra juaj si ministër i Jashtëm sepse ishit kundër shkëmbimit të territoreve…
… dhe nuk ka një koordinim të qartë mes fuqive perëndimore.
A mendoni se ideja e shkëmbimit të territoreve tani është hequr nga tavolina, pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel organizoi së fundmi një takim me politikanët ballkanikë në Berlin vetëm për këtë qëllim? Ideja e shkëmbimit të territoreve lidhet ngushtë me idenë e Serbisë së Madhe dhe Shqipërisë së Madhe, dhe disa politikanë në rajon vazhdojnë të lançojnë më tej këto ide.
Ka ende një hendek të madh mes dy palëve- Kosovës dhe Serbisë- sa i përket pyetjes se çfarë do të thotë në të vërtetë normalizim. Në çdo rast, normalizimi nuk duhet të çojë në një situatë të re në terren. Normalizim do të thotë, që të lehtësohen kontaktet mes njerëzve në terren, të fokusohesh më shumë tek të drejtat e qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në rajonet kufitare. Kjo do të thotë po ashtu që të thyesh pengesat dhe të zbatosh angazhimet për të cilat ke rënë dakord. Marrëveshjet e para janë arritur në vitin 2013 dhe prej atëherë janë rishkruar apo riinterpretuar nga aktorët, në varësi të axhendave të tyre të brendshme. Pyetja është, nëse palët e kanë seriozisht rrugën europiane. Kur, për shembull, presidenti serb Aleksandar Vuçiç thotë se po e dskuton këtë çështje me presidentin rus, Vladimir Putin dhe të tjera, pyes veten nëse ai e pranon Europën. Sepse kjo është një çështje politike, që duhet të shtrohet në Europë, dhe ai i njeh kushtet.
Si duhet të sillet Shqipëria? Në fund të fundit, edhe këtu ka ambicie për të krijuar një Shqipëri të Madhe.
Në këtë rajon është shpenzuar shumë kohë dhe energji me idetë e shteteve të mëdha, por në fund fare ne kemi nevojë për kohë dhe energji për zhvillimin ekonomik dhe social. Nuk ka plan B, pjesa tjetër janë vetëm mashtrme politike dhe retorikë, ndonjëherë të shoqëruar me frustrim.