Kandidati për deputet nga listat shumëemërore të Partisë Demokratike, Indrit Hoxha, i ka suprizuar të gjithë sot ku nga salla e Kuvendit jo vetëm që nuk pranoi të bënte betimin por e quajti Kuvendin një vend kriminelësh dhe komunistësh të cilët kishin ndyer duart me gjak. Nga studio e Faxneës, Hoxha ka shpjeguar edhe njëherë vendimin e tij për të mos u betuar si deputet duke thënë se nuk mund të shkelte mbi gjakun e të përndjekurve politikë, dhe amanetin e babait të tij.
“Ndoqa rrugët ligjore siç e parashikon kushtetuta. Ky ka qenë një vendim i imi personal duke mirëkuptuar të gjithë demokratët dhe popullin opozitar, por unë mendova një mënyrë të veçantë duke shkuar në Kuvend dhe duke i thënë disa gjëra në sy. Familjes time i kanë filluar sulmet që në 1941 nga kjo parti që sot është në pushtet. Para një viti e gjysëm kam kërkuar nisjen e hapave ligjorë për dekomunistizimin e politikës.
Në jemi në një sistem politik që kemi 70 vjet demagogji, dhe ka ardhur koha ti japim fund. Unë i plotësova të gjitha formularët për të shkuar drejt finalizimit ku refuzova mandatin. Më vonuan nëpër komisione pasi rezultoja me precedent penal. Është e vërtetë se unë jam arrestuar tre herë por sepse kam marrë pjesë në protesta dhe jam shoqëruar. Kontributi im personal dhe familjar tek Partia Demokratike ka qenë që prej themelimit të saj. Unë kam qenë në çdo protestë të organizuar nga PD. Kemi një Parlament jo kriminal por të zgjedhur në mënyrë kriminale”. tha Hoxha
Hoxha më tej komentoi edhe djegien e mandateve nga opozita duke e quajtur si fillimin e një aksioni ekstrem i cili tha ai do të përshkallëzohet në ditët në vijim.
“Vendimi i opozitës për të djegur mandatet ka qenë një vendim ekstrem por ky nuk do të jetë i vetmi i këtij lloji. Pasi me 11 Maj do të ketë një tjetër protestë. Akti i djegies së mandateve do të jetë akti i parë ekstrem duke marrë parasysh aksionet e opozitës në ditët në vijim pasi nuk mund të ketë zgjedhje dhe nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën. Ky është një Parlament iligjitim i kthyer në diçka banale, dhe nëse opozita do të qëndronte në Parlament do të ishte një tjetër fasadë”.
Duke folur rreth ndryshimit të sistemit zgjedhor si edhe për alternativat që ofron PD, Hoxha tha: “Në radhë të parë ndryshimi i sistemit vjen me demokratizimin e brendshëm të partive, por kjo në PD do të ndryshojë duke u zgjedhur me një anëtar një votë. Kandidaturat e zgjedhjeve të kaluara kanë pasur problematikat e saj por nuk zgjedh ti komentoj pasi ajo ka kaluar tashmë”.
Hoxha ka edhe një koment për vendimin e Rudina Hajdarit për të mos e dorëzuar mandatin e deputetes.
“Vendimi i Rudina Hajdarit është personal dhe unë respektoj çdo vendim sepse e drejta e vendimit është e drejta personale e çdokujt ashtu siç ishte edhe për mua. Ideologjia e PD-së dhe boshti primar i saj janë të përndjekurit dhe pronarët. Unë mendoj se PD është në një proces hapje për të mirëpritur çdokënd që do të japë një kontribut për vendin.
Problemi më i madh që po ndodh është ikja e 500 mijë shqiptarëve vetëm 6 vitet e fundit. Shumë shpejt do të ndodh që për herë të parë në vend një forum rinor i një partie politike do të prezantojë një plan kombëtarë për punësimin e të rinjve dhe FRPD po punon me forumet rinore të disa partive europiane”.
Hoxha paralajmëroi gjithashtu se protesta e11 Majit nuk do të jetë si ato të kaluarat.
“Me 11 maj nuk do të jetë një protestë si gjithë të tjerat. Se çfarë do të ndodhë e vendosin qytetarët dhe asnjë parti politike”., tha Hoxha.