Për miqtë dhe fqinjët në Manchester, Asdrit Kapaj ishte një njeri për t’u admiruar. Një refugjat i cili në fillim u pretendua se kishte ikur nga tmerret e luftës së Kosovës, por më pas rezultoi se ishte me origjinë nga Vlora, jugu i Shqipërisë. Gjatë dy dekadave që Britani të Madhe, i kushtoi kohë dhe shumë mund përpjekjeve për të ngritur dhe punuar në restorantin dhe dyqanin e çajit në Altrincham, Mançester.
Fotot në rrjetet sociale tregojnë një njeri të veshur me elegancë, përkrah bashkëshortes së tij, Radie, vajzës 8-vjeçare dhe djalit 4-vjeçarë. “Ai është një djalosh me të vërtetë i zellshëm që ka punuar për orë të tëra në dyqanin e tij të peshkut”, tha një mik dhe koleg i tij që jetonte pranë shtëpisë së Kapajt në Manchester.
Por ndërkohë, disa qindra milje më në jug, në periferi të Londrës, ata që kanë pasur fatkeqësinë për të kaluar në të njëjtën rrugë me Kapajn, e përshkruajnë atë në rrethana të ndryshme. Autoritetet e kanë quajtur atë si hajduti i “Wimbledon Proëler”. Shqiptari është duke u përballur tashmë me drejtësinë britanike, pasi ka pranuar akuzat e vjedhjes së më shumë se 500 mijë paundëve stoli dhe sende të tjera me vlerë në lagjen e famshme londineze, Wimbledon ku jetojnë disa prej pasanikëve më të mëdhenj. Shqiptari udhëtonte nga Manchesteri për në Londër, pikërisht për të grabitur shtëpitë.
Asdrit Kapaj hyri në shtëpitë milionëshe në jug-perëndim të Londrës, madje duke synuar rezidencën e legjendës së tenisit Boris Becker. 42-vjeçari, i cili nuk kishte dënime të mëparshme, ishte i kujdesshëm, çaktivizonte alarmin si dhe ishte i maskuar. Ai madje mbyllte edhe dritaret duke bërë që “viktimat” të mos e kuptonin se ishin grabitur.
Por pasi ai u kap me një palë dorashka dhe një elektrik dore në shkurt, ai sot pranoi se qëndronte pas 21 vjedhjeve dhe dy vjedhjeve të tentuara, duke arritur në rreth 542,000 paund, bizhu të grabitura. Prokurorët dyshojnë se ai ka kryer shumë më shumë ndërhyrje, me disa vlerësime se ai mund të ketë vjedhur nga 200 në 400 shtëpi, ku vlera totale e sendeve të vjedhura kap 10 milionë dollarët.
Ish-kampioni i Wimbledon, Boris Becker dhe ish-futbollisti i Premier Ligës, Nicolas Anelka, ishin ndër banorët të cilët dyshohet se janë grabitur nga Kapaj. Madje, shqiptari ka arritur t’i ikë Nicolas Anelkas, kur ky i fundit e ka ndjekur me vrap tek oborri i banesës. Stoli për vlerë 371,855 paund janë marrë nga Kapaj në një vjedhje të vetme, në shkurt të vitit 2017, në një rrugë tjetër pranë klubit të famshëm të tenisit, Wimbledon.
Kapaj kreu shumicën e sulmeve të tij gjatë natës, duke veshur kapele peshkimi. Një nga pronat që ai ka vjedhur besohet të jetë me vlerë 7.3 milionë paund. Një grua në rezidencën në zonë nuk pranoi të komentojë sot, por tha se familja e saj ishte ndër viktimat.
Banorët e fshatit Wimbledon, përfshirë 81-vjeçaren Philippa Beck, ishin në gjykatë për të festuar pranimin e fajit nga Asdrit Kapaj. Zonja Beck, e cila ishte pronare e një ore ari të vjedhur nga Kapaj, tha se ajo ishte e habitur kur mësoi se hajduti bënte një udhëtim rreth 500 kilometrash për të “sulmuar” zonën.
Lagjja e Wimbledon, Londër, ku grabiste shtëpitë Kapaj
Laurie Porter, banore në Wimbledon, tha se banorët “po flenë më qetë tani njeriu që kalonte rreth kopshteve tona dhe rrugët tona’ është në paraburgim”. “Unë jam e kënaqur që nuk duhet të shqetësohemi për këtë njeri”, shtoi ajo.
Kapaj pranoi 21 akuza për vjedhje dhe dy të tentuara. Prokurorja Alexandra Boshell tha: “E di që ai banon në Mançester. Ai ka ardhur vazhdimisht në Londër. Makina e tij është parë duke udhëtuar në zonën e Londrës”. “Këto janë një seri vjedhjesh të ekzekutuara me shkathtësi gjatë dekadës së fundit që kanë lënë banorët e fshatit Wimbledon në frikë në komunitetin e tyre, sepse këto vjedhje kanë vazhduar dhe hajdutët nuk janë kapur”.
Duke folur sot, avokati i Kapaj, Hugh Mullan i tha gjykatës: “Ai ka qenë këtu që nga mosha 16 vjeç. Ai ka leje të pacaktuar për të qëndruar”. “Ka vetëm bukë në frigorifer”, shpërtheu në lot gruaja e tij gjatë një seance. Mirëpo, nëse ai ishte përgjegjës për këto grabitje, ku kanë shkuar gjithë këto të ardhura për të cilat gruaja nuk ishte në dijeni?
Doli se Kapaj ishte një i varur nga kumari – një ves për të cilin, me ç’duket edhe gruaja e tij nuk ishte në dijeni. Dhe, siç zbulon Daily Mail, kjo nuk është e vetmja pjesë e historisë së biznesmenit. Në vitin 2016, policia publikoi pamjet e reja të të dyshuarit duke vjedhur një kasafortë që përmbante 100,000 sterlina. Imazhet tregonin një burrë duke mbledhur lekët dhe duke ikur me qetësi. Me kalimin e viteve, policia filloi të spekulonte se ndoshta hajduti mund t’i bënte këto vjedhje për famë, duke u futur në shtëpi vetëm për kënaqësi.
Aspekte të tjera i tronditën autoritetet. Pse ai nganjëherë nuk synonte veshjet e grave duke përfshirë këpucët e Prada dhe çantat Gucci? Dhe ç’të themi për kasafortën nga e cila vodhi vetëm një vath, kur aty kishte 30 çifte vathësh? Këto pyetje nuk kanë marrë ende përgjigje, Kapaj arriti të bëjë një gjë për banorët. T’i frikësojë dhe bezdisë aq shumë, sa shumë banorë të pasur kanë përfunduar duke transformuar shtëpitë e tyre në fortesa, duke blerë sistemet më të fundit të sigurisë dhe qentë rojtarë të Rottueiler. Edhe atëherë, ata shpjeguan se jetonin në frikë, të pamundur për t’u çlodhur gjatë natës.
Kush është Asdrit Kapaj
Asdrit Kapaj lindi në vitin 1977 në fshatin Gjorm, rreth 20 milje nga qyteti i Vlorës, në jug të Shqipërisë. Ai ishte më i riu nga pesë fëmijë, tre djem dhe dy vajza, i lindur nga një ish-anëtar i rezistencës shqiptare anti-komuniste. Babai i ndjerë i Kapajt kaloi rreth 20 vjet burg për vrasjen e dy komunistëve në Shqipëri në vitin 1944 dhe jeta ishte e vështirë për familjen Kapaj nën sundimin komunist në vitet 1970 dhe 1980.
Shtëpia ishte një kasolle me dy dhoma, mbetjet e të cilave janë ende në bazën e shtëpizës relativisht të re të familjes, ku ende jeton nëna e brishtë e hajdutit. Kapaj ndoqi shkollën fillore në Gjorm, por në fillim të viteve 1990, pas rënies së komunizmit, ai u zhvendos nëpër kufirin me Greqinë fqinje. Ishte një rrugë e njohur për dhjetëra mijëra shqiptarë të dëshpëruar. Për një kohë ai punoi si kamarier, por burimet i thanë Daily Mail-it se atje Kapaj kishte probleme me autoritetet.
Detajet e sakta mbeten të paqarta, por, pasi u kthye në Shqipëri, në fund të viteve 1990, ai kishte vendosur edhe njëherë sytë për një lëvizje jashtë vendit – kësaj here në Mbretërinë e Bashkuar, ku qeveria e Tony Blair po lejonte mijëra refugjatë kosovarë të vendoseshin.
Vëllai i tij më i vjetër Nexhip Kapaj i tha dje Mail se ai u përpoq “dy ose tre herë” për të hyrë në Britani si refugjat kosovar para se të pranohej. Ai tha se vëllai i tyre i mesëm, Bilali, ishte vendosur ndërkohe në Britani të Madhe. “Ashtu si shumë shqiptarë gjatë Luftës së Kosovës, të deklaroje se ishe kosovar, ishte mënyra më e lehtë për të fituar hyrjen në Britani të Madhe”, thotë vëllai i tij, një ish-polic. Kapaj kishte paguar rreth 600 paund për të udhëtuar nga Shqipëria në Britaninë e Madhe rreth dy dekada më parë.
/Burimi: Daily Mail/