Qeveria do t’i japë kompensimi televizoneve private kombëtare në shumën e 2 milionë eurove si kompensim për procesin e ndërrimit të sistemit të transmentimit nga analogë dhe numerikë.
Ky është vendimi më i fundit i qeverisë i marrë me 4 prill.
Në bazë të kësaj VKM-je, qeveria vendos ”Ndarjen e kompensimit financiar për kategoritë operatorë privatë historikë kombëtarë dhe operatorë me eksperiencë në transmetimet numerike, si më poshtë vijon:
1. Operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike të kompensohen në masën 2 000 000 (dy milionë) euro, për mbulimin e pjesshëm të investimeve që dalin jashtë funksionit si rezultat i ndryshimeve teknologjike, sipas ligjit nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Operatorët privatë historikë kombëtarë të kompensohen në masën 2 000 000 (dy milionë) euro, për mbulimin e pjesshëm të investimeve të kryera për ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit, nga analoge në numerike”.
Vlera e kompensimit për operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike do të llogaritet me përqindjen që vlera financiare për përgjegjësitë tatimore, e paguar prej secilit operator, zë në totalin e vlerës financiare për përgjegjësitë tatimore të paguara nga të gjithë operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike.
Ndërsa sipas ligjit televizone private kombëtare janë To Channel, Vizion Plus dhe Tv Klan.Por ne nje vendim te AMA licencen kombetare e ka Digitalb dhe shoqeria Albanian Digital Television Network e njohur ndryshe shkurt si ADTN quhet operatori televiziv i cili sipas ekstraktit të ka si objekt ndertimin, tregetimin, e sistemeve dhe rrjeteve te telekomunikacioneve, pra në formën e një platforme ajo rezulton se është pjesë e Top Media Group, pjesë këtu Top Channel, Digitalb dhe SuperSport.
Janë pikërisht këto stacione teelvizive që do të përfitojnë nga ku vendim që jep një shumë të konsiderueshme. Ndërsa kjo shumë e konsiderueshme jepet përpara zhvillimit të zgjedhjeve lokale, çka mund të interpretohet edhe si tentativë e qeverisë për të joshur televizionet private.
Më poshtë vendimi i plotë që po e boton Gjurma.al
VENDIM
Nr. 240, datë 4.4.2019
PËR MIRATIMIN E KRITEREVE PËR NDARJEN E KOMPENSIMIT FINANCIAR TË OPERATORËVE ME EKSPERIENCË NË TRANSMETIMET NUMERIKE DHE OPERATORËVE PRIVATË HISTORIKË KOMBËTARË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe
të pikës 4, të nenit 6, të ligjit nr. 34/2017, “Për
lirimin e frekuencave të digjital-dividentit”, të
ndryshuar, me propozimin e ministrit të
Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave,
VENDOSI:
Ndarjen e kompensimit financiar për kategoritë operatorë privatë historikë kombëtarë dhe operatorë me eksperiencë në transmetimet numerike, si më poshtë vijon:
Operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike të kompensohen në masën 2 000 000 (dy milionë) euro, për mbulimin e pjesshëm të investimeve që dalin jashtë funksionit si rezultat i ndryshimeve teknologjike, sipas ligjit nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Operatorët privatë historikë kombëtarë të kompensohen në masën 2 000 000 (dy milionë) euro, për mbulimin e pjesshëm të investimeve të kryera për ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit, nga analoge në numerike.
Vlera e kompensimit për operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike do të llogaritet me përqindjen që vlera financiare për përgjegjësitë tatimore, e paguar prej secilit operator, zë në totalin e vlerës financiare për përgjegjësitë tatimore të paguara nga të gjithë operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike.
Vlera e kompensimit për operatorët historikë kombëtarë do të ndahet në mënyrë të barabartë.
Operatori me eksperiencë në transmetimet numerike, për të përfituar kompensimin financiar sipas pikës 1, të këtij vendimi, duhet të depozitojë pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, si më poshtë vijon:
a) Ekstraktin historik për të dhënat e subjektit, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
b) Relacionin e vlerësimit të firmosur dhe të vulosur nga një ekspert kontabël i autorizuar sipas legjislacionit në fuqi, mbi përgjegjësinë tatimore të paguar pas datës 4 prill 2013 e deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Relacioni duhet të përfshijë informacion për masën e paguar nga subjekti për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi fitimin, tatimin mbi pagat dhe kontributet për të punësuarit, taksat kombëtare, tarifat sipas llojit të ushtrimit të aktivitetit, tatimin e mbajtur në burim ku deklarohen (dividenti, tatimi mbi qiradhënie, shërbimet teknike etj.), taksat lokale e akcizën, dhe duhet të depozitohet në AMA, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi i këtij të fundit.
Në të kundërt, vlerësimi i masës së përgjegjësive tatimore të paguara prej subjekteve përfituese do të përcaktohet nga AMA, bazuar në të dhënat e pasqyrave financiare vjetore të depozituara pranë AMA-s.
c) Vërtetim lëshuar prej organeve tatimore, që konfirmon shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
ç) Vërtetim lëshuar prej organeve përkatëse, që konfirmon shlyerjen e detyrimeve sipas ligjit për taksat kombëtare, për të cilat operatori është subjekt.
Operatori privat historik kombëtar, për të përfituar kompensimin financiar, duhet të depozitojë pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, si më poshtë vijon: a) Ekstraktin historik për të dhënat e subjektit, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
b) Dokumentacionin financiar për investimet e kryera për ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit, nga analoge në numerike (përshtatjen e pajisjeve ekzistuese, instalimin e pajisjeve të reja të sistemit të transmetimit) etj., si fatura tatimore blerjeje, fatura zhdoganimi, kontrata shërbimi.
c) Vërtetimin e lëshuar nga organet tatimore, që konfirmon shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
ç) Vërtetimin e lëshuar nga organet përkatëse, që konfirmon shlyerjen e detyrimeve sipas ligjit për taksat kombëtare, për të cilat operatori është subjekt.
Autoriteti i Mediave Audiovizive shqyrton dokumentacionin e subjekteve dhe kryen veprimet, si më poshtë vijon:
a) Verifikon nëse subjektet kanë detyrime financiare të pashlyera ndaj saj.
b) Verifikon nëse subjektet kanë detyrime financiare për sanksione gjobë të shndërruara në titull ekzekutiv.
c) Verifikon nëse subjektet përdorin frekuenca pa autorizimin/licencimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Autoriteti i Mediave Audiovizive kryen pagesën për operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike dhe operatorët historikë kombëtarë pas plotësimit të kërkesave sipas këtij vendimi.
Ngarkohet Autoriteti i Mediave Audiovizive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren
Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama