PËRDITËSUAR/ Publikohen imazhet e para nga brenda katedrales “Notre-Dame” në Paris, që u përfshi nga flakët pasditen e djeshme. (Fotot në fund të artikullit)
***
Zjarri nën kontroll
Autoritetet e Parisit thanë se zjarri i madh që përfshiu të hënën katedralen e njohur të Notrë Damës në qendër të Parisit, është vënë nën kontroll.
Zjarri i shkaktoi dëme të mëdha ndërtesës së shekullit të 12-të, duke shkatërruar çatinë kryesore dhe kullën me majë të saj. Megjithatë dy kullat kryesore mbetën të paprekura, thanë zyrtarët
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili shkoi në vendin e ngjarjes, tha se më e keqja u shmang.
Katedralja vazhdoi të digjej me rënien e mbrëmjes; flakët ngriheshin në qiell edhe pas rrëzimit të kullës me majë. Zjarrfikësit luftuan për gati shtatë orë me zjarrin.
Në orët e vona të pasdites, nënkryetari i Bashkisë së Parisit Emmanuel Gregoire tha se punëtorët po përpiqeshin “të shpëtonin të gjitha veprat e artit që mund të shpëtonin”.
Policia franceze thotë se nuk ka njoftime për viktima. Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Agjencia franceze e lajmeve tha se sipas zjarrfikësve, flaka mund të ketë lidhje me punimet e rinovimit që po i bëhen ndërtesës.
Në disa pjesë të katedrales ishin vendosur skela dhe zyrtarët thanë se statujat prej bronzi ishin hequr javën e kaluar për arësye të rinovimit.
Presidenti francez Emmanuel Macron shkruante: “Si të gjithë bashkatdhetarët, jam i trishtuar këtë mbrëmje kur shoh të digjet kjo pjesë që është e ne të gjithëve”.
Për shkak të zjarrit, zoti Macron shtyu një fjalim televiziv që duhet të mbante të hënën për politikën kombëtare.
Zjarrfikësit në Paris evakuan ndërtesat pranë katedrales Notre Dame dhe pastruan zonën rreth saj nga hiri që binte.
Dëshmitarët thanë se zjarrfikësit shkuan me urgjencë në zonën e katedrales menjëherë pas shpërthimit të zjarrit, pak para orës 7 të mbrëmjes. Qindra njerëz u mblodhën në urat e Parisit mbi lumin Senë për të parë skenën.
Presidenti i SHBA, Donald Trump shkruante në Twitter: “Është vërtet e tmerrshme të shohësh zjarrin masiv në katedralen Notre Dame në Paris, ndoshta duhen përdorur çisterna me ujë nga ajri. Duhet vepruar shpejt!”
Zonja e parë e SHBA, Melania Trump shkruante: “Më dhemb zemra për popullin e Parisit kur shoh zjarrin në katedralen Notre Dame. Lutem për për sigurinë e secilit “.
Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë. Ajo daton në shekullin e 12 dhe është e famshme si vendi ku vendosen ngjarjet e romanit klasik të Victor Hygosë, “Kurrizoja i Notrë Damës”.
Ndërtesa është e njohur për figurat mitologjike prej guri, dritaret prej qelqi të ngjyrosur dhe trarët karakteristikë që mbajnë muret.