Kolegji i Posaçëm i Apelimit pritet të japë nesër vendimin ndaj subjektit të rivlerësimit Elsion Sadiku, prokuror në Korçë.
Sadiku ankimoi vendimin nr 50 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili më 27 korrik e shkarkoi nga detyra.
KPA kryesohej nga Ardian Hajdari, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci, Sokol Çomo.
Seanca zgjati për rreth 6 orë, ndërsa Sadiku kërkoi rikthimin në detyrë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendi shkarkimin e prokurorit Elsion Sadiku, pasi hetimi administrativ ndaj tij gjeti pasaktësi në deklarimin e pasurisë dhe mangësi në hetimin e dy çështjeve.
Sadiku, prokuror në Prokurorinë e Korçës ishte përfshirë në listën prioritare për shkak të kandidimit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Vendimi i zbardhur i KPK-së tregon se ndërsa analiza e pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit dhe ajo nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk gjetën probleme, hetimi i Komisionit e gjeti Sadikun të papërshtatshëm në dy kritere.
Në vendimin e zbardhur rezulton se treshja e KPK e kryesuar Brunilda Bekteshi, me relator Olsi Komici dhe anëtar Lulzim Hamitaj, gjeti që Sadiku nuk mund të justifikonte kursimet e bashkëshortes para korrikut 2009 dhe për rrjedhojë një sërë transaksionesh që ishin bazuar mbi këto kursime, përfshi blerjen e disa paisjeve për një klinikë dentare private.
Ai po ashtu kishte deklaruar dy herë të ardhurat nga Shkolla e Magjistraturës, kishte të tjera pasaktësi në deklarimin e të ardhurave të bashkëshortes, ndërsa një analizë financiare e depozituar prej vetë prokurorit para seancës dëgjimore dilte në përfundimin se atij i kishin munguar 1.7 milion lekë për shpenzimet në vitin 2013.
“Ka pasaktësi në deklarimin e burimeve financiare, deklarim të pamjaftueshëm të të ardhurave, si dhe ka burime financiare të paligjshme e, për rrjedhojë, ka burime financiare të ligjshme të pamjaftueshme për kryerjen e investimeve përkatëse”, thuhet në vendimin e zbardhur.
KPK gjeti po ashtu mangësi në hetimet e kryera nga prokurori. Në një hetim pas një denoncimi ndaj një dekani të Universitit të Korçës, KPK thotë se Sadiku nuk kishte kryer hetim të thelluar sa i përket një denoncimi që pretendonte se dy diploma të lëshuara në Bullgari ishin false. Po ashtu sipas KPK-së, pushimi pa hetuar i një kallëzimi për ekspertizë të falsifikuar në një gjyq civil, tregonte mangësi profesionale.
Sa i përket pasurisë Sadiku u mbrojt duke pranuar se nuk mund të sillte dokumente provuese për të ardhurat e bashkëshortes para se ata të lidheshin në martesë, megjithëse paraqiti deklarata noteriale të punëdhënësit të saj. Ndërkohë sa i përket dyshimeve mbi profesionalizmin, ai i mbrojti vendimet që kishte marrë duke i thënë Komisionit se në të dy rastet, hetimet përtej asaj që ai kishte bërë nuk kishin qenë të nevojshme.














