Sektori kundër krimit ekonomik në Policinë e Shtetit ka nisur hetimet ndaj gjyqtarit që firmosi pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm Haki Çako.
Aliaj akuzohet për veprën penale “Fshehjes së të ardhurave”, “Mosdeklarim të pasurisë”, “Evazion fiskal, “Pastrim parash” dhe “Korrupsion”.
Gjyqtari Aliaj ka qenë kohët e fundit në qendër të akuzave nga ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht kryeministri Rama gjatë ditëve të fundit për shkak të firmës që ka dhënë për pezullimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Burime për Report TV bënë me dije se verifikimi ka nisur pas denoncimit të qytetarëve dhe deklaratës së bërë publike nga vetë gjyqtari dhe se vila tre katëshe e gjyqtarit Aliaj, ka qenë më parë pronë e vëllait të tij, më pas të motrës dhe se fundmi e bashkëshortes së gjyqtarit. Këto kalime pronësish, mes familjarëve të gjyqtarit kanë sjellë dyshime tek oficerët e Policisë së Shtetit, e cila ka nisur dhe hetimet me iniciativën e saj.
Në bazë të hetimit të nisur nga Policia, në fakt është banesa e gjyqtarit Aliaj dhe mënyra se si ka përfunduar në pronësinë e tij. Hetimet janë përqendruar në kontratën e shitjes së vilës, jo vetëm për shkak të çmimit prej 10 milionë lekësh të vjetra, por edhe për faktin se motra e gjyqtarit, Etleva Galanxhi ka deklaruar jo atësinë e vërtetë, por e ka ndryshuar atë, nga Çerçiz në Çezar.
Etleva Galanxhi është bashkëshortja e Gilbert Galanxhit, deri para pak kohësh shef i Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Hetimi i nisur kryesisht, vjen në një kohë kur gjyqtari Arjan Aliaj është akuzuar nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri se ka liruar vrasës, përdhunues dhe kriminelë.
Gjyqtari Arjan Aliaj u vu në qendër të akuzave, pas vendimit që Aliaj dha për pezullimin nga detyra të Drejtorit të Policisë, Haki Çako dhe masës së arrestit në shtëpi, për drejtuesin dhe punonjësin e Njësisë Operacionale Artion Dukën dhe Entio Xhelilajn. Masat e sigurisë ndaj titullarit të Policisë dhe dy vartësve të tij u morën për nevoja të hetimit të Prokurorisë, lidhur me pajisjen e Interforcës, që dyshohet se është përdorur nga policia për përgjime të paligjshme.