Sokol Hazizaj, një prej juristëve më me eksperiencë në vend, dhe ish- deputet i Partisw Socialiste, shpjegon për “Koha Jonë” me argumente ligjorë dhe kushtetuese atë që po ndodh në vend. Hazizaj shprehet në mënyrë të qartë se “parlamenti aktual nuk përfaqëson më asgjë”. Sipas tij, shteti ka rënë dhe jemi në kushtet e një situatë të paprecedentë që po prodhon në Parlament mazhoranca absolute. “Ky parlament me lëvizjen ekstreme ligjore dhe kushtetuese që bëri opozita, krijoi mundësinë të shfaqte plagën e hapur të ekzistencës së një parlamenti që e ka humbur sensin e përfaqësimit. Që do të thotë se Kuvendi i Shqipërisë sot nuk përfaqëson asgjë”,- shprehet Hazizaj.
A po e bllokon mungesa e opozitës në Kuvend, krijimin e SPAK? Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë funksionale, pa Inspektorin e Përgjithshëm madje edhe pa Kontrollin e Lartë të Shtetit. Kujt i interesojnë këto vakume në funksionin e shtetit?
Problemi i mungesës reale i opozitës në Kuvendin e Shqipërisë është sa jo kushtetues dhe jo normal në kuptim të funskionimit të institucional të shtetit. Mungesa e një debati të plotë në mënyrën se si funksionon parlamenti, sjellja jo normale e parlametarizmit ndaj objektit themelor të veprimtarisë tij ligjore, si dhe pamundësia e shprehjes së vullnetit politik të një krahu të tij, çojnë në mënyrë të domosdoshme në mosfunksionimin e rregullt të institucioneve kushtetuese.
Në këtë kuptim, nënvizoj se ndonëse Prokuroria e Posaçme, pasoj e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 nuk preket nga jo funksionimi i Parlamentit, klima politike e bën të pamundur, ose afekton në mënyrën se si do të ngrihet organi. Përfytyroni konstituimin e një organi të posaçëm, ku lënda e tij do të jetë produkti politik, kur kjo e fundit e paragjykon atë deri në shpërfytyrim. Pa hyrë në detaje, bëj me dije se mënyra e funksionimit të organit të hetimit, prokurorisë ka ndryshuar nga më parë, duke i dhënë fuqi të plotë prokurorit të çështjes në hetim.
Përfytyroni çfarë mund të krijojë sulmi politik ndaj një njeriu, ndonëse në cilësin e prokurorit, pesha e të cilit specifikish dhe institucionalisht është shumë herë më e vogël se sa maja e sistemit politik, Kuvendit. Ndaj vështirësia e funksionimit duket ndonjëherë si e pamundur në terrenin apo mjedisin e ndotur politik në të cilin ndodhemi. Situata kushtetuese, përpos të cilës dhe të rrjedhës institucionale rëndohet kur ndodhemi përpara mungesës së funksionimit të produkteve të tjera kushtetuese, si Gjykata Kushtetuese, Gjykata së Lartë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryekontrollorit etj.
E thënë ndryshe, shteti ka rënë, ndonëse nuk e pranojmë. Është qesharake të besosh që rendi kushtetues është brenda kufijve të pranimit të një realiteti normal, për më tepër të besosh që çështjet e të drejtës së shtetasve të këtij “vendi të çmendur” të gjejnë zgjidhje ligjore. Ndonëse jemi përpara një vije politike pa busull, në kuptim të parashikimeve të Ligjit nr.9322, datë 23.11.2004, “Për miratimin e strategjisë së sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Presidenti Republikës, si funskionari më i lartë përgjegjës për zbatimin e misionit të tij ndaj parimeve dhe sigurisë vendit dhe në fushën e demokracisë dhe zbatimit ligjit, së paku duhet të kishte mbledhur Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Mosfunksionimi i organeve dhe institucioneve të sipërcituara është pjesë e strategjisë dhe interesave jo ligjore të politikbërësve.
A do e pengojnë punën e KLGJ dhe KLP mungesa e ndryshimit të neneve në ligjin për organet e drejtësisë, që rrëzoi Gjykata Kushtetuese? Nga ana tjetër, kemi një Kryeprokurore të Përkohshme që kërkon mandat 7-vjeçar por kur do zgjidhet Kryeprokurori i Përgjithshëm?
Përpara se sa të përgjigjem mbi pengesat e veprimtarisë ligjore të KLP-s dhe KLGJ-s që kanë ardhur për shkak të dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, citoj se ky moment sot thuajse është kapërcyer, ndonëse në kundërshtim me vendimet e Gjykatës, të cilat kanë pranuar se nenet 5, 61, 103, 159, 169, pika 5 të Ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” janë të papajtueshme me Kushtetutën.
Bëj me dije se këto dispozita kanë patur të bëjnë me natyrën administrative të veprimtarisë e brenshme dhe organizative të KLGJ-s dhe KLP, si p.sh me mënyrën e organizimit, funksionimin e brendshëm të tyre, mbledhjet plenare dhe organizimi tyre, heqjen e të drejtës së Ministrit të Drejtësisë për të marrë pjesë në mbledhjet plenare, gjithmon në favor të pavarësisë së organeve të drejtësisë. Në këtë kuptim mendoj se sot në pjesën më absolute të mënyrës së funksionimit dhe organizimit të KLGJ-s dhe KLP-s nuk ka asnjë pengesë ose arsye themelore kushtetuese për të mos funksionuar në mënyrë të ligjshme. Nëse do të ishte e kundërta, duhet pranuar se ky moment dhe zgjidhja e tyre ligjore duhet dhe do të përbënte një nga arsyet midis shumë të tjerave, që politika të gjente shkakun e dialogut dhe një marrëveshje solide midis palëve, fakt i cili vështirë të ndodh pa një proces elektoral tjetër. Vështirësia e dialogut politik të sipërcituar, do të sjell në mënyrë të padiskutueshme dhe dështimin e procesit të saponisur të përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.
Mjafton të lexosh nenin 148/a të Kushtetutës konstatohet lehtë se tre të pestat e një Parlamenti të dalë nga zgjedhjet e fundit është e pamundur të realizohet. Për më tepër, renditja e përcaktuar e kandidatëve nga Këshilli Lartë i Prokurorisë do ishte e paragjykuar për shkak të debatit mbi dispozitat e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese të ligjit të sipërcituar nr/115/2016. Të gjitha këto arsye do bëjnë të mundur që të humbasë karakteri i Përkohshëm i Prokurorit të Përgjithshëm aktual sepse do të jetë znj. Marku, e cila do të vijojë punën deri në konsolidimin e një zgjedhje normale të Prokurorit të Përgjithshëm. Ose për ndryshe do të duhet të pranohet mundësia e imponimit të ndërkombëtarëve si dhe deri tani, të cilët nga ana e tyre kanë konstatuar se ky vend me këta njerëz nuk funksionon, ndaj duhen ndryshuar jo vendi por njerëzit, ca në emigacion dhe ca në burg.
Si e gjykoni, a është ligjitim ky kuvend vetëm me pjesën e maxhorancës, pasi “opozita e re” po krijohet, është e përbërë me kandidatë që vijnë të listuar në fund të listës zgjedhjeve të 2017. A ka të drejtë kushtetuese KQZ-ja, t’u japë mandate kandidatëve në listën partiake, kur vetë partia e ka tërhequr vullnetin e saj politik?
Duhet pranuar se ndryshimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në vitin 2008, e ndryshuan thelbësisht sistemin zgjedhor. Pa rendur në shkaqet pse, si dhe çfarë, ngelet për tu pranuar fakti se çdo “qorollisje” mbi nenet 162 deri në nenin 164 të Kodit Zgjedhor, do hapte polemik qëndrimesh të ndryshme. Ky parlament me lëvizjen ekstreme ligjore dhe kushtetuese që bëri opozita, krijoi mundësinë të shfaqte plagën e hapur të ekzistencës së një parlamenti që e ka humbur sensin e përfaqësimit. Që do të thotë se Kuvendi i Shqipërisë sot nuk përfaqëson asgjë. Kjo nuk është momentale por vjen si rrjedhojë e ndryshimeve të sajuara të vitit 2008.
Mjafton të pyesësh çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë se sa i përfaqësuar është ai në Kuvendin e Shqipërisë, përgjigja është e menjëhershme, jo ose i papërfaqësuar. Kur sistemi vuan nga mungesa e konceptit dhe realitetit të përfaqësimit, rrjedhoja lidhet me mungesën e legjitimitetit dhe kur mungon kjo e fundit, zgjidhja është vetëm një, zgjedhje të reja me shkakun e ringritjes së sistemit mbi baza të reja përfaqësimi.
Kam përshtypjen se ndërkombëtarët e kanë kuptuar këtë rrugë, që është e vetmja zgjidhje por nga ana tjetër duke ngulmuar në legjitimitetin e zgjidhjes nëpërmjet zëvendësimit nga listat e subjekteve politike, kërkojnë të mbyllin projektin e zëvendësimit të klasës politike, ndonëse me zgjidhje gjysmë të pranueshme. Ata kanë konstatuar se produkti politik jo përfaqësues është prezent, jo pak i rrezikshëm, i fortë financiarisht, gati të sakrifikoj stabilitetin në emër të ashtuquajturës “demokraci”, kur kjo e fundit ka kohë që nuk ekziston, ndaj përpiqen të mëshojnë në karakterin ligjor të zëvendësimeve të fundit, ndonëse nuk kanë lidhje fare, po asgjë fare me vullnetin politik të deritanishëm.
Madje po të shohësh me kujdes lëvizjet e fundit të Kryministrit të vendit, parë në optikën e testimit të krijimit të mazhorancës absolute të Kuvendit të Shqipërisë, duke tentuar të fusë Kuvendin në nisma ligjore të ndryshimeve mbi Kodin Penal, me qëllimin e mbrotjes së jetës së mjekëve dhe arbitrave të ndeshjeve të futbollit. Siç dihet ndryshimet dhe miratimi i kodeve kërkojnë mazhorancë të ciësuar në Kuvendin e Shqipërisë. Kalimi i këtij testi provues pa konflikte, do sillte si pasojë krijimin, konsolidimin dhe ndryshimin e natyrës artificiale të mazhorancës me zëvendësimet e fundit në një kuorum të gjithëpranuar.
Z.Hazizaj, a duhet që Presidenti të konstatojë mosfunksionimin e Parlamentit kur nuk ka 140 deputetë dhe ta shpërndajë atë? Nga ana tjetër, z.Meta ka bërë thirrje për dialog por edhe për vendimin e lënies së postit. Si duhet të veprojë në këtë situatë Kreu i Shtetit?
Duke ngelur në të njëjtën frymë mbi analizën e deritanishme, pra të konstatimit të ekzistencës së një situate larg kushtetutës dhe ligjeve, është e pamundur të mos pranosh se roli i Presidentit duhej të ishte më i plotë. Jo rrallë herë duhet thënë se për nga mënyra se si bëhen dhe trajtohen institucionet në vendin tonë, pasojat janë të shpejta. Në këtë kuptim institucioni i Presidentit të Republikës e kupton shumë mirë se sot nuk flitet më për situatë ligjore normale por për një situatë emergjente që ka si shkak pamundësin e zgjidhjeve të hershme politike. Presidenti më shumë se çdo njëri tjetër, ose më shumë se çdo institucion tjetër shpresoj ta ketë kuptuar se niveli përfaqësimit të institucioneve ka rënë për tokë.
Për nga roli kushtetues që luan, Presidenti ndonëse nuk i ka shkaqet dhe mundësitë ligjore të shpërndajë kuvendin për shkak të numrit, sepse ky rast nuk është i parashikuar në Kushtetutë por nga ana tjetër i ka të gjitha mundësitë ligjore, siç parashikon neni 92/h i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila pranon se “kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre”. Duke ushtruar këtë të drejtë, pas marrjes së informacionit, do të kuptojë se situata nuk është pozitive në raport me të drejtën dhe ligjin dhe zbatueshmëria ka marrë trajtën e rrugës.
Bazuar sa më sipër ka të drejtën e zotit dhe ligjit që në ushtrim të detyrave të parashikuara në dispozitën e sipërcituar të sensibilizoj situatën për zgjedhje të reja, nëpërmjet instrumentave kushtetues, mocioneve të provokuar, mosdeketimeve etj, etj, (pa i thënë të gjitha).
A mundet parlamenti, në mungesë të opozitës, të miratojë një reformë zgjedhore? Ambasadori i OSBE në Tiranë deklaroi se edhe ky parlament me opozitën e re, ka të drejtën legjitime të miratojë reformën zgjedhore.
Sot në kushtet kur prevalon dilema kushtetuese se nuk ka rëndësi numri i përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, pra 140 anëtar të tij, por ka rëndësi realizimi i mazhorancës cilësuese, pa marrë parasysh humbjen e karakterit të përfaqësimit të Kuvendit, natyrshëm një deklaratë e tillë duke pranuar në kohë dhe hapësirë reformën zgjedhore, është e pranueshme në llogjik.
Nëse do i referoheshim detyrimeve dhe të drejtave të parashikuara në Kodin Zgjedhor, duhet pranuar se këto deklarime janë të vonuara, qoftë në kuptimin e reformës ligjore dhe atë strukturale të administratës zgjedhore dhe trainimin e saj. Madje, madje mund të pohoj që ky parashikim është në kufijtë e pamundësisë, sepse duhet një kohë relativisht e gjatë që ndryshimet ligjore jo vetëm të strukturohen por dhe të kuptohen, le pastaj të aplikohen. Jo gjithmonë menjëhershmëria në vendimarrje sjellë rezultat.
Kodi Zgjedhor ndryshe nga aktet e reformës në drektësi, që kishin në thelb organet e drejtësisë, ka në qendër qytetarin dhe të drejtën e tij të pazëvendësueshme. Vota prevalon mbi çdo kërkesë tjetër, qoftë dhe kur ajo ka për pasojë krijimin e një organi. Ndaj kam përshtypjen, e cila rrjedh dhe nga përmbajtja e nenit 29 të Kodit Zgjedhor (përbërja e KZAZ-s), se zgjedhjet vendore mund të kenë fatin të shtyhen, pra nuk bëhen në qershor.
Ndërkombëtarët deklarojnë se duhet marrëveshje politike dhe bashkëpunim në parlament. Pas djegies së mandateve edhe në rast të një marrëveshje politike, a ka më hapësira ligjore për kthimin e opozitës në Kuvend?
Nuk gaboj të pohoj se ndërkombëtarët e kanë kuptuar se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 e kanë sjellë politikën në kuptimin ligjor, struktural dhe në nivel përfaqësimi të barazvlefshme, në mos të ngjashme totalisht me mënyrën se si organizohet një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (SHPK). Kryetari është në cilësinë e administratorit të shoqërisë, i ka të gjitha tagrat e përfaqësimit dhe zgjedhjes. Referuar këtij kuptimi ligjor, kushtetues dhe politik, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ka gjetur arsyen e mjaftueshme duke mos bërë zëvendësimin e kryetarëve (administratorëve) të partive kryesore por duke zëvendësuar rreshtat e tjerë. Ndaj pranohet apo provokohet ende besimi i mundësisë së dialogut dhe marrëveshjeve prej tyre. Është qesharake por e vërtetë që duhet pranuar se mënyra ekzistuese e përfaqësimit nëpër organe qeverisëse te ne, përbën një risi eksperimentale “shembullore”, se si një shoqëri nuk duhet organizuar.
Shumë personazhe politike flasin se mund të kemi një skenar destabilizimi. A mendoni se po ndodh diçka e tillë?
Situata është kritike por nga ana tjetër nuk mendoj se kjo mënyrë “përfaqësimi” dhe e shëmtuar qeverisëse e deritanishme, të ketë guximin të ndaloj respektimin e detyrimeve dhe të drejtave të konsoliduara tashmë nga partnerët dhe organizatat madhore, si NATO etj. Nuk e mendoj se ndonjë prej politikanëve të këtij vendi të mos konsideroj se përpara kujt faktorëve ndodhet në rast të një skenari destabilizues. Politika shqiptare e deri sotme ka treguar se mund të bëj vetëm një gjë, të mos zbatoj ligjin e brendshëm në mënyrë ekstreme, duke na sjell në këtë derexhe, e cila edhe si është me këto nota të ulëta qytetarie që ka, nuk mendoj se ka aftësinë të zgjojë ndonjë plan ogurzi.