Nga Boldnews.al
Edhe dy viktima të tjera… Për regjistrat policorë mbetet një statistikë më shumë, për Gjendjen Civile, dy njerëz më pak, për politikën mungojnë edhe dy votues, por për qytetarët terrori po vijon. Vrasja e vëllezërve Ibrahim dhe Astrit Bilali sot në mëngjes, është ngjarja që lajmëron se të tjerë viktima do të shënohen.
Në qytetin e Shkodrës brenda nëntë muajve janë ekzekutuar tetë persona dhe dy të tjerë figurojnë të zhdukur, (edhe ata dyshohet të jenë vrarë dhe groposur diku). Policia dyshon se kemi të bëjmë me përplasjen e të paktën tre grupeve rivale, që në mungesë të forcës së shtetit, po bëjnë ligjin sipas formës së tyre, plumba dhe terror.
Seriali i vrasjeve nisi me ekzekutimin e pronarit të një servisi për makinat më 18 qershor 2018. Mehdi Kavaja u qëllua me plumb në kokë, ndërsa autori ende nuk është zbuluar. Vetëm një muaj më pas, ish-efektivi i policisë Boran Bërçana u vra brenda në makinë me bashkëjetuesen e tij, Silvana Ndoci, ngjarje e ndodhur më 15 korrik të vitit 2018. Pak kohë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, erdhi vrasja e kunatit të të fortit të Shkodrës, Lulzim Kulla, më 10 gusht. Fatbardh Lici u ekzekutua me breshëri plumbash në një lokal ndërsa ndodhej në shoqërinë e disa miqve të tij.
Më 4 shtator, atentati mafioz mori jetën e 30-vjeçarit Arjan Ferracaku, ndërsa ishte duke kalëruar në një pistë hipizmi në zonën e Livadhes në Shkodër. Është pikërisht vendi ku vëllezërit Bilali (të ekzekutuar sot) e kishin si biznes dhe Ferracaku njihej si mik i tyre.
Morti për familjen Ferracaku do hapej sërish. Këtë herë kushëriri i Arjan Ferracakut do binte viktimë nga një atentat i mirëorganizuar në zonën më të populluar të Shkodrës. Datë 14 nëntor të vitit të kaluar në afërsi të Markatës së Shkodrës vritet Fatos Ferracaku dhe plagoset kunati i tij, Fatmir Mehja.
Po ato ditë zhduken dajë dhe nip, Agron Mollaj dhe Gëzim Hysaj. Familjarët prej gjashtë muajsh nuk kanë marrë asnjë informacion për ta, ndërsa në çdo moment presin të hapin dyert e mortit, pasi shpresat për tu gjetur të gjallë janë venitur me kohë. Klithjet për drejtësi dhe rend nuk po dëgjohen!
Por policia u duk se tregoi “forcën” kur në një operacion në dukje të detajuar arrestoi disa pjestarë të së ashtëquajturës “Banda e Bajrajve”, mes të cilëve edhe Safet Bajrin, i kërkuar në Belgjikë për disa ngjarje të rënda kriminale.
Përveç konflikteve personale mes grupeve të fuqishme, të implikuar në trafikun e narkotikëve dhe të gjobëvënies, në Shkodër “të fortët” shfrytëzohen edhe nga politika, madje të ndarë, majtas dhe djathtas. Kanë një veti të “veçantë”, pasi këto grupe kriminale, gjithnjë anojnë nga pushteti dhe si shpërblim për votat që japin me shumicë kërkojnë paprekshmërinë nga strukturat e policisë dhe drejtësisë.
Tashmë gjithçka është ekzagjeruar, dhe Shkodra sot është zgjuar me një breshëri të gjatë automatiku pasojë e së cilës mbetën dy viktima, edhe ata të dyshuar si pjestarë të një prej grupeve të të “fortëve” të Shkodrës. E sigurtë është se këtu nuk mbyllet seriali, ndoshta sapo ka ndezur fitilin e një “fuçie baruti”, që në fund do sjellë si pasojë: “Të tjerë emra do fshihen nga regjistri i Gjendjes Civile”…! Polici e dorëzuar, krimi ka pushtetin në Shkodër.