Riparimi i koshave dhe i stolave në bashkinë e Tiranës për 3 muajt në vijim do të kushtojë 19,8 milionë lekë.
Përmes një tenderi pa garë, ku ka marrë pjesë vetëm një kompani,e cila është shpallur fituese në datën 13 mars, bashkia e Tiranës ka lidhur kontratën që një shumë e konsiderueshme e taksapaguesve të saj të shkojnë për mirëmbajtjen e stolave dhe koshave.
Tenderi është hapur në datën 1 shkurt dhe ka qëndruar i tillë për 25 ditë. Ajo çka bie në sy është mungesa e konkurrentëve të tjerë përveç kompanisë Gerhard-a sh.p.k, e cila ka rezultuar se i plotëson kriteret për vijuar zbatimin e kontratës.
Edhe pse ligji i shqiptar lejon që prokurimi të zhvillohet me një konkurrent të vetëm, këto procedura më shumë se mungesë konkurrence në treg shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokument në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste.
Tashmë nuk është risi që bashkia e Tiranës të lidhë kontrata të këtij lloji, madje edhe kur në prokurime shfaqin interes disa kompani, bashkia e drejtuar nga Erjon Veliaj skualifikon nga gara të gjithë operatorët për mangësi në kritere, duke kryer praktikisht të njëjtin procedurë si në tenderët pa garë.
Në dokumentet e tenderit mungon një preventiv me numrin e koshave apo stolave të dëmtuar, për të cilën duhet të përgjigjet kompania, çka ngjall dyshime për fondin e vënë në dispozicion, si një shumë e fryrë dhe e pajustifikueshme për shërbimin.
Kontratat
Kompania që do të punojë për riparimin e koshave dhe stolave të dëmtuar ka lidhur edhe dy kontrata të tjera gjatë vitit 2018, dhe të tria së bashku ato kapin vlerën e 78 milionë lekëve. Në mars të vitit të kaluar Gerhard-A ka fituar një tender me vlerë 50 milionë lekë për marrjen e mjeteve të transportit në shërbim të Drejtorisë së Përgjithshme nr.1 të qytetit dhe në këtë tender rezulton të jetë përdorur skema tipike e bashkisë. Në garë kanë marrë pjesë 4 kompani, ku 3 janë skualifikuar paraprakisht dhe fituese është shpallur firma në fjalë. Një muaj më vonë një tjetër tender shërbimesh për mirëmbajtjen e objekteve ndërtimore me vlerë 8 milionë lekë i është dhënë po kësaj kompanie.
Firma është regjistruar në vitin 2011, por nuk rezulton të ketë fituar kontrata publike deri në vitin 2018. Në faqen Qendrës Kombëtare të Biznesit thuhet se i objekt veprimtarie i kësaj kompanie është “Import – eksport brenda dhe jashtë vendit. Transport publik. Transport urban. Ndërtim. Shërbim i agjencisë së transportit. Servis dhe parkim autobusësh. Shit-blerje automjetesh. Ndërtime civile dhe ekonomike, ndërtime civile, industrial-turistike, bujqësore deri ne 5 kate, rikonstruksione, ndërtim banese me skela mbi 8 kate. Ndërtime rrugore, ndërtime rruge kategoria IV dhe V, ndërtim rruge kategoria II dhe III. Punime të mirëmbajtjes dhe sinjalizimit në rrugë, ndërtim mbi shtresa rrugore. Ndërtime autostrada-pista-aeroporte-helioporte.
Ndërtim hekurudhor, punime hekurudhore, punime speciale të shinave dhe traversave, punime në sistemin elektrik dhe të sinjalizimit. Ndërtime hidraulike e hidroteknike, ndërtime ujësjellës, kanalizime, kanale e impiante vaditje, ndërtim impianti të sistemit të ujit, ndërtim vajsjellës, gazsjellës, naftësjellës. Punime shërbimi. Punime për rikualifikimin dhe mirëmbajtje në sipërfaqe të gjelbra parqe-pyll, pastrim i sipërfaqeve urbane. Furnizim-vendosje, mirëmbajtje dhe riparime për elemente dekorative stola, kosha rrugore, lulishte, parqe, pyje”.
Prokurimet
Në vitin 2018, prokurimet publike prodhuan rishtas skandale të mëdha, me shuma marramendëse, me favore për kompani klienteliste, por edhe me manipulime dokumentesh. Pavarësisht nga kjo, Autoriteti i Prokurimit Publik, një institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, pretendon se në vitin që lamë pas “ka përmirësuar dukshëm treguesit e sistemit të prokurimit krahasuar me një vit më parë”. APP sjell në shifra atë që e cilëson “përmirësim të performancës”.
Njëri prej këtyre treguesve është numri i procedurave të prokurimit publik për 2018, ku autoriteti thotë se ka një rritje me 326 procedura fituese më shumë në krahasim me vitin 2017. Pra, qeveria mat suksesin në punën e saj me rritjen e numrit të tenderëve që ka dhënë në vitin ku u prodhuan disa prej skandaleve më të mëdha në këtë sektor, ku më i bujshmi mbetet ai i Unazës së Madhe me kompaninë “DH Albania”. Por, sa para të taksapaguesve u kursyen përmes tenderëve në këtë vit?
Sipas shifrave të publikuara nga APP, në 2018 fondi i vënë në dispozicion nga Qeveria për prokurimet publike ka qenë rreth 98,1 miliardë lek për 5116 tenderë të fituar. Nga gara mes operatorëve ekonomikë privatë, kjo shifër është ulur në rreth 91,7 miliardë lek. Pjesa që mbetet, pra rreth 6,3 miliardë lekë, ose 6.45 për qind e fondit total të prokuruar për procedurat e fituara, janë paratë që iu kursyen xhepave të shqiptarëve.
Rekordi
Bashkia e Tiranës, si bashkia më e madhe në vend, ka zhvilluar numrin më të lartë të tenderëve pas implementimit të reformës territoriale, ku sipas shifrave rezulton se nga 19.549 tenderë në 61 bashki, 2355 të tillë i përkasin Bashkisë së Tiranës, që përbëjnë 12 për qind të tyre. Por, ajo që bie në sy është fakti se sipas të dhënave të publikuara nga openprocurement.al rezulton se 392 tenderë të Bashkisë së Tiranë, pra rreth 17% e tyre, janë të dyshimtë për shkaqe të ndryshme, sipas përkufizimit të termit “të dyshimtë” në udhërrëfyesin e Bashkimit Europian mbi Mashtrimet në Prokurimet Publike. Por, pavarësisht se ka realizuar vetëm 12 për qind të tenderëve në total, vlera e kontraktuar nga subjektet e ndryshme, krahasuar me totalin për 61 bashkitë e vendit, rezulton se në përqindje është shumë më e lartë se ajo për numrin e tenderëve, konkretisht rreth 29% të vlerës totale të parave që janë shpenzuar nga tenderët në 61 bashkitë e vendit.
Pse rriten kostot e tenderëve
Rritja e kostos totale të tenderëve mund të justifikohet me rritjen e kërkesës për cilësi të punimeve dhe shërbimeve që kërkon qeveria, bashkitë apo institucione të tjera, por rrallëherë kjo cilësi reflektohet në terren dhe dëshmitarët më të mirë për këtë janë qytetarët. 2018-ta ka qenë viti i skandaleve të mëdha me tenderët, koncesionet dhe partneritetet publike-private, ku më i bujshmi ishte ai i Unazës së Madhe me DH Albanian. Kjo kompani fitoi lotin e parë me ofertën prej 18 milionë eurosh, të bërë në kufijtë e fondit limit, që ishte pak më shumë se 18 mln euro. Zbulimi i falsifikimit të dokumentacionit nga ana e kësaj kompanie në këtë tender, çoi në anulimin dhe përsëritjen e tenderit. Fondi limit ishte i njëjti.
Kompanitë që morën pjesë në rihapjen e garës paraqitën oferta më të ulëta, duke kursyer pak më shumë se 3 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për realizimin e të njëjtit projekt. Por, edhe me rihapjen e tenderit akuzat nuk munguan. Partia Demokratike fliste për një fitues të paracaktuar, që ishte kompania “Gjoka Konstruksion”, e njëjta kompani që po ndërton “Rrugën e Arbrit”. Autoriteti Rrugor Shqiptar fillimisht mohoi akuzat, por më vonë e anuloi tenderin dhe skualifikoi të gjitha kompanitë që merrnin pjesë në garë me argumentin se nuk plotësonin kushtet, por pa specifikuar se cilat kushte.
Por, jo vetëm ky rast. Një pjesë e mirë e tenderëve me vlera të mëdha financiare kanë lënë pas hije dyshimi, për kostot e larta, gara fiktive dhe paracaktim të fituesit, pa përmendur këtu skemën e partneritetit publik-privat, aq fort të kritikuar si nga ekspertët vendas, ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Por, edhe ndërhyrja e qeverisë në ligjin e koncesioneve për ndalimin e ofertave të pakërkuara pas muajit korrik, është e pamjaftueshme.
Kjo, të paktën për aktivistët dhe shoqatat e mjedisit, të cilët kërkuan që kufizimi të zbatohet para së gjithash në sektorin e hidrocentraleve të vegjël, si një masë e domosdoshme për t’i dhënë fund shfrytëzimit pa kritere të lumenjve dhe përrenjve të vegjël në të gjithë Shqipërinë, një praktikë e shumëdebatuar kjo si në drejtim të mbrojtjes së natyrës ashtu edhe në drejtim të leverdishmërisë ekonomike./ Gazeta Shekulli