Kosi përmban dy nga përbërësit ushqimorë më të rëndësishëm për dietën tuaj, proteinat që i japin trupit fuqi dhe energji, dhe kalciumin që ndërton kockat tuaja. Nëse doni të vini trupin në formë dhe të humbisni kilet e tepërta apo nëse doni të forconi imunitetin tuaj kundër gripit, virozave apo të ftohtit, kosi është ilaçi i duhur! Ka qindra arsye pse kosi duhet të jetë konsistent në dietën tuaj, dhe një nga ushqimet e preferuara çdo ditë, por ne kemi zgjedhur 10 arsyet kryesore në këtë artikull.
1. Eliminon ato kilet e tepërta në bel
Hani 500 g kos në ditë dhe bëhuni gati të blini pantallona apo xhinse të reja, një përmasë më të vogël kuptohet. Kosi është shumë i mirë për ata që mbajnë dietë. Sipas një studimi amerikan ata të cilët hanin 500 g në ditë gjatë dietës së tyre humbnin 22% më shumë peshë dhe 81% më shumë dhjam në bark se ata të cilët nuk e konsumonin kosin gjatë dietës së tyre. Dhjami rreth belit prodhon hormonin kortizol i cili i “thotë” trupit të shtojë më shumë dhjam. Kur hani kos, kalciumi drejton qelizat dhjamore të prodhojnë më pak kortizol, që ju nidhmon të humbisni peshë, ndërsa amino acidet në kos ju ndihmojnë të tresni qelizat dhjamore.
2. Kosi përmban baktere të mira
Bakteret e mira të kosit janë baktere të cilat jetojnë në aparatin tuaj tretës dhe ndihmojnë zhdukjen e mikroorganizmave të këqija që mund të shkaktojnë infeksione. Për këtë arsye kosi ndihmon dhe në tretjen e ushqimit. Kosi është perfekt për ata që vuajnë nga fryrja.
3. Kosi është plot me vitamina
Në një paketim të thjeshtë 500 g të Lufra do të gjeni vitaminat dhe mineralet e shëndetshme për njeriun si potasium, fosfor, jod, zink, riboflavin, vitaminë B5, B12, etj. Vitamina B12 sidomos është shumë e rëndësishme për dietën tuaj, dhe është një vitaminë që gjehet zakonisht në mishin e pulës ose të peshkut. Vegjetarianët mund të marrin këtë suplement që u mungon tek kosi. Vitamina B12 është e rëndësishme pasi mban nivelin e duhur të qelizave të kuqe të gjakut dhe ndihmon në funksionimin normal të sistemit nervor.
4. Ushqim perfekt pas palestrës
Kur stërviteni, humbisni energjinë e ruajtur në muskuj, prandaj dhe pas stërvitjes ju duhet të zëvëndësoni energjinë e humbur duke marrë proteinat e duhura të rëndësishme për të rifuqizuar muskujt. Kosi ndihmon edhe në thithjen e ujit nga aparati tretës duke ju ri-hidratuar më shumë pas djersitjes në palestër. Konsumoni një gotë kos dhe pini ujë brenda 60 minutash pas palestrës për të parë më shumë rezultate!
5. Kalcium
Kosi është i pasur në kalcium dhe kalciumi është përbërësi kryesor ushqimor për të pasur kocka të shëndetshme. Për këtë arsye kosi është i rëndësishëm dhe për fëmijët kockat e të cilëve janë duke u formuar, por edhe për të rriturit dhe moshuarit të cilët duhet të kujdesen më shumë që të kenë dhe t’i mirëmbajnë kockat e shëndetshme. Shumica e njerëzve nuk e dinë që kosi i thjeshtë është më i pasur në kalcium se kosi me fruta që mund të gjeni në supermarkete. Konsumoni kosin natyral dhe shtoni fruta të freskëta vetë.
6. Kundër tensionit të ulët
70% e njerëzve konsumojnë dy herë më shumë kripë seç është e rekomandueshme. Kripa sado që i shton shije, ia hodhi kush ia hodhi gjellës, kur e tejkalon masën ndikon negativisht në sëmundjet e veshkave dhe zemrës. Potasiumi i kosit pastron trupin nga sodiumi apo kripa e tepërt. Sipas një studimi amerikan, të rriturit të cilët hanin një apo dy porcione kos me pak yndyrë në ditë, ulnin rrezikshmërinë e sëmundjeve të tensionit në 54%.
7. Një gotë kos në darkë, mban doktorrin larg
Tani që fillon sezoni i gripeve dhe të ftohtit, kosi është ilaç preventiv për të parandaluar këto sëmundje “të bezdisshme” që na përndjekin çdo vjeshtë e dimër. Sipas një studimi të Universitetit të Vienës, gratë që hanin një gotë kos çdo ditë i kishin qelizat T më aktive dhe më të forta, të cilat nëse mbani mend nga biologjia, luftojnë infeksionet, dhe janë shenjë e një imuniteti të fortë. Bakteret e shëndetshme në kos sinjalizojnë qelizat trupore të përgjegjshme për imunitetin, të luftojnë infeksionet. Kosi është perfekt edhe për ata të cilët vuajnë nga imuniteti i dobët.
8. Kosi ju shton buzëqeshjet
Ja një fakt tjetër që shumica prej jush nuk e dinë: kosi është i mirë dhe për një buzëqeshje të bukur. Pavarësisht përbërjes së sheqerit në kos, ai nuk shkakton kavitete në dhëmbë. Acidi laktik në kos ndihmon në mbrojtjen e mishrave të dhëmbëve. Kosi në dietën tuaj ndihmon në luftimin e problemeve të ndryshme me dhëmbët, një arsye tjetër për të buzëqeshur më shumë pas një vakti.
9. Kosi i pasterizuar është i shëndetshëm
Pasterizimi nuk dëmton probiotikët apo bakteret e shëndetshme në kos. Procesi i pasterizimit të qumështit shkatërron vetëm patogjenët. Është testuar se bulmeti që vjen nga qumësht i pa pasterizuar nuk ka më shumë baktere të mira, dhe për më tepër bulmeti i pa pasterizuar mund të shkaktojë sëmundje. Prandaj është e rëndësishme të blini kosin e paketuar, i cili ka kaluar procesin e kujdesshëm të pasterizimit (për të marrë vetëm ato bakteret e mira të kosit që i duhen trupit dhe shmangur patogjenet).
10. Kosi është i pasur në proteina
Proteinat janë përbërësi kryesor në trup që merret me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e trupit dhe të gjitha funksioneve metabolike. Kosi është i pasur në proteina, dhe një mënyrë e shëndetshme për të marrë proteinat që ju duhen.