Refugjatët janë njerëz të arsyeshëm në rrethana të dëshpëruara. Jeta për shumë nga 1 milion azilkërkuesit të cilët kanë ikur nga Siria, Iraku, Afganistani dhe vende të tjera të shkatërruara nga lufta për t’iu drejtua Europës vitin e kaluar është bërë e patolerueshme, shkruan The Economist. Europa është e qetë, e pasur dhe e prekshme. Shumica e njerëzve nuk do t’i braktisnin shtëpitë e tyre dhe të fillonin çdo gjë nga e para mes të huajve. Por kur alternativa është kërcënimi i vdekjes nga fuçi me bomba dhe shpatat e fanatikëve, ata bëjnë zgjedhjen e vetme racionale që mbetet.
Fluksi i refugjatëve do të kishte qenë i menaxhueshëm, nëse vendet e Bashkimit Europian do të punonin së bashku, sikundër ka dëshiruar gjithmonë Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë. Në vend të kësaj, Gjermania dhe Suedia janë lënë ta përballojnë të vetme situatën. Sot, gatishmëria e tyre për diçka të tillë është ezauruar. Përveçse në rast se Europa nuk rikthen së shpejti rendin, presioni politik do ta detyrojë znj. Merkel të vërë limite në mënyrë të njëanshme, duke nisur valën e mbylljes së kufirit.
Edhe më shqetësuese është fakti se kriza e migrantëve po ushqen ksenofobinë dhe populizmin politik. Forcat përçarëse të nacionalizmit të krahut të djathtë kanë fituar terren në disa pjesë të Europës Lindore. Në qoftë se ato shpërndahen në drejtim të Perëndimit në Gjermani, Francë dhe Itali, atëherë BE-ja ka të ngjarë të shpërbëhet.
Situata sot është kaotike. Refugjatët kanë qenë të lirë të lundrojnë përgjatë Mesdheut, të regjistrohen dhe të bëjnë që cilindo vend të duket më mikpritësi.
Shumë nga migrantët ekonomikë që nuk pretendojnë azil kanë gjetur vend në radhë, duke gënjyer se nga po vijnë.
Kjo “betejë e rrëmujshme” duhet të zëvendësohet nga një sistem në të cilin aplikantët për azil të “skanohen” se kur kanë arritur për herë të parë në kufijtë e Europës – ose më mirë akoma, përpara se të kalojnë Mesdheun. Ata që nuk kualifikohen për azil duhet të kthehen pa u vonuar; ata që ka gjasa të kualifikohen duhet të dërgohen në drejtim të vendeve të gatshme për t’i pranuar.
Rend në kufij
Krijimi i një sistemi të mirërregulluar kërkon tre hapa. I pari është të frenojë “faktorët shtytës” që inkurajojnë njerëzit të rrezikojnë kalimin, duke nxitur ndihmë për refugjatët, veçanërisht për viktimat e luftërave civile në Siri dhe Irak, përfshirë numrin e madh që ka ikur në vendet fqinje si Turqia, Jordania dhe Libani. I dyti është që të shqyrtojë kërkesat për azil, ndërsa refugjatët ndodhen ende në qendrat në Lindjen e Mesme ose në “pikat e nxehta” (kryesisht Greqi dhe Itali), ku ata shkojnë, kur arrijnë fillimisht në BE. Elementi i tretë është që të insistojë që azilkërkuesit të qëndrojnë palëvizur deri sa të përpunohen kërkesat e tyre, në vend që të kërcejnë në trenin për Gjermani.
Të gjithë këto hapa janë më shumë vështirësi. Le të marrim fillimisht në konsideratë “faktorët shtytës”. Perspektiva për t’i dhënë fund luftës civile në Siri është më e largët se asnjëherë: bisedimet e paqes në Gjenevë javën e kaluar u pezulluan pa progres. Por, BE-ja mund të bëjë shumë më tepër për të ndihmuar refugjatët dhe vendet e tyre pritëse. Në mënyrë skandaloze, ndihma për sirianët u ndërpre në vitin 2015 edhe pse lufta u rrit përgjakshëm: agjencitë e ndihmave morën pak më shumë se gjysma e asaj që iu nevojit vitin e kaluar, sipas OKB-së. Donatorëve në konferencën për Sirinë në Londër, javën e kaluar iu kërkuan 9 miliardë dollarë për 2016 – pak a shumë aq sa gjermanët i shpenzojnë për çokollata çdo vit. Për çdo vit dhe disa vite me radhë do të nevojitet shumë më tepër se kaq. Paratë e Europës duhet të përdoren jo vetëm për të ushqyer dhe për të strehuar refugjatët e shtëpisë, por edhe për të bindur vendet pritëse që t’i lënë ata të punojnë. Gjatë katër viteve të para të konfliktit sirianëve iu mohua leja e punës në Turqi, Jordani dhe Liban. Kohët e fundit, Turqia ka filluar t’i japë sërish ato. Donatorët duhet të ushtrojnë presion ndaj Jordanisë dhe Libanit që të ndjekin të njëjtin shembull. Cash-i europian mund të ndihmojë në arsimimin e 400,000 fëmijëve të refugjatëve që gjenden në Turqi.
Ndonjëherë përgjigjja është jo
Detyra tjetër është të kërkojmë që azilkërkuesit të regjistrohen dhe të klasifikohen sa më afër shtëpisë të jetë e mundur, ndoshta Turqi, Liban dhe Jordani. Teorikisht ata që kanë udhëtuar me anije për në Europë do të kthehen në një kamp në një prej këtyre tre vendeve – për të provuar se ata sapo kanë humbur kursimet e tyre të çmuara për të paguar trafikantët që i çojnë drejt një udhëtimi të pakuptimtë.
Por kjo do të përballej me kundërshtime ligjore dhe politike, pjesërisht për shkak të të dhënave të të drejtave të njeriut të Turqisë. Pra, duhet të ketë kampe përpunimi në vendin e parë të BE-së që ata arrijnë, ndoshta Greqi apo Itali.
Kostoja për këtë duhet të ndahet në të gjithë BE-në, pasi qëllimi është vendosja e kontrollit mbi kufijtë e saj të jashtëm. Marrëveshja është e mundur. Në këmbim për pritjen e pikave të nxehta të mëdha të refugjatëve dhe kampeve në tokën e saj, Greqia duhet të sigurojë ndihmë për borxhin e saj dhe buxhetet, që e ka kërkuar prej kohësh në mënyrë që të lehtësojë krizën e saj ekonomike.
Refugjatët do të bashkohen me këtë skemë (në vend që të kalojnë ilegalisht BE-në), vetëm nëse ata binden se kërkesat e vërteta do të pranohen brenda një kohe të arsyeshme. Dhe shtetet anëtare duhet të bien dakord për të pranuar një numër të konsiderueshëm të pretendentëve të besueshëm për azil. Disa refugjatë mund të preferojnë Gjermaninë, të themi ndaj Francës – dhe është vështirë t’i ndalosh ata të kalojnë kufijtë, pasi janë brenda zonës Shengen. Por, në qoftë se ata trajtohen me kujdes, shumica do të qëndrojnë.
Kriza ka nevojë për një program më të mirë akomodimi se ai i drejtuar nga Agjencia e Refugjatëve të OKB-së, që ka vetëm 160,000 hapësira. Vendet jashtë BE-së, përfshirë edhe shtetet e Gjirit, mund të luajnë rolin e tyre. Prioritet duhet t’u jepet refugjatëve të cilët aplikojnë për azil, ndërsa janë ende në Turqi, Jordani ose Liban – për të zbehur shtysat që refugjatët të hipin në anije që çojnë drejt Greqisë.
Emigrantëve të papërshtatshëm do t’u refuzohet hyrja ose do të dëbohen. Kjo do të jetë ligjërisht e vështirë, dhe është e pamundur t’i riatdhesosh njerëzit në vende, të tilla si Siria. Por në qoftë se sistemi nuk duhet ngarkuar apo të perceptohet si i padrejtë dhe i paligjshëm nga qytetarët e BE-së, zgjidhja duhet të jetë efikase dhe e zbatueshme.
Qeveritë e BE-së duhet të nënshkruajnë dhe të zbatojnë marrëveshjet e ripranimit që i lejojnë emigrantët e refuzuar të dërgohen shpejt në shtëpi, të themi, Marok ose Algjeri. Nëse këto marrëveshje janë të pamundura, perspektiva për të pritur një kohë të pacaktuar në Greqi do t’i nxisë emigrantët ekonomikë që duan të shkojnë në Gjermani të hezitojnë përpara se të vinë.
Pasi këto masa të hynë në fuqi, do të bëhet e mundur ndërmarrja e hapit më të diskutueshëm: ndalimi i fluksit të pakontrolluar të emigrantëve nëpër kufirin verior grek me Maqedoninë. Është bërë e qartë gjatë pesë muajve të fundit se Europa nuk mund të fitojë kontroll mbi shifrat apo natyrën e qarkullimit të emigrantëve, ndërsa zyrtarët në kufi i kalojnë azilkërkuesit në anën tjetër dhe u ofrojnë atyre udhëtim të sigurt drejt Europës Veriore.
Që nga fillimi i krizës së refugjatëve, The Economist ka argumentuar se Europa duhet të mirëpresë personat e persekutuar dhe të menaxhojë me kujdes hyrjen e tyre në shoqërinë europiane. Vendet kanë një detyrim moral dhe ligjor për t’u siguruar strehim njerëzve që i largohen rrezikut të madh. Kjo qasje është përçarëse në terma afatshkurtër, por në afatmesëm, për aq kohë sa lejohet të punojnë, refugjatët asimilojnë dhe për më tepër ata paguajnë për veten.
Në të kundërt, kaosi i muajve të fundit tregon se çfarë ndodh kur politikanët nuk arrijnë të sigurojnë një qasje mbarëeuropiane për atë problem që është qartazi mbarëeuropian. Plani që përshkruhet do të kërkonte një shifër të majme cash dhe shumë negociata të nxehta. Por është në interesin e çdo vendi që të ndihmojë – sepse të gjithë ata do të ishin më keq në qoftë se BE përfshihet në një luftë ksenofobie (frike dhe urrejtje për të huajt).
Ekziston një precedent inkurajues gjithashtu. Kur më shumë se 1 milion “njerëzit e anijes”, u larguan nga Vietnami, pasi komunistët morën pushtetin në vitin 1975, ata shkuan fillimisht në kampet e refugjatëve në Hong Kong dhe pjesë të tjera të Azisë përpara se të dërgohen në Amerikë, Europë, Australi dhe kudo tjetër. Ata arritën me asgjë, por për befasi u përshtatën shpejt: të ardhurat mesatare familjare për amerikano-vietnamezët, për shembull, tani janë mbi mesataren kombëtare. Askush në Amerikë nuk druhet tashmë se “njerëzit e anijes” nuk do të integrohen.