Nga Boldnews.al
Kolë Hysenaj është një prej dy prokurorëve të Tiranës, të cilët vendosën të marrin të pandehur personat që denoncuan përfshirjen në narko-trafik të Agron (Geron) Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Emri i tij gjendet ende në “listën e zezë” të kryeministrit Edi Rama, i cili, pasi fitoi mandatin e dytë qeverisës, renditi emrat e 100 zyrtarëve të ndryshëm, të akuzuar nga qytetarët për korrupsion.
Në atë kohë, Hysenaj gjendej në detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Korçës dhe ndaj tij kishte një seri akuzash publike për përfshirjen në korrupsion. Sapo emri i tij u publikua në “listën e zezë” të Ramës, Kolë Hysenaj u shkarkua nga Prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe, Adriatik Llalla.
Nuk u mësuan asnjëherë arsyet e shkarkimit me urgjencë të Hysenajt nga posti i drejtuesit në Korçë. Por, mesa duket, Llalla ka vlerësuar se informacionet në dispozicion të Edi Ramës kanë qenë serioze.
Kolë Hysenaj u trondit nga kjo lëvizje. Jo më shumë për faktin se humbi postin drejtues, por për shkak se akuzat publike në emrin e tij mund të ndikonin negativisht në procesin e Vetingut.
Ai u kthye në Tiranë si prokuror i thjeshtë dhe, mesa duket, ka gjetur mënyrën se si të pastrojë “njollën e Partisë”.
Kolë Hysenaj, së bashku me kolegun Genc Qana, ngarkohen të hetojnë 4 persona, përfshirë deputetin e opozitës Ervin Salianji dhe gazetarin Jetmir Olldashi, në të ashtëquajturën “çështje Babale”.
Pas rreth 6 muajsh, dy prokurorët, pa kryer as veprimet më minimale hetimore, vendosën që të akuzojnë 4 personat për “kallëzim të rremë”. Dy prokurorët nuk u morën aspak me dyshimet për përfshirjen e Agron (Geron) Xhafaj në trafik narkotikësh.
Kolë Hysenaj dhe Genc Qana u mjaftuan me “veprimet hetimore” kundër deputetit e gazetarit, duke mos i krijuar asnjë siklet “babait të Reformës në Drejtësi”, Fatmir Xhafaj.
Çështja “Babale” ishte një “bonus” për Kolë Hysenajn. Me dyshime të shumta për përfshirje në korrupsion, ai duhet ta ketë pasur të qartë që procesi i Vetingut do të ishte fatal për të.
Por ky proces, tashmë është bërë e qartë, kontrollohet nga Fatmir Xhafaj dhe “Rilindja” e Edi Ramës. Për këtë arsye, Kolë Hysenaj kishte në dorë rastin e artë. Ai, duke penalizuar denoncuesit e Agron (Geron) Xhafaj, i bën nder Fatmir Xhafajt, por nga ana tjetër e ç’njollos Edi Ramën dhe qeverinë e tij.
Si shpërblim, Kolë Hysenaj shpreson që të marrë nga Rilindja konfirmimin në procesin e Vetingut.