Të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, në 4 ditët e fundit të këtij viti nuk do të kenë mundësi të aplikojnë për pasaporta apo t’i marrin ato nga zyra përkatëse. Njoftimi është bërë ditën e djeshme nga ambasada shqiptare në shtetin helen, e cila thekson se kjo ndërprerje e shërbimit do të bëhet për shkak të mbylljes së procedurës së fundvitit. “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë, njofton se më 28 (e premte) dhe 31 dhjetor (e hënë) 2018, nuk do të mund të bëhen aplikime për pasaporta si dhe shpërndarje të tyre nga Zyra e pasaportave, për shkak të mbylljes së procedurës të fundvitit për inventarizimin e tyre. Për veprime të tjera konsullore, Zyra konsullore do të funksionojë normalisht në datat e sipërpërmendura. Faleminderit për mirëkuptimin dhe Gëzuar festat!”,-bën me dije ambasada.
Vendimi për “Veveosin”
Ashtu si në vitet e kaluar, Ministrja e Mbrojtjes së Qytetarit në Greqi ka firmosur urdhrin që mundëson dhe për 365 ditë të tjera mundësinë e shkuarjes në Shqipëri dhe të kthimit pa problem sërish në shtetin helen, për gjithë emigrantët që nuk kanë marrë ende lejen e qëndrimit. Si gjithmonë, bëhet fjalë për ata emigrantë që kanë dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm, por që për arsye që lidhen me funksionimin e shërbimeve shtetërore, leja e qëndrimit nuk u ka dalë akoma. Të drejtën e kthimit pa problem në Greqi e kanë edhe ata që kanë dalë gjatë vitit 2018 dhe ndaj aplikimit të tyre nuk ka dalë përgjigje refuzuese apo vendim për anulimin e lejes. “Me vendim të ministres së Mbrojtjes së Qytetarit, Olga Gerovasili, dhe me qëllim që të lehtësohen emigrantët që u nënshtrohen dispozitave të nenit 8, paragrafi 7 dhe nenit 9 paragrafi 4 të ligjit 4251/2014, lejohet gjatë periudhës kohore nga 1 janari 2019 deri më 31 dhjetor 2019, dalja dhe kthimi i tyre në Greqi, përderisa kanë dalë nga Greqia gjatë periudhës së lartpërmendur dhe vërtetimi (veveosi) i depozitimit apo vërtetimi i posaçëm që parashikohet nga dispozitat e mësipërme, është në fuqi.
Gjatë kohës së vlefshmërisë së këtij vendimi (nga 01.01.2019 deri 31.12.2019), u ofrohet mundësia gjithë shtetasve të huaj, pavarësisht kombësisë, që të vizitojnë vendin e tyre dhe të rikthehen në Greqi për më shumë se një herë”,-thekson ministria e Mbrojtjes së Qytetarit në Greqi. Kjo e fundit thekson se, gjithashtu, lejohet rikthimi në Greqi, përderisa kanë dalë nga vendi brenda vitit 2018 për të shkuar në atdhe dhe ndërkohë nuk ka dalë ndaj tyre një përgjigje refuzuese apo vendim për anulimin e lejes.
Dokumentacioni
Shtetasit e huaj që përfitojnë nga ky vendim, në momentin e rikthimit të tyre në Greqi, duhet të disponojnë: pasaportë apo dokument tjetër udhëtimi, që njihet nga Greqia, dhe janë të vlefshme; vërtetimin se kanë depozituar gjithë dokumentet e nevojshme për marrjen apo rinovimin e lejes së qëndrimit, në bazë të dispozitave përkatëse të nenit 8 paragrafi 7 dhe nenit 9 paragrafi 4 të ligjit 4251/2014; ose
vërtetimin e posaçëm të qëndrimit të ligjshëm, në bazë të dispozitave të nenit 25 të ligjit 4251/2014. “Vihet në dukje se mundësia e daljes dhe e rikthimit nuk u ofrohet poseduesve të vërtetimit të posaçëm të qëndrimit të ligjshëm, që iu dha në bazë të nenit 25 paragrafi 5 të ligjit 4251/2014”,- sqarohet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit.
Nënshtetësia greke
Nënshtetësia greke mund të merret më lehtë nga të rinjtë që kanë lindur apo shkollohen në Greqi që prej korrikut të vitit 2015 me miratimin e ligjit 4332\2015. Ndërkohë nuk kanë të drejtë të aplikojnë për nënshtetësinë greke ata të rinj shqiptarë, prindërit e të cilëve nuk kanë leje qëndrimi ose kanë leje qëndrimi afatshkurtër.
Edhe nëse asnjë nga të dy prindërit e fëmijës nuk ka plotësuar 5 vjet me leje qëndrimi në Greqi para lindjes së fëmijës, ose 10 vjet gjithsej përpara ose pas lindjes së fëmijës; i riu nuk mund të aplikojë për nënshtetësi greke. Ndërkohë aplikimi për ata që plotësojnë kushtet mund të kryhet nga momenti që fëmija regjistrohet në klasën e parë të shkollës fillore.
Dokumentet për nënshtetësinë
Të rinjtë shqiptarë që kanë lindur apo shkollohen në Greqi dhe plotësojnë kriteret duhet të dorëzojnë dokumentacionin për t’u marrë në shqyrtim kërkesa e tyre. përkatësisht ata duhet të paraqesin formularin e aplikimit për nënshtetësinë, që plotësohet nga prindërit; certifikatë lindjeje të fëmijës nga periferia\ bashkia; certifikatë martese e prindërve, e përkthyer ne gjuhen greke, ose në rastin që martesa u bë në Greqi, certifikatë martese nga shteti grek si dhe lejet e qëndrimit të prindërve. Njëri nga prindërit duhet të ketë leje qëndrimi: të brezit të dytë; pa afat (aoristu); 10-vjeçare; refugjati (prosfiga); leje qëndrimi rezidenti afatgjatë ose në rast që është i mbrojtur nga shteti ose personi pa shtetësi ose me leje qëndrimi të përkohshme si pjesëtar i familjes së shtetasit grek, ose qytetar i BE-së, ose ka kartë homogjeni, ose ka buletin qëndrimi të përkohshëm si qytetar i BE-së. Gjithashtu, duhen dorëzuar edhe pasaportat e prindërve me përkthim zyrtar si dhe një vërtetim regjistrimi në klasën e parë në shkollën fillore Greke i cili jepet nga drejtori i shkollës. Aplikimi për marrjen e nënshtetësisë greke bëhet në periferinë apo bashkinë e vendbanimit e ky aplikim kushton 100 euro për të gjithë të interesuarit që duan të marrin pasaportën helene. Ndërkohë përgjigjja lidhur me pranimin apo jo të kërkesës për nënshtetësinë greke, jepet pas 6 muajsh, çka konsiderohet si ende si një vonesë e madhe për emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtetin helen.
Përfituesit e Veveosit
Shtetasit e huaj të që përfitojnë nga ky vendim, në momentin e rikthimit të tyre në Greqi, duhet të disponojnë:
†Pasaportë apo dokument tjetër udhëtimi, që njihet nga Greqia, dhe janë të vlefshme.
†Vërtetimin se kanë depozituar gjithë dokumentet e nevojshme për marrjen apo rinovimin e lejes së qëndrimit, në bazë të dispozitave përkatëse të nenit 8 paragrafi 7 dhe nenit 9 paragrafi 4 të ligjit 4251/2014, ose
†Vërtetimin e posaçëm të qëndrimit të ligjshëm, në bazë të dispozitave të nenit 25 të ligjit 4251/2014.
Dokumentacioni për nënshtetësinë
Formulari i aplikimit për nënshtetësinë, që plotësohet nga prindërit
Certifikatë lindjeje e fëmijës nga periferia \ bashkia.
Certifikatë martese e prindërve, e përkthyer ne gjuhen Greke, ose në rastin që martesa u bë në Greqi, certifikatë martese nga shteti grek.
Lejet e qëndrimit të prindërve.
Njeri nga prindërit duhet të ketë leje qëndrimi:
Të brezit të dytë, ose
Pa afat (aoristu) ose
10 vjeçare ose
refugjati (prosfiga) ose
Leje qëndrimi rezidenti afatgjatë ose
në rast që jeni i mbrojtur nga shteti ose
personi pa shtetësi ose
me leje qëndrimi të përkohshme si pjesëtar i familjes së shtetasit grek, ose
qytetar i BE-së, ose
kartë homogjeni, ose
me buletin qëndrimi të përkohshëm si qytetar i BE-së.
Pasaportat e prindërve me përkthim zyrtar.
Vërtetim regjistrimi në klasën e parë në shkollën fillore Greke (jepet nga drejtori i shkollës)
/GSH.AL/