Qendra e Personel Rekrutimeve bën me dije se ka ndryshuar rregullorja për pranimet e oficerëve dhe nënoficerëve, të cilët duan të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Kjo qendër ka publikuar rregulloren e re në të cilën jepen të gjitha kriteret, dekumentacionet, testimet fizike dhe teorike si dhe ekzaminimet mjekësore.
Kandidatët më të mirë, pra fituesit, para emërimit firmosin kontratën, e cila përmban detyrimet dhe të drejtat e dyanshme midis individit dhe Forcave të Armatosura. Me rregulloren e re, për t’u pranuar si oficerë dhe nënoficerë në FA, kandidatët duhet të kenë kryer arsimin e mesëm ose të lartë, po për të dyja nivelet e arsimimit janë vendosur kritere të veçanta, dhe mangësia në të paktën një prej tyre, i skualifikon ata, raporton gazeta “Shekuli”. Gjithashtu, për pranimet Ministria e Mbrojtjes ka riparë edhe një herë kriteret e viteve të kandidatëve, të cilat deri më dje kufizoheshin midis moshës 18 dhe 27 vjeç, si dhe kriteret e gjatësisë trupore.
Kriteret
Kandidatët që do të rekrutohen me arsim parauniversitar sipas pikës 8, shkronjës “a”, (Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin parauniversitar brenda ose jashtë vendit. Kjo kategori do të rekrutohen kryesisht për ndjekjen e studimeve në Akademitë Ushtarake të vendeve të NATO, në bazë të marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimimit ushtarak) duhet të plotësojnë një sërë kushtesh. Për t’u rekrutuar, ata duhet që të mos jenë dënuar nga gjykata për vepra penale dhe të mos jenë në ndjekje penale. Mosha minimale e rekrutimit është 18 vjeç dhe maksimalja jo më shumë se 22 vjeç. Gjithashtu, kandidatët, duhet të jenë të aftë nga ana shëndetësore, të kenë një trup me fizik të rregullt, të shëndetshëm në të gjitha pikëpamjet, pa asnjë mangësi apo shenja që deformojnë pamjen, si dhe të mos jenë të martuar. Me rregullat e miratuara këtë vit, kandidatët meshkuj duhet kenë lartësi trupore mbi 165 cm nga 170 që ishte më parë, ndërsa femrat mbi 160 cm (nga 165 që ka qenë deri para një viti). Sa i përket kartelës mjekësore, nuk pranohen në garë ata kandidatë që janë bartës të virusit HIV dhe Hepatit B e SST (Sëmundjeve Seksualisht të Transmetueshme) të tjera; të mos kenë kaluar apo të vuajnë ndërkohë nga sëmundje të tjera të zemrës, veshkave, hepatike, pulmonare, neuropsikiatrike, sistemit lokomotor (sistemit kockor dhe i lëvizjes). Nuk pranohen gjithashtu, as ata persona që kanë qenë ose janë përdorues të lëndëve narkotike. Për individët që synojnë të ushtrojnë profesionin e oficerit jashtë vendit, duhet që dëftesa e notave të realizojë një mesatare 8 e lart, ndërsa ata që synojnë veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të zotërojnë gjuhën angleze në të lexuar, të shkruar e të folur dhe të sigurojnë mbi 70 pikë në testimin e ALCPT.
Ata duhet të jenë të regjistruar për zhvillimin e testimeve online të TOEFL, SAT ose ACT. Kandidatët nuk mund të regjistrohen për ndjekjen e studimeve në institucionet arsimore ushtarake jashtë vendit, në rast se; zotërojnë diplomë ushtarake për nivelin arsimor për të cilin aplikojnë, kanë fituar më parë statusin e studentit ushtarak si dhe kanë qenë kontingjent i Forcave të Armatosura për ndjekjen e studimeve ushtarake brenda ose jashtë vendit dhe nuk i kanë përfunduar studimet. Sa i përket kandidatëve që kanë diplomë universitare, përpos rregullave të përbashkëta që kanë me grupin e mësipërm, duhet që në çastin e aplikimit të mos jenë më shumë se 25 vjeç e 6 muaj (përjashtim bëjnë kandidatët për oficerë, të cilët do të jenë personel mjekësor i Forcave të Armatosura, të cilët në momentin e aplikimit duhet të mos jenë më shumë se 30 vjeç e 6 muaj). Nota mesatare e shkollës së lartë të jetë jo më e ulët se 7, ndërsa duhet të marrin 75 pikë për mbrojtjen e gjuhës së huaj, për të synuar SHBAtë. Një rregull tjetër, i vendosur si kusht pranimi nga Qendra e Personel Rekrutimeve lidhet me Kodin e Punës. Kandidatët duhet të mos jenë larguar nga puna në administratën qendrore ose lokale (nëse ka qenë i punësuar para aplikimit), për shkelje të dispozitave të Kodit të Punës ose legjislacionit në fuqi. Kjo kërkesë aplikohet për kandidatët që nuk janë pjesë e FA.
Dokumentet që duhen dorëzuar në QPR
Për t’u bërë pjesë e konkurrimit, kandidatët tashmë duhet të njoftojnë Qendrën e Personel Rekrutimit, përmes faqes së internetit të Ministrisë së Mbrojtjes në datat dhe afatet që publikon kjo e fundit. Janë 15 dokumente, të cilat duhet të dorëzohen në QPR që nisin nga kërkesa me shkrim për ndjekjen e studimeve ushtarake, formulari me të dhënat personale dhe vijojnë më tej me fotokopjen e noterizuar e dokumentit zyrtar (diplomës) që vërteton përfundimin e arsimimit përkatës së bashku me listën e notave. Dokumentet – Fotokopja e kartës së identitetit. – Certifikatë familjare. -2 fotografi për dokument. – Fotokopje e pasaportës e vlefshme për jashtë shtetit. – Dëshmi penaliteti. – Vërtetim nga përmbarimi. – Vërtetim nga gjykata që nuk është në proces gjyqësor. – Vërtetim nga prokuroria që nuk është në proces hetimi. – Certifikatë për TOEFL, SAT ose ACT (nëse ka). Ky dokument kërkohet vetëm për kandidatët që aplikojnë për ndjekjen e studimeve në shkollat e larta ushtarake në SHBA. – Dokument i cili vërteton se aplikanti është regjistruar për testimet që zhvillohen online për TOEFL, SAT ose ACT. Ky dokument kërkohet vetëm për kandidatët që aplikojnë për ndjekjen e studimeve në shkollat e larta ushtarake në SHBA. – Raportin mjekësor të lëshuar nga Spitali Ushtarak i Forcave të Armatosura, ku shprehet që kandidati është i aftë nga ana shëndetësore për të ndjekur studimet ushtarake jashtë vendit. – Vendimi i Komisionit Mjekësor, ku shprehet për aftësinë apo paaftësinë e kandidatit për oficer, shoqëruar me ekzaminimet mjekësore nëse kandidati nuk është bartës i virusit HIV, Hepatit B etj.
5 provimet, testet e forcës dhe inteligjencës
Pasi marrin miratimin se i kanë plotësuar kushtet dhe dokumentet, kandidatëve u bëhet e ditur rregullorja e konkurrimit, programi orientues i konkurrimit për testin e gjuhës angleze, tabelat e normave fizike dhe çdo njoftim tjetër i domosdoshëm që lidhet me garën brenda apo jashtë vendit. Ata njoftohen nga faqja zyrtare e Ministrisë së Mbrojtjes për ecurinë e kandidimit, ose thirren në telefon për probleme që lindin për kandidatë të veçantë. Për të marrë gradën e oficerit apo nënoficerit, personat që regjistrohen zhvillojnë disa konkurse, që nisin me testimin fizik, testimin intelektual, testimin e gjuhës angleze, testimin psikologjik e përfundojnë me ekzaminimin mjekësor. Të gjitha këto provime zhvillohen në Qendrën e Personel Rekrutimit, e cila është struktura përgjegjëse për rekrutimin e oficerëve.
Testimi fizik Testimi fizik është hapi i parë i konkurrimit dhe ka si qëllim të verifikojë standardet fizike që kandidatët duhet të plotësojnë për t’u futur në radhët e Forcat të Armatosura. Kandidati lejohet të marr pjesë në testimin fizik vetëm në rast se është i aftë nga ana shëndetësore, sipas raportit mjekësor të lëshuar nga komisioni përkatës. Testimi fizik ka karakter skualifikues.
Testimi intelektual Ky testim do të zhvillohet pas kualifikimit në testin e përgatitjes fizike me të gjithë kandidatët, dhe nëpërmjet tij do të synohet të vlerësohen niveli i njohurive dhe kulturës së përgjithshme, aftësive për të gjykuar dhe vepruar, aftësitë e përqendrimit të vëmendjes, si dhe niveli i përgjithshëm i inteligjencës.
Testimi psikologjik Testimi psikologjik zhvillohet me qëllim që të vlerësohen te kandidati përgjegjshmëria, motivimi, aftësia për të menduar dhe gjykuar, si dhe stabiliteti i sjelljes. Gjithashtu ai ka si synim që të dallojë ata individë që thjeshtë duan një punë, nga ata që janë të motivuar për t’i shërbyer vendit si oficerë aktivë kudo që e kërkojnë misionet dhe detyrat e Forcave të Armatosura dhe mundësisht të përcaktojë edhe prirjet e tyre.
Testimi në gjuhën e huaj Ky provim është hapi i katërt i konkurrimit dhe do të bëhet me qëllim që të verifikohet niveli i njohjes së gjuhëve të huaja. Ai përfshin testimin në gjuhën angleze dhe testimin në gjuhën e vendit, ku kandidati do të ndjekë studimet ushtarake.
Ekzaminimi mjekësor Kandidatët do të paraqiten personalisht pranë SUFA, duke pasur me vete vërtetimin e regjistrimit si kandidat për student në Akademitë Ushtarake