Kamera e fshehtë e emisionit ‘Stop’ solli me zë dhe figurë llojet e lëndëve narkotike të ndaluara, që u shiten nën dorë nxënësve dhe të rinjve.
Mjafton një interesim i thjeshtë e disa para me vete dhe do të gjeni njerëz jashtë çdo lloj dyshimi që tregtojnë me shumicë e pakicë ketaminë, një anestetik ky i fuqishëm për kafshët.
Mjeku veteriner Martin Toro shpjegoi se ketaminën mund ta marrin vetëm veterinerët me licencë.
‘Është një medikament që përdoret vetëm për anestezi të përgjithshme te kafshët, te qentë dhe të macet. Ne i përdorim vetëm për ndërhyrjet kirurgjikale’, u shpreh mjeku veteriner.
Ndërsa mjekja toksikologe Sonila Bitri tregpo efektet negative të këtij medikamenti te njeriu.
‘Ketamina është anestetik me veti haluçinogjene dhe disicioative. Përdoret në mjekësinë veterinere për qëllimin anestetik, ndërsa te njerëzit, te adoleshentët kryesisht, abuzohet për efektet haluçinogjene, psikoaktive që kjo substancë ka. Abuzohet në disa forma si inhalatore, venoze, orale, por format më problematike dhe më shpesh të abuzuara janë ato inhalatore. Shpesh herë për fat të keq përzihet dhe me cigare dhe kanabis. Efektet kryesore janë në sistemin nervor qendror, por jo vetëm. Jep ndjesinë e shkëputjes nga trupi dhe realiteti dhe kanë probleme me memorjen, probleme të rënda mendore, haluçinacione, probleme me orientimin e humorin. Jep çrregullime me ritmin e tensionin, probleme me frymëmarrjen dhe për fat të keq në doza të larta edhe në fatalitet’, tha toksikologja.
Ajo gjithashtu shtoi se kjo substancë jep varësi, çka nuk dihet nga përdoruesit, ndaj dhe abuzohet me të. Gjatë kamerës së fshehtë të emisionit ‘Stop’, shitësja e ketaminës shfaqet e qartë mbi atë se çfarë është duke bërë, duke treguar se ‘mallin’ e saj e marrin shumë të rinj, të cilët dinë edhe si përgatitet.
Shpresa – Si je?
Blerësi – Mirë! Çfarë ke bërë?
Shpresa – Si dukesh? Si ia kalove? Ça ke bërë ti?
Blerësi – Mirë!
Shpresa –Tani, çfarë doje ti. Unë për momentin kam te shtëpia, kam një të vogël, kam dhe një gjermane 35. Ke marrë ndonjëherë nga këto gjermanet?
Blerësi – Unë nuk kam marrë asnjëherë, asnjë. Mua më thanë që mund të më ndihmoje. Sa është gjermania?
Shpresa – Kam dy lloje. Ja të tregoj! Kam dy lloje, po domethënë do vish te shtëpia taksirat, aty kam plot.
Blerësi – Ku e ke shtëpinë?
Shpresa – E kam aty poshtë te Ministria e Arsimit, po për momentin me vete kam këto se po vij nga puna, se jam në punë. Për momentin kam këtë.
Blerësi – Ça është kjo?
Shpresa – Kjo është gjermane, KETAMINA, është 35.
Blerësi – Kjo është për qetësim?
Shpresa – Po pra, nga ajo që të kanë thënë ty.
Blerësi – Është 35, është e mirë kjo?
Shpresa – Gjermanen ma marrin shumë domethënë, me thënë të drejtën, unë…
Blerësi – Me ça ashtu kjo? Me shiringë në damar?
Shpresa – Nuk e di mo, si e bëjnë. Jo nuk e di, e bëjnë pluhur, a nuk e di… Pyet ndonjërin që mund të ashtu, unë s’të ndihmoj dot.
Blerësi – Po kjo?
Shpresa – E njëjta gjë është edhe kjo, po kjo është 10 mililitra, është 20 mijë lekë.
Blerësi – Ketaminë?
Shpresa – Po, po, po. Edhe kjo e ka.
Blerësi – Ta provoj, po me shiringë si injektohet?
Shpresa – Jo, unë nuk e di, nuk e di, unë i mbaj kështu, nuk di më tepër. Unë i shes dhe te farmacia. Kam ca klientë i marrin, po sesi.., ashtu nuk të ndihmoj dot.
Blerësi – Ok! Sa të detyrohem për këtë?
Shpresa – 35! Unë e kisha një gocë, ajo e bënte kshu pluhur.
Blerësi – Si e bënte pluhur?
Shpresa – E bënte pluhur. Ta thyejmë këtë 5-mijëshen, ta thyejmë tek kjo, hajde ta thyejmë te kjo!
Blerësi – Qysh ëëë?
Shpresa – E merr ndonjë çun, ashtu pa marrë në telefon, pa folur me ndonjërin!
Blerësi – Dakord!
Shpresa – Vetëm se s’ashtu aman! Të lutem, se nuk dua…!
Blerësi – Mirë, mo mirë! Të kuptoj, të kuptoj drejt. Unë mendova, se ti do të dije, sesi do ta bëja se…
Shpresa – Jo, jo unë. Ajo përdoret më shumë për kafshët.
Blerësi – Për kafshët?!
Shpresa – Po! Ne e kemi narkozë për kafshët, por i marrin edhe çunat, i marrin. Kam një kosovar që i merr me shumicë, një çun tjetër vetëm aq, unë nuk e di, vetëm aq di. Për kafshët përdoret narkozë, për t’i vënë në gjumin e vdekur, për njerëz nuk e di. Kisha një gocë që i merrte, ajo gjithmonë e ziente e bënte pluhur.
Blerësi – Si e bën kshu?
Shpresa – Zihet ajo me xhezve.
Blerësi – A zihet?
Shpresa – Zihet kjo dhe e përdor ashtu. Zihet dhe është më e lehtë ashtu për mendimin tim. Ti fol me ndonjë çun nga këto dhe mos të kesh ndonjë problem a ndonjë gjë! Pafshim!
Takimi i dytë
Shpresa – Si je? Si ia kalove? Të ngatërrova me një çun tjetër se vjen dhe te shtëpia, e kam shtëpinë këtu.
Blerësi – Pashë në internet, si bëhej.
Shpresa – Epo mirë! Në qoftë se ke parë, pa problem fare! Kështu, ça do lloj? Këtë e kam 35, këtë e kam 20!
Blerësi – Po shumë e vështirë për t’u gjetur!
Shpresa – S’ka! Është vështirë, s’ka!
Blerësi – Unë kam pyetur në çdo lloj farmacie. Jo tha, hyn te drograt e forta.
Shpresa – Ne jemi me burrin veteriner. Unë kam farmaci veterinare se dhe mua nuk më lejohet. Po ka pas ca klientë që m’i thonë kështu edhe i shes. Vijnë dhe ata çunat nga Kosova që i marrin.
Blerësi: Për këtë do të pyesja dhe unë, për punën e shumicës.
Shpresa: Sa do? Me shumicë? Në qoftë se do me shumicë ti, ka çmim tjetër. Me fol mua për shembull, sa copë duhen, aq të flas unë, aty ku i marim se i merr burri im. Lëviz burri larg, m’i merr burri se këtu në Tiranë s’ka.
Edhe më porosit 2 ditë përpara që të them se ça cmimi, mund t’i marri çikë më lirë ai. Po nuk japin, as unë kam vite, që e kam farmacinë të lidhur, i shesim, se i kam thënë që i duam për kuaj, për kto gjëra, po nuk… ëëëë, janë çikë me problem këto, prandaj janë dhe të shtrenjta.
Shpresa – Edhe herë tjetër mund të vish deri te shtëpia, mund të vish poshtë.
Blerësi – Po mirë! Vij!
Shpresa – E, se jam çikë më poshtë, se unë biles, unë punën e kam larg, unë vij pasdite pas orës 5.
Blerësi – Rrofsh!
Shpresa – Pas orës 5, unë vij në shtëpi nga kjo orë, unë jam në punë po sot më ka ardhur vëllai nga Italia.
Blerësi – Mirë! Faleminderit!
Shpresa – Mirupafshim!
Ky ishte denoncimi i emisionit ‘Stop’ për këtë fenomen të tmerrshëm që po ndodh në vendin tonë. Nuk mjaftojnë substancat narkotike që shpërndahen madje edhe në shkollat 9-vjeçare, por tanimë u shiten të rinjve edhe anestetik të fuqishëm për kafshë…/tvklan