Njoftimi i plotë i KPA
Në mbështetje të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” Gjykata e Lartë pas publikimit, më datë 22.08.2018 të “Rishpalljes së thirrjes për paraqitjen e shprehjes së interesit nga gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ)”, si dhe pas përfundimit të afatit 15 ditor, më datë 06.09.2018 (orari zyrtar), rezulton se kanë paraqitur interes për të kandiduar për në KLGJ, gjyqtarët e mëposhtëm.
Brikena Ukperaj – Gjykata e Apelit Vlorë
Luan Dervishi – Gjykata e Apelit Shkodër
Znj. Brikena Ukperaj ka përfunduar fakultetin e Drejtësisë në vitin 2004 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006. Prej vitit 2016 është gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë.
Luan Dervishi ka përfunduar fakultetin e Drejtësisë në vitin 1985. Prej vitit 2007 është gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër.
Bazuar në Nenin 11 të ligjit të sipërpërmendur, Gjykata e Lartë do të vijojë menjëherë me procedurën për verifikimin e plotësimit të kushteve nga kandidatët, sipas përcaktimeve të nenit 7, pikat 2 dhe 4, të këtij ligji dhe më pas kjo gjykatë do të shpallë zyrtarisht kandidaturat në faqen zyrtare të saj.
Në bazë të parashikimeve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët 6 janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, ku 1 është anëtar nga Gjykata e Lartë, 2 nga Gjykatat e Apelit; dhe 3 nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore”, thuhet në njoftim.