Himara dhe zonat përreth saj kanë kaluar orë të tëra pa energji elektrike gjatë ditës së Martë. Në kulmin e sezonit turistik, në një prej zonave më të preferuara të bregut shqiptar, OSHEE ka dështuar të sigurojë minimalisht furnizimin me energji elektrike për banorët, por edhe pushuesit e shumtë që kanë populluar së fundmi bregdetin jugor.
Banorët e Himarës nuk kanë marrë asnjë përgjigje për mungesën prej më shumë se 6 orësh të energjisë elektrike, ndërkohë që vetëm dy vjet më parë, një pjesë e tyre përbënin dekorin e takimeve pompoze të kryeministrit Edi Rama, ministrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri dhe drejtorit të OSHEE, Ardian Çela, në të cilat prezantoheshin investimet disa milionë euro për rrjetin energjitik në këtë zonë.
Por, ditë të tilla si e Marta e kësaj jave, dëshmojnë që, më së paku, investimet janë të gabuara ose, në rastin më të dyshimtë, paratë e paracaktuara për rrjetin energjitik kanë ndryshuar destinacion dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar.
Në një takim me gazetarët e Jugut të Shqipërisë, në vitin 2016, ministri Gjiknuri deklaronte: “Rrjeti i Himarës ka qenë një rrjet që nuk ka parë investime, që nga koha e elektrifikimit. Ka pasur vetëm ndërhyrje sporadike për mirëmbajtje, por sot që flasim kemi një situatë krejt tjetër. Së pari hyri në funksionim linja 110 kë, që është unaza e jugut, një investim i rëndësishëm i qeverisë shqiptare që u inaugurua vjet. U vu në funksionim, për herë të parë një stacion i ri i lëvizshëm, i cili u instalua në Himarë. Gjithashtu janë bërë dhe investime të reja, siç është linja 35 kë dhe nënstacioni i ri në Dhërmi, si dhe investime ndërhyrje intensive në të gjithë rrjetin e shpërndarjes, sidomos në zonën Dhërmi, Palasë, Himarë, Vuno.”- deklaroi ministri Gjiknuri.
Më shumë bollëk kishte në fjalët e Administratorit të OSHEE-së, Ardian Çela, i cili në të njëjtin takim, renditi disa nga investimet e kryera përgjatë bregdetit, të cilat kapin shifrën 10 mln euro.
Pas këtij takimi, nënstacioni i Himarës pati fatin që të kishte praninë e kryeministrit Rama, i cili, pasi përfundoi xhiron nëpër kompartimentet e ndërtuara me miliona euro, deklaroi në rrjetet sociale:“Rilindja energjitike e Shqipërisë një rrugë e përbashkët e qeverisë dhe qytetarëve, në aspiratën për të bërë shtet, ekonomi, ardhmëri”.
Është e qartë se Edi Rama, kur i referohet Rilindjes, nuk i referohet asaj që ka në programin e tij, por Rilindjes së vërtetë, atëherë kur atdhetarët, përfshirë edhe ata nga Himara, shkruanin me qiri.
Qiriri është elementi që po shitet më shumë ditën e sotme në marketet e Himarës. Shumë pushues, pjesa më e madhe e tyre të huaj, ndoshta nuk do të kenë fatin në ndonjë vend tjetër, edhe në ato pranë Shqipërisë, që të shijojnë pushime “romantike” nën dritën e qiririt.