Zjarri i rënë në zonën e Pyllit të Sodës në Zvërnec është përshkallëzuar, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse dhe duke krijuar rrezik për banesat, bizneset dhe sipërfaqet pyjore përreth.
Flakët janë favorizuar nga temperaturat e larta dhe era, ndërsa në terren po punojnë zjarrfikësit dhe strukturat e emergjencës për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Në ndihmë të tyre janë angazhuar edhe banorë e pushues të zonës.
Sipas raportimeve, situata mbetet problematike pasi flakët vijojnë të avancojnë drejt zonave me bimësi të dendur, duke rrezikuar objektet pranë vatrës së zjarrit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur dhe të respektojnë udhëzimet e forcave në terren, ndërsa operacioni për vënien e flakëve nën kontroll vijon.














