Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar nga Kuvendi për situatën e krijuar gjatë protestës jashtë Parlamentit, duke kërkuar ndalimin e ndërhyrjes së policisë ndaj protestuesve.
Bardhi tha se qytetarët nuk përbëjnë rrezik për deputetët dhe kritikoi masat e marra të sigurisë, duke deklaruar se Kuvendi është blinduar sikur qytetarët të ishin kërcënim.
Ai iu drejtua edhe deputetit socialist Taulant Balla, duke e kritikuar për shqetësimin ndaj dëmtimeve të mundshme të veshjes së tij gjatë protestës.
Sipas tij, policia duhet të distancohet nga çdo formë dhune dhe Kuvendi nuk duhet të konsiderojë qytetarët si rrezik për shkak të kritikave apo kërkesave të tyre.
Ai shtoi se protestuesit kanë kërkuar ndryshime ligjore dhe reagim institucional, duke kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet nga politika.
“Dua ti kërkojë policisë së shtetit që të ndalë dhunën. është blinduar Kuvendi sikur do të na rrezikojnë ne qytetarët. E ti që ke hall Taulant kostumin se e ke të shtrenjtë. Duhet të verifikojnë se ku i ke gjetur lekët për atë kostum të shtrenjtë ti Taulant.
Duhet të distancohet policia nga dhuna. Në emër të kuvendit nuk e nderon ajo që po bën policia e Shtetit, Kuvend. Nuk duhet të ndihemi të rrezikuar nga kritika e qytetarëve, nga kërkesat e tyre. Duhet t’i marrim seriozisht kërkesat e qytetarëve. Kanë kërkuar shfuqizimin e disa ligjeve, ndërkohë të rrimë në heshtje? Atje disa të moshuar, të rinj po dhunohen nga policia. Detyra e policisë së shtetit është që të parandalohet sulmet ndaj qytetarëve.”, tha Bardhi.














