Një nga figurat më të fuqishme dhe më famëkeqe të trafikut të drogës në Meksikë, Ismael “El Mayo” Zambada, është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata federale në Brooklyn të Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë fund një prej karrierave më të gjata kriminale në historinë e karteleve meksikane.
76-vjeçari, bashkëthemelues i Kartelit të Sinaloas së bashku me Joaquín “El Chapo” Guzmán, u shpall fajtor për trafik droge dhe komplot, pasi vitin e kaluar pranoi fajësinë në këmbim të shmangies së dënimit me vdekje. Përveç burgimit të përjetshëm, gjykata e urdhëroi të paguajë edhe 15 miliardë dollarë, shumë që sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë përfaqëson fitimet e siguruara nga aktiviteti kriminal.
Sipas mediave të huaja, gjatë seancës gjyqësore, Zambada kërkoi falje përmes një përkthyesi në gjuhën spanjolle.
“Më vjen keq për dëmin që shkaktova dhe për shembullin që dhashë”, tha ai, duke u bërë thirrje brezave të rinj të zgjedhin një rrugë tjetër dhe duke theksuar se “dhuna duhet të marrë fund”.
Arrestimi i Zambadas në korrik të vitit 2024 u konsiderua një nga operacionet më të pazakonta të autoriteteve amerikane. Sipas hetimeve, Joaquín Guzmán López, djali i “El Chapos”, e bindi atë se po udhëtonin drejt veriut të Meksikës për të inspektuar pista ajrore të fshehta. Në vend të kësaj, avioni u ul në Teksas, ku Zambada u arrestua nga autoritetet amerikane. Edhe Guzmán López u arrestua dhe më pas u deklarua fajtor për akuza që lidhen me trafikun e drogës, ndërsa pret ende shpalljen e dënimit.
Në marrëveshjen e pranimit të fajësisë, Zambada pranoi rolin e tij kyç në ndërtimin e Kartelit të Sinaloas, një organizatë kriminale që për dekada ka trafikuar sasi të mëdha kokaine, heroine, metamfetamine dhe fentanili drejt Shteteve të Bashkuara.
Avokatët e tij kishin kërkuar që ai ta vuante dënimin në një burg me shërbime spitalore, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore dhe mosha e avancuar kërkojnë trajtim të vazhdueshëm mjekësor.
Arrestimi i “El Mayos” ka thelluar përçarjet brenda Kartelit të Sinaloas, duke nxitur përplasje mes fraksioneve rivale në shtetin meksikan të Sinaloas. Dhjetëra incidente të dhunshme dhe qindra persona të zhdukur janë raportuar që prej nisjes së konfliktit për kontrollin e organizatës.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se dënimi i Zambadas nuk pritet të ketë ndikim të madh në funksionimin e kartelit apo në trafikun e drogës drejt SHBA-ve, pasi rrjetet kriminale kanë vazhduar aktivitetin nën drejtimin e figurave të tjera.














