Analisti Andi Bushati deklaroi se projekti “Smart City” nuk përfaqëson vetëm një aferë të rëndë korruptive, por edhe ngritjen e një sistemi të mbikëqyrjes masive që, sipas tij, synon të kontrollojë dhe të monitorojë qytetarët.
I ftuar në emisionin “ÇIM PEKA LIVE” në SYRI TV, Bushati tha se përveç shpërdorimit të fondeve publike, qeveria po ndërton një mekanizëm që forcon kontrollin mbi shoqërinë përmes teknologjisë, duke cenuar privatësinë dhe liritë individuale.
Sipas tij, shtrirja e kamerave të sigurisë në të gjithë vendin, e kombinuar me një shtet që ai e cilësoi si “patronazhist”, krijon mundësinë për monitorimin dhe shantazhimin e çdo qytetari, nga kritikët e qeverisë deri te protestuesit.
“Këtu nuk kemi vetëm një vjedhje të parave publike. Po ndërtohet një sistem oruellian i përgjimit kolektiv. Përveç korrupsionit, kemi edhe forcimin e autokracisë. Nëse një shtet i tillë pajiset me një sistem perfekt mbikëqyrjeje si ‘Smart City’, atëherë çdo qytetar humbet privatësinë dhe bëhet i ekspozuar ndaj kontrollit dhe shantazhit,” u shpreh Bushati.
Ai shtoi se, sipas tij, kjo çështje tejkalon dimensionin e një skandali financiar dhe përbën një rrezik serioz për të drejtat dhe liritë e qytetarëve.














