Spanja është finalistja e parë e Kampionatit Botëror, pasi triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Francës në gjysmëfinalen e zhvilluar mbrëmjen e sotme në Dallas.
Formacioni i drejtuar nga Luis de la Fuente e nisi sfidën me ritëm të lartë dhe kontrolloi lojën në pjesën më të madhe të takimit.
Përpjekjet e “La Roja”-s u shpërblyen në minutën e 22-të, kur arbitri akordoi një penallti në favor të spanjollëve.
Nga pika e bardhë u tregua i saktë Mikel Oyarzabal, i cili nuk gaboi përballë portierit Mike Maignan, duke kaluar Spanjën në epërsi.
Franca tentoi të reagonte pas golit të pësuar, por hasi vështirësi për të depërtuar në mbrojtjen e organizuar të spanjollëve. Në disa raste, Kylian Mbappé dhe Ousmane Dembélé krijuan situata të rrezikshme, por pa arritur të rikthenin ekuilibrat.
Në pjesën e dytë, Spanja goditi sërish. Në minutën e 58-të, Dani Olmo dhuroi një asistim të shkëlqyer për Pedro Porro, i cili finalizoi me një goditje të saktë, duke dyfishuar avantazhin dhe duke i dhënë qetësi skuadrës së tij për pjesën e mbetur të takimit.
Pavarësisht përpjekjeve të Francës për të rihapur sfidën, portieri Unai Simón zhvilloi një ndeshje të nivelit të lartë. Gardiani spanjoll realizoi disa pritje vendimtare ndaj tentativave të Mbappé, Dembélé dhe Doué, ndërsa edhe në minutat shtesë ishte protagonist, duke mbajtur të paprekur portën e tij.
Me këtë sukses, Spanja siguron një vend në finalen e Kampionatit Botëror dhe do të luftojë për trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror. Nga ana tjetër, Franca i jep fund aventurës së saj në turne, duke u eliminuar në gjysmëfinale pas një paraqitjeje që nuk ishte në lartësinë e pritshmërive në sfidën më të rëndësishme të kompeticionit.
LEXO EDHE:
Spanja dyfishon rezultatin me Francën, pranë finales së madhe













